Nga: Bledar Kurti

Nëse ka një vepër arti, e cila ka trazuar kritikën artistike dhe ka sfiduar imagjinatën e historianëve, analistëve dhe artdashësve në mbarë botën për pesë shekuj me radhë kjo vepër është Kopshti i kënaqësive tokësore (1505), nga artisti holandez Hieronymus Bosch (1450-1516). Kjo vepër, tërësisht surreale dhe futuriste të shtyn të spekulosh se udhëtimi në kohë është i mundur. Kur shohim figurat dhe kompozimin në këtë tablo gati-gati tundohemi të imagjinojmë se një artist surrealist i shekullit XX ka udhëtuar pas në kohë në shekullin e XV-të dhe ka krijuar këtë vepër tronditëse dhe ngjethëse. Sigurisht që udhëtimi në kohë është i pamundur për artistët por jo i pamundur për artin, sepse arti qëndron përtej kohës, dhe kjo vepër është dëshmia më e mirë e këtij atributi të artit, i cili kapërcen shekuj si në të ardhmen ashtu edhe në të shkuarën, duke i shpalosur njerëzimit imazhe dhe botë të paimagjinueshme.

Edhe sot, nëse i kërkon një njeriu, sado i edukuar a arsimuar qoftë ai apo ajo, e me sado imagjinatë të shfrenuar, të përfytyrojë një vepër me trupa njerëzorë që dalin nga guaskat; me kafshë e egërsira të llojeve të ndryshme që përzihen, çiftohen, vrasin, puthin, ushqejnë, trembin, dashurojnë, frikësojnë apo drejtojnë njerëzit; me trupa njerëzorë që kalërojnë mace, tigra, deve, dhe peshq; njerëz lakuriq që marshojnë brenda lëvozhgave të vezës; partitura muzikore në mollaqet e njeriut; bimë e zogj që dalin në fluturim prej anusit; bufë të heshtur e të frikshëm që dëgjojnë e vështrojnë me një heshtje mortore; një njeri porsi trung peme të njehsuar me lëvozhgë veze; bretkosë mbi kraharorin e një femre dhe lejlekë mbi krye njerëzish; zvarranikë me tri koka; gjymtyrë të amputuar të varura në çengelë; vegla muzikore që lëshojnë terror ferri; lakuriqë nate dhe derra me veshje murgeshe; minj që frikësojnë njerëzit përmes cilindrave të qelqtë; çifte dashnorësh brenda flluskave e placentave bimore; luleshtrydhe që pluskojnë me krahë fluturash; e kompozime të pazakonta që duket sikur burojnë nga makthet më të tmerrshme të një gjumi të trazuar, përsëri do e ketë të pamundur t’i afrohet kësaj tabloje.

Ajo çfarë e bën edhe më turbulluese këtë vepër është edhe informacioni i paktë që kemi për artistin, vitin dhe titullin e veprës. Nuk dihet me saktësi se kur lindi Bosch, por vetëm viti i tij i vdekjes. Dimë që ai ishte artist i Rilindjes së hershme holandeze, vinte nga një familje e pasur dhe se ishte shumë i lidhur me shtresën e lartë dhe kishën në qytetin e tij. Bosch i përkiste periudhës së Rilindjes por, ndryshe nga Leonardo da Vinci, ai nuk ishte njeriu i gjithanshëm i Rilindjes: ai nuk udhëtoi jashtë qytetit Hertogenbosh, ku ai ishte një figurë me rëndësi të madhe e ku respektohej shumë si artist, e as nuk eksperimentoi me shkencën apo inxhinierinë, me anatominë njerëzore apo me mjetet me të cilat punonte. Nuk u mor nën patronazh nga oborre mbretërore por pikturoi kryesisht për porositës kishtarë dhe madje u bë anëtari një vëllazërie fetare. Nuk gjendet asnjë vepër laike në repertorin e pikturave të tij. Vetëm 25 vepra kanë mbetur sot nga ajo krijimtari. Titulli origjinal i kësaj vepre nuk dihet, por pasi u quajt si Tabloja e luleshtrydheve gjatë shekullit të 17-të, më vonë nisi të njihet si Kopshti i kënaqësive tokësore, dhe për shkak se vepra ka të pikturuar një frutë ananasi, i ardhur në Evropë pas zbulimit të Amerikës nga Christopher Columbus, besohet se vepra është kryer rreth vitit 1505.

Vepra është e pikturuar mbi një panel triptik druri lisi, që do të thotë një vepër që hapet e mbyllet me dy dritare ose kanata. Kur vepra mbyllet, mbi të dallohet një kupë qiellore e përshkruar si glob i madh, me ngjyrë të errët, me nivele të ndryshme të hije-dritës. Në qoshen e majtë të sipërme të veprës vërehet Perëndia me një libër në dorë i cili po krijon kupën qiellore dhe mbarë botën. Në krye dallohet një shkrim latin i bazuar mbi vargun e Psalmit 33:9 në Dhiatën e Vjetër: “Ai foli, dhe gjëja u bë; Ai urdhëroi dhe toka u shfaq.” Kur kanatat mbyllen sfera duket perfekte, dhe brenda saj dallohet ndarja e ujërave dhe tokës, drita nga errësira, dhe formimi i dheut e qiellit. Kjo skenë e jashtëzakonshme ilustron momentin e krijimit të gjithësisë, e përshkruar tek libri i Zanafillës:

Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.

Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. Pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën “ditë” dhe errësirën “natë”.

Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë. Pastaj Perëndia tha: “Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t’i ndajë ujërat nga ujërat”. Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore “qiell”. Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: “Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera”. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti terën “tokë” dhe grumbullimin e ujërave “det”. Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: “Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili sipas llojit të tij”. Dhe kështu u bë. Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën sipas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili sipas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.

Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë. Pastaj Perëndia tha: “Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet; dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën”. Dhe kështu u bë. Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madh për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet. Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën, për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.

Një shikues i fundit të viteve 1490-të apo fillim të viteve 1500-të do mahnitej me këtë kupë qiellore, e madje edhe njeriu modern yshtet nga kjo sferë perfekte që shpalos mjeshtërisht momentin e krijimit të gjithësisë. Por imagjinoni pak habinë e shikuesit të asaj kohe kur janë hapur përpara syve kanatat e veprës triptike. Ai moment duhet të ketë qenë një përjetim imagjinar edhe më magjik se ai i Liza në Botën e Çudirave. Edhe njeriu modern, pavarësisht librave me aventura dhe filmave të shumtë fantashkencë vazhdon e tronditet mrekullisht nga kompozimi brenda kësaj vepre.

Ngjyrat e errëta të kupës qiellore mbi kanatë shërbejnë si një ilustrim i qëllimshëm për ngjyrat e ndezura që shpalosen përbrenda. Ballina është e pikturuar në monokrom, një teknikë që përdorej për të përshkruar një pikturë të ekzekutuar tërësisht në tonet e ngjyrave gri ose transparente. Ishte e zakonshme për veprat e altarit në Holandën e kohës që të pikturoheshin në monokrom në panelet e jashtme, si një dredhi për të krijuar një kontrast të madh me ngjyrat e gjalla në brendësi.

Bosch e ka konceptuar veprën porsi një libër. Në fillim ai donte shikuesin të yshtej nga ballina mistike e më pas të tronditej nga imazhet surreale që shpalosen përmes detajeve më të imta dhe figurave më të çuditshme që mund të perceptojë mendja njerëzore.

Pjesa e brendshme e veprës është e ndarë në tri skena. Të trija të ndërlidhura nga i njëjti horizont e trajtim ngjyrash e figurash. Në koncept ato ndajnë emëruesin e përbashkët të mëkatit, i cili fillon në Parajsën ose Kopshtin e Edenit në skenën e majtë, zhvillohet përmes shthurjes së njerëzimit, dhe merr dënimin në Ferr në skenën e djathtë.

Në skenën e parë në të majtë të veprës është Kopshti i Edenit në momentin e sapo rënë në mëkat. Peizazhi është i përsosur e me ngjyra të shndritshme, por dallohet një trazirë tek kafshët, disa prej të cilave dalin në lloje të frikshme nga një gropë e terrtë e tokës. Ato janë pikturuar armiqësore, duke ngrënë njëra-tjetrën, e madje edhe me tri koka. Arsyeja e trazisë dallohet në qendër të figurës ku dallohet Krishti i cili teksa cek prej dore Evën ia paraqet atë Adamit, njeriut të parë, dhe ai moment simbolizon mosbindjen e tyre ndaj urdhrit të Perëndisë për të mos ngrënë nga pema e jetës. Ai është momenti i rënies së njeriut, i ardhjes së mëkatit në botë, i ndryshimit të rendit natyral. Përpara rënies nuk kishte armiqësi as tek kafshët, por nga bar-ngrënëse ato nisën të hanin njëra-tjetrën. Rendi u përmbys. Natyra e përsosur e qenieve dhe gjallesave u zhbë.

Kopshti i Edenit ka marrë një pamje të re pas rënies. Në krye të skenës dallohet lumi me katër degëzime, i përshkruar si shatërvani i ujit të përjetshëm, në të djathtë të së cilit vërehet një figure surreale që ka një sy me qerpikë të gjatë e të shkrirë porsi orët e Salvador Dali disa shekuj më vonë. Madje edhe e gjithë fytyra ngjason me fytyrën dhe mustaqet e Salvador Dali. Gjithashtu në këtë skenë dallohet një kalë njëbrirësh dhe kafshë të tjera hibride të panjohura për nga lloji, së bashku me zogj, peshq, krijesa të tjera ujore, gjarpërinj dhe insekte.

Me ardhjen e mëkatit, njeriu dhe bota u gjendën në një realitet të ri, në atë të vdekjes. Nga të pavdekshëm tashmë vdekatarë Adami dhe Eva sollën rendin e ri të një bote të rënë. “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd. Ajo do të prodhoj gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave, dhe do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë, sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh,” ishte dënimi i Perëndisë për njeriun, pasojat e së cilit dallohen në skenat e tjera.

Nga rënia e njeriut dhe Eden-i mëkatar, syri kalon tek qendra e veprës, tek skena e dytë, e cila përshkruan shthurjen e njerëzimit. Qendra e tablosë është më tronditësja e gjithë veprës. Me qindra figura meshkujsh e femrash të bardhë e të zinj, kafshësh e shpendësh, e krijesash të ferrta janë përshkruar plot harbim, kurvëri dhe shthurje.

Në panelin qendror gjendet një numër i madh figurash të zhveshura njerëzore, me përjashtim të çiftit në të djathtën e poshtme, të cilët identifikohen si Adami dhe Eva pas dëbimit nga Parajsa. Burrat dhe gratë, të racave të zezë dhe të bardhë, janë në grupe ose çifte, duke kryer marrëdhënie dashurie (në disa raste të një natyre të ndaluar) me një nuancë të fuqishme erotike që i referohet temës së mëkatit të epshit. Kafshët, si të vërteta ashtu edhe imagjinare, janë shumë më të mëdha se shkalla normale. Kjo ilustron zhbërjen e rendit të natyrës të krijuar prej Perëndisë. Midis tyre, Bosch thekson dy lloje të ndryshme bufësh që ngjallin të ligën dhe të keqen. Duke shikuar drejt, ata hedhin vështrimin e tyre të frikshëm tek shikuesit, në të dy skajet anësore të panelit, të vendosur mbrapa dhe jo në plan të parë, e duke na treguar se në heshtjen e tyre frikësuese ata dëgjojnë dhe shikojnë çdo gjë. Gjithashtu vërehen edhe bimë dhe fruta, të cilat janë gjithashtu shumë më të mëdha se dimensionet e tyre normale.

Vepra përmban shumë fruta ngjyrë të kuqe dhe blu. Disa janë të panjohura, por luleshtrydhet, qershitë dhe manaferrat janë më të dalluarat. Të gjitha këto janë fruta afrodiziakë të cilat nxisin epshin seksual. Ato simbolizojnë kënaqësitë momentale. Harbimi dhe epshi i shfrenuar u përshkrua nga Bosch tek pellgu me ujë i mbushur me gra të zhveshura rreth së cilave vërtiten duke kalëruar në drejtim të kundërt të orës një grup njerëzish hipur mbi kafshë të ndryshme, disa prej tyre ekzotike apo imagjinare.

E gjithë skena është epshore. Kafshët dhe njerëzit garojnë se cila prej tyre do tregohet më kafshore sesa tjetra, të ndërlidhura në një brutalitet dhe atmosferë haluçinante. Trupat e zhveshur dhe frytet e shpërndara na shpalosin epsh e grykësi, ndaj edhe mendja menjëherë na shkon tek shtatë mëkatet vdekatare, një listë mëkatesh të konsideruara më të rëndat në besimin e krishterë katolik: krenaria, babëzia, epshi, zilia, grykësia, zemërimi dhe përtacia. Nëse vëzhgojmë me kujdes të gjitha figurat do i dallojmë këto mëkate të shpërndara në qendrën e tablosë.

Skena zhvillohet në Eden por ajo nuk ka asnjë kuptim logjik. Pikërisht këtë kërkonte të shpaloste Bosch, rënia e logjikës dhe e rendit. Në krye dallohen katër degëzimet e lumit dhe në qendër dallohet globi mbi të cilin ka figura njerëzore me kokë poshtë të cilët ilustrojnë rënien e njeriut dhe rrëzimin e rendit të natyrshëm e hyjnor.

Në skenën tjetër gjendet shpërblimi për mëkatarët e trupit. Skena e tretë është Ferri. Kundrejt një sfondi të errët, muret e qytetit të ngjashme me burgje janë skicuar në siluetë të zymtë kundër fushave të flakta. Trupat njerëzor grumbullohen ngado në grupe, ose me veshje ushtarake ose u nënshtrohen torturave makabër në duart e ekzekutuesve të çuditshëm dhe demonëve me figura kafshësh. Ferri përshkruhet edhe me disa instrumente të çuditshëm që grijnë mishin njerëzor; pajisje thikash e heshtash; kumarxhinj me zare dhe letra të shpartalluar; demonë në formë zvarranikësh e dragonjsh që ushqehen nga barku i një kalorësi; djalli me kokën e një zogu blu i cili kollofit një njeri, nga anusi i të cilit dalin fluturimthi zogj të zi; vegla muzikore të cilat simbolizojnë tërheqjen e së ligës, joshjen nga imoraliteti dhe thirrjen e kushtrimit të vetëkënaqësisë. Në këndin e poshtëm dallohet një derr me veshje murgeshe që detyron një njeri të firmosë një dokument, me shumë gjasa të dorëzojë pasurinë e tij, duke simbolizuar kështu korrupsionin ndër klerin.

Por në qendër të skenës dallohet një trup porsi lëvozhgë e zbrazët veze, me këmbë pemësh të thata që pluskojnë mbi dy varka. Dhe koka e figurës është e vetmja fytyrë e pikturuar me një realizëm fanatik. Duke e krahasuar me portretin e Bosch nga artistë të mëvonshëm mendohet se kjo figurë është autoportreti i artistit. Ai duket i menduar dhe i dëshpëruar për gjendjen e njerëzimit. I pikëlluar për atë histori të rënies tragjike nga lavdia në vdekje, nga liria në dënim. Ajo çfarë e përforcon më shumë teorinë se figura e burrit është autoportret është fakti se mbiemri i tij i vërtetë ishte Van Aken por ai zgjodhi Bosch sipas emrit të qytetit ku jetonte, dhe “den bosch” përkthehet “pyll”, dhe ai njihej si “njeriu i pyllit”, ndaj edhe duke parë trungjet e pemëve si eshtra tek figura me trup veze, mund të pranojmë që kjo figurë është vetë artisti.

Në tërësi, vepra është një makth i mrekullueshëm dhe ëndërr artistike e një gjumi me sy hapur. Por mesazhi i saj ishte përtej estetikës apo mjeshtërisë piktoreske. Në Evropën e krishterë të kohës Zoti dhe djalli, e mira dhe e keqja, shpërblimi i virtytit dhe dënimi i vesit, ishin më se reale në jetën e njerëzve. Besimi ishte i rrënjosur në çdo aktivitet të jetës dhe shoqëronte njerëzit në çdo hap të ditës. Por, mësimet e krishtera bëheshin vetëm përmes Biblës në hebraisht dhe greqisht, apo shërbesat fetare në latinisht. Njerëzit e zakonshëm nuk mund ta lexonin dot Biblën ndaj ata përdornin piktura dhe ikona për të ilustruar historitë biblike. Ato shërbenin edhe si kujtesë për shikuesin se cila do ishte vendmbërritja e tij në jetën e përtejme, apo cili dënim e pret njeriun për mëkatet e tij, ndaj edhe kjo vepër u krijua si një kujtesë. Cilido që e porositi këtë vepër e përdorte atë si kujtesë e dënimit të mëkatit. Si një shuplakë për dhënien pas veseve, epshit, grykësisë, zilisë, krenarisë, babëzisë, zemërimit dhe përtacisë. Cilido që e kishte këtë vepër të varur në shtëpi do mendohej një mijë herë përpara se të jepej pas vetëkënaqësisë dhe dëshirave trupore. Sa herë që ai do tundohej të jepej pas ndonjë vesi menjëherë do i vinin në mendje zogjtë demoniakë, dashnorët e humbur të lakmisë, moria dhe togat e demonëve me torturat e tyre të liga, detet me jashtëqitje dhe organet e brendshme njerëzore të shndërruara në eshtra të tharë e çerdhe zogjsh, dhe njerëz që përpihen nga përbindësha të çdo forme, madhësie dhe lloji.

Kjo vepër, e madje të gjitha veprat e tjera të Bosch, shërbente si një pasqyrë për të ndihmuar padronin e veprës të shihte veten më mirë. Bosch synonte t’i jepte mesazhin shikuesit dhe të gjithë familjes së tij se nuk duhet të jepej pas kënaqësive, harbimit dhe shthurjes, të cilat do e çonin në ferr, por të zgjidhte rrugën e drejtë dhe të perëndishme. Të gjithë studiuesit pajtohen dhe drejtojnë gishtin nga fakti se në këtë periudhë ishte shumë e njohur lëvizja Devotio Moderna (Përkushtimi Modern). Kjo ishte një lëvizje fetare e cila besonte fuqishëm se njeriu duhet të mbante përgjegjësi për veprimet e tij. Çdo sjellje e tij e gabuar do kishte pasoja dhe dënim. “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes,” predikohej në shërbesat fetare, ndaj është pikërisht ky mesazhi i Bosch për padronin e kësaj vepre dhe të gjithë familjen e tij: mos u jepni pas mëkatit pasi ju pret ferri.

Kjo ishte edhe arsyeja përse mbreti i Spanjës Filipi II e mori këtë vepër në vitin 1591 dhe e vari në dhomën e tij të gjumit, bashkë me vepra të tjera të Bosch si për shembull Shatë Mëkatet Vdekatare dhe Katër Gjërat e Përjetshme (1500), si kujtesë për ndëshkimet që e prisnin nëse do jepej pas vetëkënaqësive dhe dëshirave mishore. Ngjitur me dhomën e tij kishte një derë që të çonte në faltore. Çdo ditë mbreti, njeriu më i pushtetshëm në Spanjë e më gjerë, reflektonte e dridhej për dënimet e ferrit dhe më pas shkonte përtej derës e lutej në faltore.

Kur vepra u shpërngul në Museo del Prado në Madrid në vitin 1939, ajo frymëzoi artistët dhe shkrimtarët më të shquar të kohës si René Magritte, Max Ernst, Salvador Dali, Joan Miro, dhe surrealistë të tjerë. Madje edhe për shkak të kësaj vepre shkrimtari i njohur amerikan Ernest Hemingway u frymëzua për romanin e tij Kopshti i Edenit në të cilin shtjellohet rënia e rendit natyral njerëzor, sikurse tek vepra e Bosch. Gjatë qëndrimit dyjavor në Madrid në vitin 1953, Mary Hemingway, bashkëshortja e shkrimtarit, kujton se Ernest Hemingway kalonte një orë çdo mëngjes në Museo del Prado. “Në ditën e fundit të vizitës sonë në del Prado…”, shkroi Maria, “Ernest-i zbuloi një zog pupëz në pikturën e Hieronymus Bosch, Kopshti i Kënaqësive Tokësore. Në të gjithë Madridin, asgjë tjetër nuk e kënaqi atë më shumë sesa ky zbulim.” Edhe ky detaj, në dukje kaq i parëndësishëm, shërben për interpretimin e veprës pasi zogu pupëz përmendet në Dhjatën e Vjetër tek lista e zogjve që Perëndia urdhëroi izraelitët të mos e hanë pasi është shpend i papastër, bashkë me bufin, lejlekun dhe lakuriqin e natës, të gjitha këto shpendë të pikturuara në veprën e Bosch. Kësisoj bëhet e qartë që artisti ka pikturuar qëllimisht gjërat më të papastra të natyrës dhe veseve të njeriut dhe dënimin e përjetshëm e të ferrtë që e pret cilindo që i kryen ato.

Vepra Kopshti i kënaqësive tokësore është një kryevepër e cila mahniti shikuesit e pesë shekujve më parë, vazhdon të na frikësojë e yshtë edhe sot, e pa asnjë dyshim do magjepsë dhe ngashënjejë edhe shikuesit e epokave të ardhshme. Kjo është forca dhe atributi i artit. /Gazeta “ExLibris”/