Nga Visar Zhiti

E magjepsi kitara dhe pastaj ai magjepsi botën me kitarën e tij.

E kisha parë në një koncert, dikur si në një ëndërr, si në një ankth, thuaj, se ishte diktaturë dhe unë përndiqesha. Më përshfaqet ai muzg skene, kitaristi si në një ujëvarë drite dhe pastaj terr gjithandej. Çuditërisht tingujt e kitarës si vezullime të yllta i ndjej ende…

Dhe mësova se ai, djaloshi nga Peja, kishte fituar një çmim të parë në një Konkurs Kombëtar si solist dhe kishte shkuar nga Kosova (atëherë në Jugosllavi) për master në Itali dhe pastaj vazhdoi studimet për kitarë në Paris, ku dhe jeton dhe bota e njeh si kitarist francez.

Maestro Ehat Musa ka dhënë koncerte gjithkund, në skenat e famshme nga Nju Jorku e në Moskë, edhe si solist me orkestra të mëdha simfonike. Repertori i tij, mund të lexosh se përfshin vepra të J.S. Bach, Heitor Villa-Lobos, Powell, Reis, Brower dhe Tamez, etj, etj.

Por unë e pashë në Tiranë, kur ishin ato, “vitet e liberalizmit” siç u quajtën, që më pas do të dënoheshin dhe do të burgoseshin artistë, këngëtarë, muzikantë, shkrimtarë, etj, ndërsa mua më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia.

– Është ndër më të mirët në botë në kitarën e drurit, – më bëhet se i dëgjoj dhe tani ato që thoshin për Ehat Musën.

Në Pallatin e Sportit do të jepej koncerti i Prishtinës. Duartrokitje të shumta, por dhe me druajtjen se mos po i vëzhgonte Sigurimi i shtetit. Po si mund të duroje, aty ishin këngëtaret Nexhmie Pagarusha, Liljana Çavolli, Luan Hajra, Bashkim Paçuku, Esat Bicuri, etj, i dija emrat e tyre, i dëgjoja në Radio-Prishtina, kur isha mësues në një fshat të largët të Kukësit, ndërsa në gjyq do të më akuzonin pse kisha dëgjuar një radio revizioniste, titiste…

– Fliste shqip, – u mbrojta unë në gjyq.

Këngëtari Sabri Fejzullahu e tronditi publikun me fjalët e këngës së tij, një poezi dashurie e Asdrenit, por që u dha kuptim tjetër, ashtu m’u duk: “Eja, se po s’erdhe, do të vij…”. Mos ia tha Shqipërisë?

Kitaristi Ehat Musa, shkëlqeu. I ri, virtuoz modern, dora mbi tastierë si një hënë në muzg, dridheshin gishtërinjtë si tufa rrezesh… të prera… e ndjeja.

Unë ika bashkë me vitet, kohët ndryshuan dhe ne me kohën, u shemb Muri i Berlinit dhe e pabesueshmja, ra perandoria komuniste… në kujtesën time u kthyen copëza poezish e këngësh, tinguj të artë kitare, që binin si yje.

-Mos ik, – më tha një pasdite në Milano piktori i famshëm Ibrahim Kodra, vjen një miku im nga Parisi…

Ishte ai, kitaristi Ehat Musa. Erdhi nga ëndrra, nga ankth i dikurshëm për mua. Ia thashë. Ai dëgjonte bukur. Sa i përzemërt! Portret artisti, gjithë njerëzí. I tregova që e kisha parë në koncertin në Tiranë, krejt rastësisht gjeta biletë, po endesha rrugës andej se mos shikoja artistët nga Kosova, kur të zbrisnin nga autobusi, kur një i panjohur m’u afrua, ndoshta e kuptoi pikëllimin tim dhe dëshirën time dhe më tha: “A doni një biletë?”. U lumturova. E ku gjendeshin ato, sidomos unë që vija nga provinca e persekutimeve në Tiranë. Mos ma kishe dërguar Ti? Buzëqeshi. Pastaj i fola aventurshëm për nje muzikant tjetër të madh, që kishte qenë në burg, mësuesin dhe bashkëqytetarin tim Fotaq Filipeu. Por unë dua ta njoh patjetër, – më tha me zë të lartë…

I tregova dhe për kitarën e Vaçe Zelës në burg, e kishte në Spaç bashkëvuajtësi Gëzim Çela, ia solla e ëma, do një kitarë djali në burg, i kishte thënë ajo këngëtares se famshme, kur ishin takuar në rrugë, ishin shoqe, po ku t’ia gjej, kishte psherëtirë. Dhe Vaçja i dha të sajën. Pas revoltës të të burgosurve në Spaç, policia kërkonte kitarën, ishte e ndaluar. Të burgosurit e fshehën dhe mundën ta nxjerrin gjallë nga burgu…

– Është dhe kjo kitarë që keni Ju në dorë, Maestro! – do t’i thosha miqësisht Ehat Musês, kur të shkoja në Paris.

– Mbase, pse jo…

Shëtisja afër Katedrales ”Notre Dame”, në çdo stol më dukej se ishte ulur nga një Viktor Hugo, kështu shkruajta në një poezi timen, pashë piktorin Zamir Mati, pranë tij regjisori Pirro Mani, t’ju bëj një portret, dëgjova… u bashkova me ta, shkuam për një kafe në Lagjen Latine, Pirro Mani merrej me xhirime, një film i Liri Begesë, do t’i shihja disa skena shumë herë në rrugë, se ktheheshin deri sa t’u dukej mirë kineastëve dhe atë mbrëmje a në një mbrëmje tjetër, në një lokal afër “Moulin Rouge”, ulur pranë banakut, në mes kishim të mrekullueshmin Ehat Musa. Vazhdonte biseda e mbetur përgjysmë. Maestroja para mesnatës porositi nga dy birra të tjera për secilin, pse kaq shumë? Sepse pas pak minutash, pas mesnate, birrat do të shtrenjtoheshin ndjeshëm. Maestroja kishte dhe humor fin. Qeshëm dhe e kaluam hareshëm si mes miqsh.

Do të shkoja ta vizitoja dhe në vilën e tij në rrethinë të Parisit. Ndejtëm në kopshtin e blertë, bisedonim nën drurë me qelqet e verës ndër duar, Zonja franceze e Ehat Musës fliste shqip…

U ndjeva si në shtëpi. Ç’imazhe me dritë në albumin e kujtesës!

Mund të rrish pak me dikë, ashtu e do fati, por e ndjen shumë. Mjafton një fjalë a një rresht i shkruar, që të të mbushë një bosh të gjithë. Po kur ai është pentagram dhe notat muzikore duken si zogj mbi tela? Mos i trembni!…

Kitara e Ehat Musës kumbon, nisi aty me burimet plot shkulme të bardha në Pejën e Tij, ku shpërthen Drini ynë dhe ecën dhe ecën dhe kitara e tij zmadhohet, zmadhohet, bëhet sa Tour Eiffel në Parisin plot drita.

E dëgjoni? Kërkojeni! Ka magjepsjen e rinisë…