Teki Dervishi

Perëndi

Ti po më do shumë

Kaq shumë sa duhet vetëm martiri

Kurse unë jam një qen me zgjebe, një mace e zezë

Vetëm sipër qafës nuk kam plagë që qelbet

Pse më detyron të të frymoj

Mos më mundo!

Të ishe diçka që mund të të prek me dorë

Unë do të kisha djegur

I ngjaj muzgut të Ulan Batorit…

…bishtit të miut, xhenazes së gjallë

Protesta ime është tepri e bishtit të këputur

Të zhapinit kur përpëlitet

Më urrej njëherë si Poen

Të ndjej si zgjohet balsam i një Baudelaire – i të ri

Gjuhën po e hedh si pluhurin mbi bar

Më theri me singi në zemër Ivan Grozni

Katër shekuj më parë

Më le të dal e të ik nga kjo dhomë e sëmurë e Kështjellës

Në një paqenësi tjetër më jetëso, në trajtë kafshe, pa gjuhë

Me fjalët e mia, mua të vetmin, mos më helmo!

Dua të dal nga kjo odë e sëmurë

Dua të ik… dua të ik…

Unë nuk e dua atin e dheun!