Nga: Jackie Wullschläger / The Financial Times

Në çdo histori të fotografisë, krejtësisht të pavarur nga gjinia, Julia Margaret Cameron – gruaja më e famshme viktoriane që përdori aparatin fotografik – dhe Francesca Woodman – fotografitë e inskenuara enigmatike të së cilës ishin të panjohura kur i bëri në vitet 1970 – shkëlqejnë ende dhe zënë vend të rëndësishëm. Por, çfarë mund të mësojmë duke i parë së bashku në ekspozitën e re të Galerisë Kombëtare të Portreteve në Londër?

Statusi i Cameronit është i përcaktuar. Vepra e saj, gjithmonë teatrale, ndahet gjerësisht në portretet karizmatike të burrave të famshëm, në versionet e ekzagjeruara dhe retorike të vetes, si dhe paraqitjet e grave të bukura që interpretojnë rolet mitologjike që ajo ua caktoi atyre. Në momentet më të mira, në fotografitë e mprehta psikologjike të Darwinit, Tennysonit dhe eminencave të tjera ku shfaqte dobësitë si dhe forcën e rreptë mendore, shekullin e XIX ia interpretoi vetes dhe neve: seriozitetin, zellin për përparim, rrymat pesimiste, shpresën, por edhe brengën.

“Autoportreti në trembëdhjetë” nga Francesca Woodman (1972)

Nga një gjykim i gabuar, galeria heq shumicën nga këto. Në vend të kësaj: një sasi e tablove me vajza dhe fëmijë të këndshëm.

Rasti i Woodmanit është më pak i përcaktuar, më intrigues. Gjatë nëntë vjetëve, nga mosha 13 deri 22 vjeçe, e zhvilloi një gjuhë të veçantë vizuale në portrete … në ambiente të rrënuara, me ngjyra të shlyera, pëlhura të grisura, dritë që vinte nga xhamat e mbuluar me letër. Vajza e artistëve amerikanë që për një kohë jetuan në Toskanë, është evokim i kohës së adoleshencës.

“Annie, suksesi im i parë në fotografi” nga Julia Margaret Cameron (1864)

Shfaqet si një skicë e mjegullt e përkulur në një dhomë të zbrazët (“Hapësirë²”); duke u zhdukur nën kornizën e dritares … pjesa tjetër e saj shpërbëhet në ekspozim të gjatë (“Shtëpia #3”); si nudo thatanike, e mbështetur pas një muri të shkatërruar, duke i bërë jehonë lules elegante përkrah saj (“Këndi me zambakun”). Imazhet tilla janë pretenduar feministe, të politikës së identitetit, të surrealizmit të vonë, por i rezistojnë definicionit. E përthithur nga vetja, siç pritet nga adoleshentët, ende na sfidojnë lojërat e shtrembërimit, tjetërsimit, pozicionimit të çuditshëm të figurës në hapësirë.

“Shtëpia #3” nga Francesca Woodman (1976

Si shpirtra të pavarur, duke refuzuar qasjet e drejtpërdrejta dokumentare, Cameroni dhe Woodmani shkelën kufijtë mes faktit dhe trillimit. Portreti i Cameronit i John Herschelit këtu, “Astronomi”, si një urtak që shikon larg, është karakteristike për përshkrimin e saj të njerëzve të shquar si qenie të ekzaltuara – shkencëtari ka peshën e profetit të Testamentit të Vjetër. Fotografia më e famshme e Woodmanit, “Pa titull”, përshkruan një grua të re të shtrirë, mes aktrimit të adoleshentëve dhe arketipeve të engjëjve dhe kryqëzimit, aludime që pasqyrojnë dashurinë e saj për statujat e katedraleve italiane.

“Pa titull” nga Francesca Woodman (1977)

Të dy imazhet kanë ngarkesë shpirtërore. Dhe, të dyja janë më shumë se “Portrete për të ëndërruar”, citim nga Woodmani që ia jep ekspozitës titullin. Duke këmbëngulur vetëm në aspektet ëndërrimtare të arratisjes, shfaqja është jashtëzakonisht reduktuese ndaj ndjeshmërisë dhe inovacionit të Woodmanit, dhe e zvogëlon keq Cameronin.

“Po pres (Rachel Gurney)” nga Julia Margaret Cameron

Portretet e grave të Cameronit tregojnë një të vërtetë: duken të dëshpëruara, të mërzitura, të rënduara, sepse modelimi ishte i lodhshëm dhe kishin jetë të mërzitshme, të përgjegjshme, të shtypur. Trupat janë e kundërta e shprehjes: të mbështjella me pëlhura të rënda, janë të padukshme … Muza e preferuar e Cameronit për këtë trajtim ishte mbesa e saj e bukur Julia Jackson, më vonë nëna Virginia Woolfit. Eseja e Woolfit mbi “vrasjen e engjëllit në shtëpi” është përgjigje e furishme ndaj këtyre idealeve.

“Astronomi”, portreti i Sir John Frederick William Herschelit nga Julia Margaret Cameron

Ekspozita vështirë se i shërben Woodmanit, sepse del keq në mizanskenën e pandjeshme. Me punimet e ngatërruara të të dy artistëve, kornizë për kornizë ku asnjëra nuk e ka një mur, ekspozita mbyt fotot e vogla intime nga printimet shumë më të mëdha të Cameronit.

“Pa titull” nga Francesca Woodman (1979)

Është e vështirë të mos i analizosh këto vepra duke ditur se Woodmani u hodh nga një dritare në Manhatan në moshën 22-vjeçare. Pasoi statusi kanonik. Miku i saj Sloan Rankin këmbënguli se fotografitë e saj ishin “foto të një personi të shëndetshëm që shikon brendësinë e brishtë”. Dikush mund ta thotë të njëjtën gjë për portretet më të mëdha të Cameronit. Kjo tregon se theksi i ëndrrave errëson ndjenjën më të thellë të brendësisë që me të vërtetë i lidh këto dy artiste. /Telegrafi/