Valton Berisha, kitaristi virtuoz që me lojën e tij inovative ka ndihmuar që emri i grupit “Purgatory” të ngrihet në piedestalin e rockut shqiptar, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjaçare. Kumtin për vdekjen e tij të hënën e ka dhënë miku i tij më i afër, Valon Gashi, njëherësh edhe bashkëthemelues i grupit “Purgatory”, me të cilin Berisha la gjurmë të pashlyeshme në skenën e muzikës. Berisha vdiq në Los Angeles të Kalifornisë, ku jetonte e punonte prej vitesh. Miq e kolegë të tij të martën e kanë kujtuar si njeri të hareshëm, muzikant të zotin, idealist të rock’n’rollit.

“Thjesht, ende nuk po e besoj”, ka thënë kitaristi Valon Gashi. Ende i mpirë nga dhimbja ka thënë se do t’i duhet kohë të flasë për mikun e tij të shpirtit. Kitaristi Gashi, së bashku me Veton Nushin (tastierë) themeluan grupin “Purgatory” në vitin 1992. Situata në vend sa vinte e rëndohej. Muzika ishte strehë, ikje prej realitetit e më fort edhe formë për t’u revoltuar e protestuar kundër padrejtësive që iu bëheshin shqiptarëve në Kosovë. Për muzikantët hapësirë e vetme qenë kafeteritë, kryesisht ato që gjendeshin nën “Kurriz”. Perfomancat live ishin një mundësi për të shkarkuar gjithë energjinë, një lloj çlirimi. Për t’u bërë një me publikun, rëndësi kishin sa muzika po aq edhe tekstet. Grupi “Purgatory” i gërshetonte mirë të dyja. Rocku, ishte kryefjala e grupit që në atë kohë vuri themelet e tij. Gashit dhe Nushit do t’u bashkoheshin Faton Kika (vokal), Faton Lahaj (bas-kitarë) dhe Visar Rexha (bateri). Pas një kohe, Faton Kika do ta linte grupin për t’u zëvendësuar me Haxhi Berishën, i cili po ashtu nuk qëndroi për shumë kohë. Në vitin 1994, grupit “Purgatory” iu bashkua si vokalist Enis Potoku, me të cilin bendi incizoi këngët si “Largësia” dhe “Unë dhe ti”.

Situata në vend bëri që një pjesë e anëtarëve të iknin nga Kosova. Enis Potoku shkoi në Zvicër e Faton Kika në Gjermani. Potoku në shtetin helvetik do të takonte Haxhi Berishën dhe Valton Berishën. Ishte viti 1997. “Purgatory” do të niste atë që anëtarët e quajnë faza e dytë e grupit. Me Valton Berishën, “Porgatory” incizoi disa këngë njashtu sikurse edhe “Larg vendit të shqiponjave”. Mbajtën koncerte të shumta të mirëpritura nga audienca e gjerë. Grupi u bë i njohur me hitet “Sadija” (1997), “Jakup Ferri” (1998), “Shqiponjat” (1998), “Nëna” (1998) e “Do t’i lutem qiellit” (1999).

Potoku për 25 vjet punoi së bashku me kitaristin Valton Berisha.

“Një shpirtbardhë, një artist i pashoq…”

“Një shpirtbardhë, një artist i pashoq, me përkushtim shumë të madh ndaj punës që ka bërë e sidomos muzikës. Ishte një bajraktar në shumë projekte tonat, i cili me idetë e tij jo vetëm që na motivonte, por edhe na bënte me të fortë për ta arritur suksesin kulminant. Së fundi ishte kënga ‘Retë e zeza’ (v.j. publikuar më 28 nëntor të 2019-s) ku vërtet ishte dëshirë e madhe e tij për ta realizuar këtë këngë edhe me videoklip”, ka thënë Potoku shumë shkurt për mikun e tij të cilit i referohet si vëlla. “Valtoni ka pasur shpirt bujar, ishte i dashur për të gjithë, ishte i fjalës e i besës. Ishte më shumë se vëlla për mua, e mbi të gjitha ishte i hapur e i gatshëm për çdo njeri që kishte nevojë për ndihmë. Thjesht, ishte human e shpirtmirë për të gjithë”, ka thënë Potoku.

Berisha gjatë viteve ‘90 ka jetuar e punuar me Zvicër. Ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke luftuar propagandën mediale të regjimit serb që qarkullonte atëkohë. Ai siguroi infrastrukturë dhe mirëmbajtje të databazave dhe dizajnoi dy media digjitale të kohës. Pas çlirimit të vendit, Berisha ishte kthyer në Prishtinë për të kontribuar në hapjen e një shkolle të CISCO-s. Vazhdoi të punonte si programer dhe u zhvendos në SHBA, ku themeloi një kompani për këshilla profesionale në shërbime të teknologjisë informative.

këtë fushë bashkëpunoi edhe me disenjatorin Fisnik Ismaili, themeluesin e kompanisë “Karrota”, autor i monumentit “NEWBORN”.

“Valon, të pata dost të flokëve të gjata, dost të mIRC-it, dost të muzikës së qartt, dost që rrallë të takojsha, por muhabeti vazhdojke thue se s’është ndërpre kurrë, e së fundmi të pata edhe klient të mirë, duke ta përfundue edhe logon e tretë, e që dy të parat nuk arritëm me i ba publike hala, e as me i prue në jetë projektet për të cilat punojshe me aq përkushtim”, ka shkruar Ismaili në Facebook. Ka shtuar se lajmi për vdekjen e tij ka tronditur edhe njerëzit brenda “Karrotës” të cilët nuk e kanë takuar asnjëherë, por që e kanë dashur pas bisedave me të në katër muajt e fundit”.

“Me sa dashni ta kemi ba logon e produktit ‘SNOW’, e sa ironi e poshtër që pikërisht sot po shohim vetëm bardh prej dritares”, ka shkruar tutje Ismaili.

I pakompromis për vlera

Ani pse punonte në një tjetër fushë, Berisha nuk iu nda muzikës. U bë sebep për rikthimin e grupit në skenën e muzikës pas 18 vjetësh pauzë. Më 6 shtator të vitit 2019, grupi në përbërje nga Enis Potoku (vokal), Valon Gashi (kitarë), Valton Berisha (kitarë), Faton Lahaj (bas kitarë) dhe Visar Rexha (bateri), mbajti koncert në amfiteatrin e “Gërmisë”.

Në një intervistë të realizuar atë vit para koncertit, Berisha kishte thënë se kishte kaluar kohë që nuk i kishte dëgjuar këngët që grupi i kishte incizuar në vitet ’90, dhe pasi që i rimori ato, i emocionuar, kishte biseduar me Valon Gashin dhe pastaj edhe me anëtarët e tjerë. Vendosën të ribashkoheshin.

“Qëllimi ynë është që të rinjve, fëmijëve tanë dhe të gjithë fansave t’u lëmë prapa një dokumentar dhe riincizimin e këngëve tona të vjetra, por sigurisht me një kualitet larg më të mirë se incizimet e atëhershme. Mund të them se për mua personalisht është një ndër gjërat më emocionale që kam përjetuar në disa vitet e fundit”, kishte thënë Berisha.

Në kohën kur ai dhe “Purgatory” bënin muzikë në Zvicër herë pas herë si mysafirë special u bashkohej edhe jazz-kitaristi Faton Macula.

“Ka qenë i talentuar dhe e ka dashur shumë kitarën, muzikën, rockun, dhe unë pasi që isha jazz-muzikant më thoshte: ‘e dua jazzin dhe jo vetëm për shkak teje’. Ka qenë një njeri shumë pozitiv. Edhe kur ka ndodhur diçka që nuk i ka shkuar në favor të tij e ka kthyer në pozitivitet. Së paku një herë në dy javë bisedonim edhe në telefon, në përgjithësi për art, për muzikë, për familje”, ka thënë Macula. Ai e ka kujtuar si një shakaxhi dhe mik që ishte aty kurdo që dikush kishte nevojë për të.

Sa herë që vinte në Kosovë, midis miqsh, e çmonte punën e muzikantëve të rinj. Shpesh kohën në vendlindje e kalonte edhe në “Zanzi Jazz Bar” të themeluar nga bateristi Nesim Maxhuni.

“Valtoni shquhet si njeri idealist për rock‘n roll, njeri që nuk ka pasur kompromise në asnjë mënyrë sa i përket rock ‘n rollit dhe ëndrrën e vet sa herë që ka pasur mundësi e ka çuar aty ku edhe i ka fjetur shija edhe shpirti. Këtë e dinë shokët e tij me të ngushtë, ani pse unë e kam pasur shok, por jo aq sa shokët e mi që kanë bërë muzikë me të”, ka thënë Maxhuni, i cili ka ndarë tutje disa kujtime nga vizitat e Berishës në klubin e tij.

“Ai i ka vlerësuar njerëzit dhe muzikën. Sa herë që i ka parë muzikantët duke performuar live u ka lënë bakshish pasi që e ka parë që po luhet rock ‘n rolli e po dalin muzikantë të rinj. Ajo që e ka tërhequr gjithë shoqërinë është se ka qenë një ndër ata njerëzit që ka qenë gjithmonë i buzëqeshur e gjithmonë me humor për me e kthye në pozitivitet situatën”, ka thënë Maxhuni, i cili u ka shprehur ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve./koha.net/

Image