Nga: Anastassia Boutsko

Me një numër të madh aktivitetesh, nga koncertet simfonike me artistë të famshëm deri në muzikë në shtëpi, vallëzim dhe shfaqje, do të festohej ditëlindja e 250-të e Beethoven-it, në qytetin e tij të lindjes, në Bon dhe në të gjithë vendin. Ndodhi ndryshe. Shumica e rreth 300 projekteve të vitit të përvjetorit, ranë viktimë e pandemisë së virusit – përfshirë ngjarjen spektakolare si koncerti i njëkohshëm i Orkestrës Beethoven të Bonit me Orkestrën Simfonike të Vjenës, të planifikuar për 15 maj – një urë simbolike midis dy qyteteve të Beethoven-it – ose Festa e Beethoven-it (Beethovenfest) me të cilën do të paraqitej një program veçanërisht i pasur jubilar në mars dhe shtator 2020.

Ekspozita unikale biografike në Bonn Kunst u desh të mbyllej para kohe, dhe “anija e transportit Beethoven, në rrugë nga Boni në Vjenë, për nder të kompozitorit, nuk qe e mundur të udhëtonte.

Por, tani ka një shpresë për krijuesit dhe audiencën: për të kursyer sa më shumë projekte që të jetë e mundur, viti i festivalit do të zgjatet. Bordi Mbikëqyrës i Beethoven Jubiläums GmbH (BTHVN 2020) ka vendosur që fondet e caktuara për vitin e përvjetorit të transferohen në vitin 2021.

“Viti i Beethoven do të zgjatet kështu me 250 ditë, deri në mesin e shtatorit 2021”, i tha agjencisë së lajmeve DPA, Günter Winands, kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Beethoven Jubiläums GmbH dhe shefi i Departamentit të ngarkuar të Qeverisë federale për Kulturë dhe Media. Ai tha se ka shpresë që disa aktivitete të zhvillohen qysh në vjeshtë të vitit 2020, në varësi të situatës pandemike. Qeveria federale kontribuon me 27 milionë euro në programin e përvjetorit.

“Pandemia ndikon në sektorin kulturor në tërësi. Por, ne duam të realizojmë sa më shumë që të jetë e mundur nga më shumë se 300 projekte të planifikuara për përvjetorin e Beethoven-it. Për këtë arsye, planet po përshtaten në aspektin e përmbajtjes ose po shtyhen”, theksoi Malte Boecker, drejtor i Beethoven-Haus dhe drejtor artistik i Beethoven Jubiläums GmbH. “Meqenëse ditëlindja bie në 17 dhjetor 2020, ne po e zgjasim periudhën e sponsorizimit dhe festimit deri në fund të verës 2021.”

Tani planifikimi po bëhet me shpejtësi tek të gjithë organizatorët: ku është e mundur një shtyrje, çfarë mund të bëhet në formë të modifikuar ose digjitale, dhe ku nuk ka mundësi të shpëtohet një projekt?

“Sezoni ynë i marsit u anulua në minutën e fundit. Sezoni i vjeshtës sapo u shty një vit. Prandaj, tani jemi në një vorbull datash dhe afatesh, kohësh dhe shifrash. Të njëjtët artistë dhe ansamle të sezonit të vitit 2020 duhet të jenë në dispozicion edhe në vitin 2021, dhe e njëjta gjë vlen për skenat e përshtatshme”, thotë Drejtoresha e Beethovenfest, Nike Wagner.

“Ekziston mundësi e shkëlqyer që një pjesë e madhe e aktiviteteve të shpëtohet për vitin e ardhshëm”, thotë Johannes Plate nga Jubiläums Beethoven GmbH.

“Kjo vlen si për koncertet dhe ekspozitat, ashtu edhe për projektet muzikore avangardë dhe kompozimet me porosi. Presioni për inovacion, veçanërisht për strategjinë digjitale, është shumë i lartë për të gjithë ata që janë përfshirë”, shton Boecker.

Për shembull, Junge Theater tani është planifikon ta shndërrojë një pjesë të bazuar te Beethoven-i në një format lojërash që mund të ndiqet në internet.

Disa aktivitete madje mund të shtyhen deri në vitin 2022 ose më vonë, në varësi të situatës individuale të artistëve dhe shfrytëzimit të kapaciteteve të skenave – në këtë rast, megjithatë, këto ngjarje nuk do të mbahen si ngjarje të vitit jubilar, por janë pjesë e Beethovenfest-it të rregullt. Nga viti 2022 e tutje do të jetë përgjegjës për programin drejtori i ri i festivalit Steven Walter; menaxheri i ri i muzikës do të marrë përsipër drejtimin nga Nike Wagner.

Po ta lejojë lufta kundër virusit, përpjekja e dytë për vitin e Beethoven-it do të bëhet në fund të vitit 2020: më 17 dhjetor 2020 pritet të marrin pjesë në një koncert në Bon, Daniel Barenboim dhe Orkestra e tij West-Eastern Divan. Si rrjedhojë, ngjarja e planifikuar si aktivitet kulmor përmbyllës mund të jetë fillimi simbolik i zgjatjes së vitit jubilar. /DW/