Ndër të ftuarit ishte edhe Faik Konica. Mirëpo Konica insistonte në mbajtjen e një Kongresi për alfabetin e shqipes me financim të Austro-Hungarisë. Atij nuk i pëlqeu ideja e mbajtjes së kongresit në Manastir me financim të Sulltanit. Prandaj në vend që të merrte pjesë në Kongresin e Manastirit, Konica i ofendonte pjesëmarrësit në atë Kongres. Ftesa drejtuar Konicës nga Hristo Qiriazi në emër të Klubit të Manastirit kishte këtë përmbajtje: “I dashur Mëmëdhetar, [….] u bëjmë të njohur se kombi ynë ka nevojë të madhe, për njerëz të këtij, si dhe zotërija juaj për të dhënë funt kësaj çështje aq të vëjuerë. Mbesojmë se lutja jonë do të dëgjohet dhe do tu kemi nga të parët ndë këtë punë.[…]”. Konica nga ana e tij Kongresin e Manastirit e quante Kongresi i Shqiptarëve Xhonturq dhe në përgjigjen e ftesës në mes tjerave shkruante: “Një Kongresë për abenë ) do të mblidhet, mos kini frikë. Po “the right Congress, by the right men, in the right time, at the right place”. U a përktheni këta fjalë pilafçive turq dhe këmbë-lëpinjësve të krishterë që kini mbledhur më aq nxitim aty në Maqedhonië. Një gjë më pëlqen te i vetë-thëni “kongres” t’uaj: ana poetike e tij. Jini më të shumët çobanë,[…]”.