Nga: Visar Zhiti

Zhuritje çame … ka pasur edhe një dëbim tjetër të madh të shqiptarëve në Jugun epirot. U përzunë çamët nga trojet e tyre, u dogjën shtëpitë, u therën bashkë me bagëtitë edhe njerëz, u shprish ashtu si ullishtat dhe e tashmja, për ta lenë pa të ardhme, rroposej mitologjia. Shtegtoi lemeria për në tokën amë dhe më pas pllakosi si një tjetër masakër harrimi.

Pas tre mijë vjetësh, në Ballkanin mitik, qe djegur në kohët moderne një Trojë ndryshe …

Dhe, kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat,
që vërshëllejnë drejt Veriut …

Drejt Veriut, thotë zëri i poetit çam, të dëbuar nga trojet e tyre prej grekëve, atje te dheu amë, ku të gjetën një përndjekje tjetër, diktaturën, që jo vetëm nuk arrinte të mbronte dot të drejtat e bashkatdhetarëve të vet në Greqi, por, përkundrazi, nuk i la të qetë duke i futur dhe burgjeve.

Dhe, ishte e ndaluar të kujtoje Çamëri e Kosovë. Nëpër tekstet shkollore asgjë nuk rrëfente gjeografia, historia heshtte … Megjithatë, ndërgjegjja kombëtare dukej sikur forconte fshehurazi kujtesën, qoftë dhe mistershëm atë të ajrit. Folklori arrinte të zbulonte ndonjë këngë anonime për trojet e ndara, ndonjë vajtim dridhës çam, të ngjashëm me ato të arbëreshëve të Italisë, por më thekëse.

Vallet risillnin me rropamat e tyre ikjen apokaliptike. Në kulturën këtej arrinte të shpërfaqej si në piktura, hoxha Hasan Tahsin, rektori çam, i pari i universitetit laik të Stambollit. Poema “Erveheja” e Muhamet Çamit vihej në skenë në Teatrin e Prishtinës, ndërkaq pritej poeti ta vazhdonte baladën çame: Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi. Kokën kthejmë nga pas… Lamtumirë, Çamëri! Dhe ky zë i ri (Bilal Xhaferri) do të ndalohej. “Shkrimtarët çamë” do ta kishin më të vështirë…

O Tempora, o Mores!

Megjithatë, Çamëria e djegur do të jetonte në kujtesën e popullit. Zëri çam s’mund të digjej si trualli. Që flakët, edhe pse të shuara, bënin që të përndritej edhe më.

Bilal Xhaferri (1935-1986), me baba të pushkatuar, i përndjekur, i kishte të gjitha rrugët e së ardhmes të mbyllura. Ai dhe një jetë të zakonshme si jetët e tjera në diktaturë nuk mund ta bënte dot, jo më të lejohej të bëhej shkrimtar, Është punëtor krahu. Në shkollë të lartë as që bëhet fjalë se mund të shkojë, madje as në gjimnaz.

Megjithatë, në mynxyrën e tij do të ketë një lloj shprese si dritë vobektë. Është talenti i tij. Dërgon tregimet e para për botim. Pëlqehet menjëherë. Por, bashkë me famën do t’i vinte shpejt dhe rënia. Rënie brenda rënies, pikërisht atje mes shkrimtarëve … Dhe, s’i mbetet gjë tjetër, veçse të arratiset.

Shkon në ShBA, vdes në Çikago në rrethana të dyshimta, ku thuhet se mund ta jetë asgjësuar dhe nga kanale të fshehta, ndonjë agjent në shërbim të regjimit stalinist shqiptar.

Lindi në fshatin Ninat afër Konispolit më 1935. Babai i tij, Xhaferr Hoxha, i lidhur me Ballin Kombëtar, dënohet nga fitimtarët si antikomunist; e vrasin në 1945, në vitin e parë të lirisë. E, ç’liri zeza do të tundnin kokat nënat çame.

Bilali u rrit në internim bashkë me të motrën; emrin e të atit e bëri mbiemër të mos e njihnin. Mbas shkollës shtatëvjeçare bëri një vit shkollë për gjeometër, por jo, mjaft, kaq … Dhe, nisi punën herët, punëtor krahu, shtronte rrugët ku ta çonin. Andej nga Veriu, afër Rrëshenit gjeti një mecenate shpirtërore, shkrimtaren e dalë nga burgu, Musine Kokalari. Edhe kjo miqësi do të përndiqej. Janë raportet në dosjet deri dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, K. A. Boton poezitë e para; tregimet e para. Ndjeshmëria ishte e madhe, por dhe befasia ngjante me mahnitjen. Dhe u lejua të dalë libri i tij me tregime, “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”. Në vitin 1967 u bë gati libri tjetër, ai me poezi “Lirishta e kuqe”. Ai i donte vargjet e tij:

Krejt të lira
si hapësira,
si era,
si drita.
Me vargjet si vargmalet
që shtrihen nga veriu në jug dhe nga jugu në veri,
me vargje të mbirë nga balta jote
Shqipëri.

Dhe, dorëzoi në konkursin e shpallur me rastin e 500-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, romanin “Krastakraus”. Por, një konflikt i beftë i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, dalja kundër romanit të bujshëm “Dasma” të Ismail Kadaresë, bënë që atë ta përzënë. Autoritete të Realizmit Socialist, Fadil Paçrami, deri dhe anëtari i Byrosë Politike të Partisë në pushtet, Rita Marko, e kritikuan rëndë. Dhe, e hodhën sërish në humnerë. Vepra iu ndalua. Libri i tij me poezi që priste shpërndarjen, u dërgua në fabrikën e Letrës ne Lushnjë për t’u ricikluar në letër të bardhë si harrimi. Autorin e riçuan në internim.

“Poet i nëmur” do ta quante shkrimtari Sabri Hamiti. Meqenëse vendlindja e tij ishte fare në Jug, në kufi, ai gjeti rastin fatlum dhe u arratis për në Greqi. Pa Çamërinë e tij dhe këndoi i dëshpëruar. Një vit më pas fluturoi përtej oqeanit, në kontinentin e ri, në ShBA. Punon në Boston në gazetën “Dielli”. Dërgon për botim në Prishtinë romanin për Skënderbeun, në fakt për Shqipërinë mesjetare, tani me titullin “Ra Berati”, por nuk i dhanë përgjigje. Shkon në Çikago në vitin 1974, ku dhe themelon gazetën “Krahu i Shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë – shqip dhe anglisht – ku krahas historisë së fisit, do të shkruante dhe për diktatura e lënë në Atdhe, për krimet e regjimit.

Vend i vogël,
kohë e vogël,
racion i vogël.
Errësirë e madhe,
frikë e madhe,
mjerim i madh.
Dhe rrugëve të Atdheut
Si kukuvajkë nën hënë
Leh dhe ulërin
“Gazi 69”.

Dhe, andej nga u arratis, ku iku, edhe pse nuk mbërrinte dot “Gazi 69”, do t’i ndaheshin djajtë e kuq. Jo ata vetë, por tentakulat e fshehta të regjimit do të kërkonin kokën e tij. Në kokë e mori goditjen dhe në spital mbaroi në rrethana të dyshimta në vitin 1986 . Pas rënies së diktaturës, edhe pas kthimit të eshtrave të Bilal Xhaferrit në Atdhe, për t’u prehur në vendlindjen e tij, u botua dhe vepra e plotë në pesë vëllime e Bilal Xhaferrit.

Ndërkaq, edhe i vdekur ai s’është lënë i qetë. Herë pas here përfliten dhe dyshime në arratisjen e tij si i dërguar, aq sa duket sikur duan të vazhdohet ai konflikti i lënë në mes dikur, në Tiranën e kuqe për “Dasmën”, por tani i përmbysur, ende pa titull. Gjithsesi, Bilal Xhaferrit i janë dhënë medaljet e larta “Martir i demokracisë” dhe “Nderi i Kombit” dhe, në Sarandë, para shtëpisë së tij, iu vu busti. Me vështrim të bronztë shikon të tashmen e shqetësuar …