Behar Arllati

Qyteti i Gjakovës, mbarë Kosova e Shqipëria mbeti pa këngëtarin e njohur gjakovar, Ismet Peja.

Ismet Peja lindi m; 27 prill 1937, në një familje ku pothuaj të gjithë merreshin me këndim. Babai I tij Musa Peja ishte këngëtar i njohur ii kohës së Ymer Rizës, një tenor akut, ndërkohë që vëllezërit e tij, Qamil dhe Ismail Peja, po ashtu shquheshin për zëra shumë të bukur si dhe për sensin e lartë që kishin për interpretimin e këngës tradicionale popullore qytetare.

Shkollën fillore e kryen në vendlindje, pikërisht kur u hap dhe Gjimnazi i Gjakovës. Ndaj, Ismet Peja bëhet një nga nxënësit e gjeneratës së parë të këtij institucioni shkollor. Pas kryerjes së gjimnazit vendoset në Sarajevë, ku fillon studimet për drejtësi në Universitetin e Sarajevës. Krahas këtyre studimeve, fillon studimet edhe në Akademinë e Muzikës, po në Sarajevë, drejtimi i kantos, tek profesori Bruno Shpiler. Në Sarajevë qëndron vetëm 18 muaj pasi, për shkak të kushteve ekonomike, detyrohet t’i lë njëherë e përgjithmonë studimet.

Incizimet e para i bën në Radio Prishtinën e atëhershme dhe pikërisht me këngët “Kah dera të erdha” të Mazllum Myezinit dhe “K’ndo o zog i malit” të Qamilit të Vogël, në vitin 1954, nën kujdesin e kompozitorëve dhe krijuesve të njohur Rexho Mulliqi dhe Lorenc Antoni. Në vitin 1959 punësohet si këngëtar në Radio Prishtinë, por shumë shpejt e ndërpret punën për t’u kthyer në vendlindje.

Pas kthimit në Gjakovë, fillon punën si mësues në shkollën “Zef Lush Marku” të fshatit Brekoc, bashkë me muzikantë tjerë, si Asllan Kryeziu, Avni Zherka, Nazim Dylatahu etj. Dhe, pikërisht në këtë shkollë, nga këta muzikantë, me Ismet Pejën në krye, del iniciativa për formimin e një shoqërie muzikore. Shoqëria formohet, porse shumë shpejt shpërbëhet. Bashkë me Mazllum Myezinin, Zekri Çarkaxhiun dhe shokë të tjerë të grupit, do të themelojnë shoqërinë “Hajdar Dushi” në Gjakovë, në vitin 1962.

Një nga regjistrimet më të rëndësishme janë ato që Ismet Peja bashkë me këngëtarë të tjerë të mëdhenj – si: Qamili i Vogël, Gani Grubi, Gonxhe Manaqi, Nexhmije Pagarusha, Hanife Sejfullah Reçani, Mazllum Mejzini, Shahindere Bërlajolli, Nazife Dylatahu, Sekine Lamaxhema, Dueti Shiroka, Halim Keca, Shaban Stafaj, Toni Antoni, Emrije koci, Ajrulla Emini, Sami Ibrahimi, Ismet Veseli, Isa Krasniqi, Maksut Dehari etj. – që i bëri në Radio Shkupi në vitet 1962-1966. Pas vitit 1966 pasuan regjistrimet në disqe të shtëpisë diskografike “Jugoton” të Zagrebit, bashkë me këngëtarët e njohur Qamili i Vogël, Mazllum Mejzini, Nazim Dylatahu, Idriz Dhomi, Njazi Nikoliqi, Gonxhe Qaushi etj. që mbeten edhe sot e kësaj dite regjistrime model për shqiptarët, jo vetëm të Kosovës.

Ka marrë pjesë në shumë festivale – “Akordet e Kosovës” , “Gjakova”, “Zambaku i Prizrenit” etj. – ku ka marrë çmime të shumta. Ka kënduar në shumë skena të shteteve të Evropës dhe në ShBA. Pa dyshim, Ismet Peja paraqet modelin e këngëtarit tipik ideal, pothuaj për të gjitha këngët qytetare. Ishte mjeshtër i ahengut gjakovar që nga vitet ’70-ta të shekullit të kaluar e këtej. Bashkë me Njazi Nikoliqin (1937-1999), një kohë të gjatë ka qenë duet i pandarë, deri me vdekjen e këtij të fundit.

Ismet Peja kishte aftësinë që të përshtatej me melosin e këngëve të pothuaj çdo treve shqiptare. Ai me shumë sukses interpretoi këngët gjakovare, beratase, shkodrane, tiranase, elbasanase, korçare, vlonjate, kolonjare, kavajase, krutane, por dhe këngë në gjuhë të tjera, si serbe, kroate, sllovene, maqedone, turke etj. – kryesisht të popujve që jetonin në RSFJ-në e dikurshme. Kështu, ai interpretoi bukur këngët e Qamilit të Vogël, Mazllum Mejzinit, Iuf Myzyrit, Muharrem Gurrës, Mustafa Budinit, Aleksandër Konstandin Josifit-Leksi i Vinit, Palokë Kurtit, Ndrekë Voglit, Paulin Palit, Mehmet Ali Vrionit, Hasan Prezës, Krlo Palit, Sheuqet Krujës, Markut të Krananes, Hilës së Files, Shtjefën Jakovës-Jakov Qorrit, Sabah Bytyqit, Muharrem Xhedikut, Xhet Bebetit etj.

Ka kënduar bashkë me Mazllum Mejzinin, Qamilin e Vogël dhe një duzinë këngëtarësh të tjerë, qoftë gjakovarë, qoftë nga qytetet tjera. Po ashtu, ka xhiruar katër video-kaseta me titullin “Sofra gjakovare” në vitet e ’80 të shekullit të kaluar. Nuk ka Festival ku Ismet Peja nuk është shpërblyer me çmime të ndryshme si këngëtari me zë brilant. Kudo ku ka interpretuar ka lënë mbresa të thella për interpretimet e tij. Nuk njihet ndonjë ngjarje e rëndësishme ku nuk ka interpretuar Ismet Peja gjithmonë me sukses maksimal. Karriera e tij mbi 60-vjeçare në skenë është shoqëruar me suksese të shumta që vështirë të përmenden të gjitha.

Ka marrë me dhjetëra e qindra mirënjohje. Në vitin 1991, në Festivalin Mbarëkombëtar në Shkodër i jepet Çmimi i Nderit bashkë me këngëtarin tjetër Esat Bicurri. Ka të incizuara në studio mbi 300 këngë.

Të shkruash për Ismet Pejën është shumë e vështirë dhe kërkon një kohë shumë më të gjatë, pasi nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një interpretues të zakonshëm. Me vdekjen e tij, Gjakova, Kosova dhe shqiptarët kudo ku janë, humbën një këngëtar që ishte i padiskutueshëm, i mirëfilltë, shumë i veçantë dhe një zë brilant që jo shpesh vjen në jetë. Skena shqiptare humbi një nga përfaqësuesit më të denjë të këngës së mirëfilltë shqipe.

Ismet Peja la pas vetes varjzën Vigjinën dhe dy djemtë Vegimin e Visarin që po ashtu janë marrë dhe merren akoma me këndimin dhe këngën; la pas vetes një trashëgimi për lakmi, një trashëgimi që vështirë se do të përsëritet ndonjëherë nga cilido këngëtar.

Një gjë është e sigurt. Ashtu sikurse ka ndodhur me bartësit e tjerë të traditës gjakovare Hamëz Kovaçi-Çarkaxhiu, Ramadan Ganga, Din Bakija, Ymer Riza, Ymer Tullumi, Myftar Gjoki-Qaushi, Halim Sahatçiu, Malush Halilaga-Stublla, Qamili i Vogël, Mazllum Mejzini, Hasan Katona, Muhamet-Met Godeni e të tjerë, do të kujtohet gjithmonë sa të ekzistojë kënga gjakovare, derisa të ekzistojë kënga e bukur shqipe.