Nga: Loer Kume

Letërsia shqipe vazhdon të zhvillohet çdo dite e çdo fletë më shumë nëpër betejat e xhunglës kur ne jetojmë; është sfidë padyshim të merresh me art të vërtetë në këtë kohë, por letërsia është një motor që nuk ndalon dot. Sidoqoftë, është e vështirë në terrenin shqiptar e në sferat artistike shqiptare, ku gjithkush është armik me gjithkënd. Dhe, ku unë edhe pas dy veprash, si LUX më 2011, dhe Histori e shkurtër e rrëmujës më 2017, të botuara suksesshëm, të dashura për lexuesit, e gjej veten sërish nga fillimi në çdo gjë që sipërmarr. Një fillim që s’ka fund kurrë. Një gavetë e pafund në botën e xhunglës letrare shqiptare për të cilën për të qenë i vërtetë e besnik me veten duhen thënë dy fjalë: Letërsia shqiptare ka katër probleme kryesore.

1. Lexuesit. Në tre milionë shqiptare, janë treqind mijë që lexojnë më shumë se një faqe gazete. Janë tridhjetë mijë që lexojnë mbase pesë libra në vit. Janë tre mijë që lexojnë letërsi. Më së shumti rastësore. Janë në fund fare, treqind që lexojnë letërsi të mirëfilltë, që janë të orientuar e kanë kërkesa. Pra, nuk kemi lexues. Dhe, mos të guxojë kush të thotë që leximi kalon krizë në tërë botën, sepse bota është aq e madhe e duhet të jesh shumë injorant e mos të kesh dalë kurrë nga kufijtë e vendit që të shohësh njerëz të çdo moshe që shëtisin me libra në duar, e lexojnë kudo në çdo cep ku ndihen rehat.

2. Nuk kemi lexues sepse shtëpitë botuese, me përjashtim të dy a tre syresh, ndjekin parime mizerje të botimeve, e sidomos të përzgjedhjes së letërsisë shqiptare të botuar. Pra, paguajë të botohesh. Kështu, shtëpitë botuese e anojnë tregun e librit nga lekët e marra nga dhjetëra njerëz dhe dëshirat e tyre naive për të qenë të botuar, në vend që si në çdo biznes tjetër të krijojnë linjë prodhimi, produkt-shitje. Dhe, të bazojnë fitimet në shitjen e librave. Në punën time si dentist dhe në tërë biznesin tonë ndjek një parim thelbësor: për të qenë në treg duhet të jesh konkurrues, shumë i mirë në atë që bën dhe t’i vësh njerëzit në dije për shërbimet dhe të mirat që ti i ofron. Shtëpitë botuese shqiptare kanë një aparat fare primitiv në qasjen e lexuesve me autorët shqiptarë. Pra, produktin e tyre nuk dinë ta ofrojnë më së shumti kur e bëjnë në mënyra aq evazive dhe qesharake, sa unë si lexues kam vetëm reagimin e lëkurës së patës dhe dëshirën për t’u ndenjur larg këtyre autorëve. Gjithashtu, shtëpitë botuese nuk kanë as shërbimin e editimit të librit. Po, sigurisht, pse ta kenë, kur burimi i të ardhurave është jo lexuesi, por autori. Editimi i librit është procesi që farkëton ngrehinën letrare të çdo vendi. Është thuajse detyrim kombëtar te kujdesesh në të tillë mënyrë për letërsinë.

3. Konkurset letrare dhe kritika letrare: Personalisht nuk besoj që konkurset letrare, me ndonjë përjashtim ekstremisht të rrallë, janë meritative. Konkurset letrare janë pseudo mbledhje, shfaqje qesharake tashmë, ku veprat nuk lexohen, çmimet jepen në tavolina dylekëshe, ku njerëzit e artit, të kulturës e të dijes intelektuale shiten shumë lirë. Shumica e tyre pa dinjitet. Këtë gjë e kam vërejtur nga afër. Kritika letrare, në më të shumtën e rasteve punon me njohje, me miqësi, favore e shlyerje favoresh, hatëre të kryera, e hatëre të mbetura. Kjo sepse ne ende si shoqëri jemi të çoroditur në hibridizimin e ekonomisë nga konceptet komuniste në ato kapitaliste e nuk dimë si të sillemi. Nuk dimë të paguhemi dhe paguajmë për shkëmbimin e shërbimeve. Sfera letrare është shembulli më i mirë i këtij hibridizimi shterpë.

4. Kemi dhe problemin e vetë shkrimtarëve shqiptarë, që shkruajnë e s’dinë ç’të shkruajnë. Vuajnë nga izolimi shprehimor, mendojnë si do bëhen të lexueshëm për shumë njerëz, e nuk shkruajnë atë që u vjen, por shkruajnë atë që u dikton tregu. Po ç’treg? Një treg inekzistent dhe i sëmurë në atë fije ekzistence që ka. Shkrimtarët shqiptarë që shkruajnë si skllevër në gjendje lirie. Mbase te vetmit në botë. Me subjekte që fshehin thellë dëshira primitive e fetishe politike.

Këto katër probleme ndjekin njëri-tjetrin si gjarpri që kafshon bishtin e tij, duke prodhuar asgjë veçse energji negative. Dhe, këtu në këtë mes gjendemi ne të tërë, në anën e errët të forcës. Kemi shtëpi botuese që shesin botimin në vend që të shesin librat; kemi kritikë që paguhen nga burime okulte – ose shiten për dy lekë në vend që të shesin shtrenjtë aftësitë e tyre analitike. Kemi shkrimtarë që s’dinë ç’të shkruajnë e ç’të paguajnë më parë. Kemi lexues të çoroditur që të gënjyer nga letërsia komuniste e dogmat e trasha, të gënjyer nga letërsia postkomuniste me akuzat po ndaj komunizmit, shumë shpesh nga ish komuniste, të gënjyer nga botuesit, të gënjyer nga kritikët, të gënjyer nga konkurset, e kështu nuk duan t’i shohin surratin e as t’i dëgjojnë emrin letërsisë shqiptare.

Po kush e krijon ketë energji të errët ku gjendemi të tërë të kapur brenda?

Në një biografi për Aleksandrin e Madh, është një kalim që tregon se si Filipi i II, teksa festonin një fitore, i pirë, kap dhe përdhunon njërin nga shërbyesit aty mbi tavoline pa asnjë lloj problemi e pa habitur askënd. Dhe, lind natyrshëm pyetja: ç’bëhet me shërbëtorin më pas? Si ndjehet ai? I cenohet dinjiteti atij? Si shkon jeta e tij më pas? Me shumë mundësi ai vazhdon jetën pa kokëçarje, me pak dhimbje, por gjithçka në rregull. Sepse është e zakonshme që të të kapë të ta mbështjellë mbreti, dhe koncepti i dinjitetit është shumë abstrakt dhe inekzistent.

Me kalimin e 2000 vjetëve të fundit, dinjiteti i njeriut është bërë gjëja më e shenjtë që dikush ka. Më e shenjtë dhe se perëndia për besimtarët, sepse pa dinjitet nuk mund t’i shkosh as perëndisë para. Dinjiteti është thelbi më i thellë modern i njeriut. Kjo anë e errët e forcës ku ne gjendemi vjen pikërisht nga mungesa e dinjitetit.

Mercenaria intelektuale shitet e blihet shumë lirë (jo domosdoshmërisht me para); Filipët e çfarëdolloj forme zgjasin duart e kapin intelektualët shërbëtorë, i përdorin shumë lirë dhe i flakin. Por, intelektualët, përfshirë këtu botues, kritikë, shkencëtarë të mendimit, qokaxhinj, ustallarë, finokë, sekserë, nuk kanë me as dhimbje. Sepse për të ndjerë dhimbje duhet të kesh dijeninë që ta kanë mbështjellë Filipët.

Pra, në fund të tunelit, ana e errët e forcës, dhe humbja e dinjitetit vijnë pikërisht nga mosdija. Nga injoranca. Vetëm injoranca ekstreme mund të prodhojë të tillë situatë ku gjendemi ne sot. Është e vërtetë që jemi një vend i pasur, plot me njerëz të varfër, por dinjiteti e tejkalon urinë kudo – përveçse në Shqipëri. Në vendin tonë dinjitetin e komandon buka. Kjo sepse gjithçka dirigjohet nga injoranca. Duhet vetëm pak sforco për të lexuar pak më shumë, qoftë dhe duke ngrenë më pak. /Mapo Letrare/