Nga: Shaun Curran / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në Gjermaninë Perëndimore në fillim të viteve 1970, një numër i grupeve eksperimentale e revolucionarizoi muzikën rok. Lindur nga një kohë radikale në historinë e Gjermanisë së pasluftës, ky grup i artistëve jo shumë të afërt – përfshirë këtu Neu!, Can, Kraftwerk, Faust, Tangerine Dream dhe Amon Düül II – krijoi tingullin që u bë i njohur si “krautrok”. Idetë sociale dhe muzikore të këtyre grupeve kanë ndikim të vazhdueshëm. Ndikuan te artistët si David Bowie, Sex Pistols, Talking Heads, Joy Division, Radiohead dhe Bjork; mbi 50 vjet më vonë, ndikimi i tyre vazhdon në hip-hop dhe në tekno, në grupet alternative të rokut dhe në xhazin modern.


Megjithatë, ta quash krautrok një skenë të ngjashme – të themi pank-rokun – kjo nuk është krejt e saktë. Krautroku përcaktohet më shumë nga ajo që nuk është sesa nga ajo që është. Përveç prirjes për ritme të gjata, hipnotike e të përsëritura, në fakt nuk ka stil të qartë muzikor – nën ombrellën e tij dëgjoni rok, xhaz, fank, elektronikë, psikodeli dhe minimalizëm avangard, shpeshherë nga i njëjti grup. Në kulmin e tyre, grupet ishin kryesisht shumë të ndara e të shpërndara nëpër qytetet gjermane, me pak kontakte mes vete.

Edhe termi krautrok është i diskutueshëm. I krijuar nga kritikët britanikë të muzikës për të përshkruar lëvizjen, nga artistët konsiderohet si reduktues në rastin më të mirë, dhe si fyes në rastin më të keq (“kraut” përdoret si term nënçmues dhe ksenofobik për gjermanët). “Është term gazetaresk”, thotë themeluesi i Can-it, Irmin Schmidt. “Nuk thotë asgjë tjetër përveç se kishte grupe që nuk imitonin më”. Sidoqoftë, në vitin 1974 Faust-i e publikoi këngën interesante vetëreferencuese, Krautrok, që e kristalizoi këtë zhanër dhe u bë një nga këngët kryesore të tij.

Por, nëse lëmë mënjanë vlefshmërinë e këtij termi, ajo që i lidhi me të vërtetë këto grupe së bashku është se si u zhvillua një dëshirë për të krijuar stile të reja muzikore – për secilin prej tyre – nga ndjesitë për përparimin e Gjermanisë në fundin e viteve 1960. Themeluesi i grupit Neu!, Michael Rother, thotë se Neu! “ishin rezultat i shpërthimeve politike, sociale dhe kulturore” që ndodhën rreth vitit 1968, viti i cili – siç do të pohonte më vonë filozofi gjerman Jurgen Habermas – e shënoi fillimin e “liberalizimit fondamental” të shoqërisë gjermane.

Rindërtimi dhe rilindja e shpejtë e Gjermanisë Perëndimore dhe rilindja si fuqi ekonomike globale – e njohur si “mrekullia ekonomike” – po arrinte në një pikë përfundimtare në vitin 1968. Për shumë të rinj, rindërtimi i kombit pas mizorive të tij në Luftën e Dytë Botërore, u vlerësua si joadekuat dhe imoral, dhe se shkoi deri aty sa t’ju bëjë roje interesave të establishmentit. Ky brez i ri nuk e donte vetëm riorganizimin ekonomik. Ajo që me të vërtetë kërkuan ishte revolucioni kulturor. E shihnin rendin e vjetër konservator gjerman si elitist, patriarkal, moralist dhe, më e rëndësishmja, ende të lidhur me nazizmin. Shumë institucione ende drejtoheshin nga ata që ishin oficerë gjatë Rajhut të Tretë.

Kur studenti Benno Ohnesorg u qëllua për vdekje nga policia më 1 korrik 1967 – në një protestë kundër vizitës së Mohammad Reza Pahlavit, Shahut të Iranit – u mboll fara e trazirave sociale: tentativa për vrasjen e liderit aktivist studentor Rudi Dutschke, në Berlin më 11 prill 1968, u dëshmua si katalizator për protesta të gjera në të gjithë vendin. Dutschke – duke përshtatur thënien e liderit komunist, të shefit Mao – bëri thirrje për “marshim të gjatë nëpër institucione”. Të tjerët shkuan më tej – fraksioni i Ushtrisë së Kuqe ose banda Baader-Meinhof ishte grup i aktivistëve të së majtës që përdorën taktikat e dhunshme guerile kundër atij që ata ende e konsideronin si shtet fashist (përveç emrit), duke vrarë më shumë se 30 njerëz në një seri të bombave, rrëmbimeve dhe sulmeve.

Kjo ndjenjë revolucioni ishte në përputhje me shumë vende në mbarë botën. Në vitin 1968 pati gjithashtu protesta të famshme në të gjithë Francën dhe protestat e udhëhequra nga studentët u zhvilluan kudo – nga Italia në Japoni, nga Meksikë në Pakistan. Por, ndërkohë që kishte shpërthime kulturore në çdo rajon, ato të Gjermanisë ishin veçanërisht të veçanta. “Mendoj se Gjermania ishte pak më ekzistencialiste, kjo për shkak të së kaluarës naziste”, thotë Dr. Hanno Balz, historian gjerman dhe pedagog në Universitetin e Kembrixhit. “Kjo atë e bëri më radikale … ishte konflikt brezash: si mund pajtoheni me të kaluarën naziste të prindërve tuaj”?

Schmidt, i cili ishte 30 vjeç në vitin 1968, e kishte shtruar tashmë këtë pyetje: kishte marrëdhënie sfiduese me babanë e vet që mbështeste nazistët, ndërsa u përjashtua nga shkolla në Berlin për ekspozimin e të kaluarës naziste të disa mësuesve. Ky ishte sfondi i dëshirës së Can-it për risi. “Ishim produkt i kohës”, thotë Schmidt. “Të rritesh pas luftës dhe atë në një qytet krejtësisht të rrafshët, në gërmadha, por edhe në një kulturë që u ndikua kaq shumë nga koha naziste, nga e gjithë atmosfera intelektuale e pasluftës, kjo sigurisht që do të ketë ndikim të madh te ju. Nëse me vetëdije krijon diçka, ti po e vazhdon traditën, por në të njëjtën kohë dëshiron ta shkatërrosh. Dhe, shkatërron duke krijuar diçka krejtësisht të re”.

Në vitin 1968, Rother ishte 18 vjeç dhe jetonte në Dyseldorf; ishte student i psikologjisë i përgatitur për zgjimin politik. Në të vërtetë, Rother refuzoi të bashkohej me ushtrinë – “Isha kundërshtar i ndërgjegjshëm”, thotë ai, dhe u përcaktuar që atë kohë ta kalojë duke punuar në një institut lokal mendor. “Mendja ime gradualisht po ndërgjegjësohej për identitetin tim – për dallim nga strukturat konservatore në Gjermani – dhe për luftën e njerëzve të shtypur në mbarë botën. Ndaj, ky ishte sfondi për të formuar pikëpamjet e mia politike”.

Kultura popullore ishte sfera tjetër thellësisht konservatore në Gjermaninë e asaj kohe. Muzika mbizotëruese atëbotë njihej si Shlager, një “limonadë” e lehtë për t’u dëgjuar si i europopi konformist. Si në shumë vende, Gjermania thjesht e importoi pjesën më të madhe të muzikës nga Britania dhe nga Amerika, si nga The Beatles, The Rolling Stones dhe Jimi Hendrix. Trupat amerikane ishin ende të stacionuara në shumë qytete gjermane, duke siguruar fluks të vazhdueshëm të kulturës së botës angleze. Kjo ngopje u dha grupeve të reja të krautrokut diçka kundër së cilës artistikisht u përkufizuan – dhe kështu filloi rikthimi i identitetit gjerman, përmes refuzimi të status kuosë.

Për Rotherin, lindjen kreative kjo e bëri më të spikatur. “Bëhesha i vetëdijshëm se është në rregull që kam identitetin tim dhe se duhet të jesh ndryshe, se si artist nuk mjafton të tingëllosh si Jimi Hendrixi apo The Beatles, megjithëse i dua ata. Nisa të ndihem i pakënaqur duke qenë hije e ideve të huaja muzikore … dhe kështu kalova në një periudhë tranzicioni në vitet 1969-’71”.

Për Schmidtin – studiues i muzikës klasike, adhurues i kompozitorit gjerman me ndikim shumë të madh, Karlheinz Stockhausen – kjo dëshirë për të krijuar identitet të ri muzikor u shfaq në përpjekjen e qëllimshme për ta përdorur të kaluarën për të krijuar diçka krejtësisht origjinale. “Ideja ime ishte të bashkoja disa muzikantë me përvojë në të gjitha stilet e rëndësishme të muzikës së shekullit XX”, thotë Schmidt. “Sepse xhazi dhe roku dhe muzika bashkëkohore, elektronika dhe gjithçka tjetër kishin rëndësi. Kështu që i doja gjithë këto në një grup – por, që përfaqësohej nga muzikantët që kishin përvojë më të madhe me këto gjëra, si bateristi fantastik i xhazit, Jackie (Liebezeit). Dhe, duke buruar nga sfondi klasik, kjo solli diçka më ndryshe”. Albumet klasike të Can-it, Tago Mago (1971), Ege Bamyasi (1972) dhe Future Days (1973) – të gjitha të realizuara me vokalistin Damo Suzuki, artistin japonez të rrugës të cilin e zbuluan në Munih – caktuan një pikë referimi për rokun eksperimental.

Ajo që ndodhi me krautrokun ishte shprehje e tranzicionit më të gjerë ideologjik brenda popullsisë më të re të përçarë gjermane të viteve 1970, thotë Balz, larg “kundër”-kulturës dhe drejt kulturës “alternative”. Pra, nuk bëhej fjalë më për “duam ta shfuqizojmë shtetin”. Ishte më shumë si: “Shteti më nuk më intereson. Po largohem nga këtu dhe po shkoj në fshat”.

Grupet e krautrokut jetuan sipas kësaj etike: në fillim të viteve ‘70, Can-i jetoi dhe incizoi në një kështjellë të shekullit XV, jashtë Këlnit; Faust-i të njëjtën periudhë e kaloi duke jetuar në një komunë në Vume afër Hamburgut. Dhe, kështu, grupet e krautrokut ishin politike më shumë se çdo gjë tjetër eksplicite: nga njëra anë përfaqësonin vizionin idealist të një mënyre të re alternative të jetës, ndërsa shpërfillja për traditën muzikore e sugjeronte protestën dhe veprimin.

Filozofia socialiste e Can-it e hapi rrugën drejt mënyrës sesi shoqëria mund të strukturohej. “Kurrë nuk e kemi bërë ndonjë deklaratë politike”, thotë Schmidt. “Përveç asaj se çfarë ishim. Ishim organizëm. Nuk kishim hierarki. Dhe, kjo është një lloj anarkie”.

Në Dyseldorf, Rotheri – dhe ai që më vonë do të jetë baterist në Neu!, Klaus Dinger – ishte për pak kohë anëtar i hershëm i grupit Kraftwerk, bashkë me Florian Schneiderin dhe Ralf Hutterin, derisa nuk u largua për të studiuar. Teksa kjo përbërje e Kraftwerk-ut nuk e lansoi kurrë asnjë disk, Rother dhe Dinger e nxitën tingullin proto-Neu! – siç u kuptua në një paraqitje televizive të vitit 1971. “I pashë njerëzit duke u çmendur”, thotë Rother. “Ishin të emocionuar. Dhe, meqë ra fjala, ishte një audiencë më e re. Për turmat ky ishte fillimi i një gjëje të re. Kjo ishte e qartë”.

Rother dhe Dinger shpejt u larguan nga Kraftwerk-u për të formuar grupin Neu!. Kraftwerk-u, që po zhvillohej, i lansoi tri albume – para se të fillonin me albumet klasike që nisin me Autobahn-in e vitit 1974; këta do ta tejkalojnë zhanrin krautrok duke u bërë pionierë elektronikë dhe një nga grupet më të mira dhe më me ndikim të të gjitha kohërave.

Por, fillimisht ishte Neu! që hapi rrugët e reja. Te Dingeri, Rotheri e gjeti shpirtin binjak (edhe nëse nuk e shihnin gjithmonë njëri-tjetrin në sy). “Pa diskutuar ose pa pasur nevojë për marrëveshje, të përbashkët e kishim gjënë që donim: të jemi unikë me një qasje shumë modeste. Dhe, kjo na shtyri të largoheshim nga traditat dhe të niseshim në rrugën e rishpikjes së rrotës. Vendosa t’i largoja të gjitha klishetë, standardet. I hodha ato në det dhe u përpoqa të kthehem te elementët më të thjeshtë të muzikës – një ton, një notë, një akord, një ritëm”.

Në librin e tij të vitit 1995, Krautroksampler, muzikanti dhe artisti Julian Cope e quan grupin Neu! si “mishërim të krautrokut, të cilët më qartë se çdo grup tjetër e përcaktuar këtë term”. Albumi i tyre debutues Neu!, i lansuar më 1972, mbetet pikë e referimit historik për muzikën rok, duke shfaqur tingujt përcaktues të Neu!-it – dhe në të vërtetë krautrokut: ritmin pionier motorik. Meqë fjalë për fjalë do të thotë “aftësi motorike”, motoriku është ritëm lëvizës, konstant, i zgjatur, shtytës i tempos 4-4, ilustruar më së miri nga performancat e shkëlqyera të Dingerit në incizimet e hershme të Neu!-t, si Hallogallo dhe Negativland. Me ndihmën e producentit vizionar Conny Plank – përgjigja e krautrokut për Sam Phillipsin – ishte pjesërisht e frymëzuar nga dashuria e Rotherit për lëvizjen e përhershme.

“Më pëlqen të ngas në autostradë. Jo të përshpejtoj, se kjo tablo është krejtësisht e gabuar, por të shkoj para pavarësisht nëse është në një dërrasë sërfi në valë të mëdha ose thjesht me ndjenjën e lëvizjes përpara”, thotë ai. Ai gjithashtu ishte, çuditërisht, paksa i frymëzuar nga dashuria për futbollin, pasi suksesi i ekipit të futbollit të Gjermanisë Perëndimore ishte ai aspekti i kulturës gjermane që nuk u ndot nga mizoritë e luftës. “Ka një lidhje. Sepse ende e dua stilin e shpejtë, përpara, kur thjesht nxitojnë dhe topin e lëvizin përmes aftësive teknike të cilësisë së lartë, por edhe duke u përpjekur që të fitojnë territor në synimin për ta çuar topin para drejt portës”.

Ritmi motorik përdoret edhe sot e kësaj dite nga grupet e rokut, në kërkimin që bën me dije për eksperimentalizmin e muzikën e tyre. “Është themeli i asaj muzike mbi të cilën pjesët eksperimentale mund të lëvizin dhe të zhvendosen përreth”, thotë Alexis Taylor, këngëtar i grupit elektro-pop britanik Hot Chip, që ndikohet nga Neu! dhe nga krautroku. “Dhe, kur kjo qëndron si konstantë, vetëm luhatjet e vogla ose ndryshimet e vogla në ritëm mund të ndihen si emocionuese. Dhe, gjithashtu, është një mënyrë për ta drejtuar muzikën në mënyrë shumë primitive. Mendoj se është gjë mjaft e zgjuar për të bërë diçka kaq të thjeshtë”.

Neu! lansoi edhe dy disqe të tjera: Neu! 2 dhe Neu! 75 – ky i fundit kishte ndikim në pank përmes këngëve Hero dhe After Eight. Ndërkohë, Rother ishte përsëri inovativ meqë formoi grupin Harmonia me anëtarët e Cluster-it – një tjetër grup novator gjerman, peizazhet zanore eksperimentale të të cilit hapën rrugën për eksperimentimin ambiental të Brian Enos.

Në vitin 1976, David Bowie ndikohej nga Neu! dhe nga Harmonia. Gjatë periudhës së tij në Berlin dhe realizimit të albumeve klasike Low dhe Heroes, Bowie foli me Rotherin për një bashkëpunim. “Nëse e analizoni karrierën e tij, shitjet ranë kur arriti në fazën e Berlinit”, thotë Rother. “Dhe, kështu mund ishte rasti: dikush në menaxhment mendoi se nuk ishte ide e mirë nëse Davidi nis të punojë me Michaelin – që ka disa ide të çmendura – se ndoshta do të bëjë më shumë muzikë jokomerciale. Kështu që, pasi fola, nuk u dëgjova kurrë më me të. Pastaj, disa vite më vonë e pashë një intervistë ku ai tha: ‘E ftova Michaelin, por ai më refuzoi’. Është kontradiktë”, qesh ai, “dhe do t’ju duhej [detektivi] Poirot për të zbuluar atë që ndodhi”.

Lëvizja e protestës studentore dhe faza madhështore e krautrokut përfunduan në paralele të çuditshme. Deri në vitin 1978, të dy ato ishin pak a shumë kështu: Can dhe Neu! u shpërbënë – të dy grupet do të reformohen më vonë me rezultate jo të mira – dhe epoka e protestës kishte arritur fundin. Vetëvrasja e tre anëtarëve të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe – në burg në tetor të vitit 1977, pas rrëmbimit dhe vrasjes së ish-oficerit të SS-it Hanns Martin Schleyer – u pa si kulminacioni simbolik i lëvizjes së protestës. Rudi Dutschke vdiq më 24 dhjetor 1979 si rezultat i komplikimeve nga lëndimet e marra nga tentimi për vrasjen e tij.

Po pjesa tjetër e brezit të ‘68-ës?

Balz thotë se ata sigurisht që arritën fitore dhe e zhvendosën kulturën gjermane në një vend më liberal, por vetëm pjesërisht: shteti nuk përmbys, por përkundrazi u kooptua. “Kërkuan revolucion, por morën reforma kulturore dhe sociale. Mirëpo, kjo kishte rëndësi. Rudi Dutschke bëri thirrje për marshim të gjatë nëpër institucione, por ajo që përfundimisht ndodhi, nëse analizon, ishte marshim i gjatë brenda institucioneve – jo nëpërmjet tyre. Kjo e bën gjithë dallimin, sepse të gjithë u bënë profesorë e doktorë e ministra të Jashtëm dhe i gjithë ai brez rezultoi si elitë e re. Dhe, sigurisht që sollën diçka tjetër. U korruptuan duke qenë në institucione, por i ndryshuan edhe disa gjëra”.

Ndikimi i krautrokut është shumë më i qartë. Nëse lëmë mënjanë Kraftwerk-un, për shumicën e grupeve shitjet ishin modeste në atë kohë – “ne ishim nëntoka e nëntokës”, thotë Rother – por, trashëgimia e tyre e eksperimentimit vazhdon të formësojë muzikën moderne. “Ajo që kam marrë nga krautroku është ai element i lojës”, thotë Hannah Peel, kompozitore/producente e nominuar për çmimet Mercury dhe Emmy. “Ishte hera e parë që njerëzit i përzienin instrumente akustike dhe elektronike … Në këtë drejtim ata shihnin krejtësisht para”.

“Elementi themelor ishte mungesa e modestisë më 1971”, thotë Rother, duke reflektuar se pse Neu! ende rezistojnë, “kur Klaus dhe unë u përcaktuam të jemi ndryshe; jo të merrnim rrugën e mesme, por të bënim diçka që për shumë njerëz ishte ndoshta konfuze ose e papranueshme. Por, personaliteti ynë, zemra jonë ishte në të. Kjo është ajo që ende u lë përshtypje muzikantëve sot dhe kjo është analiza ime e thjeshtë”.