Më së shpeshti ulesha në kafenë “Grand”. Aty më bashkoheshin gazetar, poetë, letrarë: Musa Ramadani, Beqir Musliu, Mehmet Kraja, dhe të tjerë.
Edhe pse Bashkimi i blente rregullisht veprat letrare të sapobotuara në shqip, ata më njoftonin me levizjet dhe risitë letrare. I pyes nëse shkruanin për ngjarjet aktuale, për reperkusionet e reja ndaj pjesëmarrësve në demonstrata, për dënimet drakonike me nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet burg. “Nuk na e botojnë këtë, thonë.
Musa Ramadani i qetë ma dhuroi romanin e tij të fundit Zezona. Një roman shumë i mirë. Tema është terrori i udbashëve të Rankoviqit mbi shqiptarët. Në roman, ndërkaq janë përshkruar bullgarët. E pyes pse ua kishte ndryshuar nacionalitetin.
– Sinan Hasanin e kisha recenzent. Ai e propozoi kështu, ndryshe nuk do të mund të bëhej!
– Pse Sinani në romanin e tij Era dhe lisi nuk i ka futur bullgarët, por i ka lënë udbashët e Rankoviqit ? -Musa vetëm rrudhi krahët.
– SHKRUAJENI ATË QË E NDJENI, QË JU VRET, PA MARRË PARASYSH NËSE DO BOTOHET TANI APO PAS 1O VJETËSH. LE TË RRIJË. HERET A VONË DO TË VIJË KOHA QË TË BOTOHEN.

(BEKIM FEHMIU, SHKËLQIM DHE TMERR)