MERXHAN JAKUPI

Pas sulmeve terroriste disa javë më parë në Vjenë, qeveria austriake ka marrë masa rigoroze: ka mbyllur 7 xhami dhe ka dëbuar disa imamë nga Austria, të cilët i ka shpallur persona non-grata. Që nga viti 1912, Islami ka qenë fe zyrtare në monarkinë austro-hungareze. Për herë të parë, Perandoria osmane në vitin 1529, nga sulltan Sulejmani bëri rrethimin e Vjenës dhe pas gjashtë muajve ushtria e saj u largua. Ndërkaq, për herë të dytë, më 1683, osmanët mësynë Perëndimit dhe sërish sulmuan Vjenën. Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, Bosnja ra nën sundimin e Austro-Hungarisë, ku mbetën nën sundimin e saj një pjesë e popullit mysliman.

Pas viteve të ’60-ta të shekullit të kaluar, u hapën me të madhe dyert e Austrisë për emigrantët, si shtet i parë i Evropës, për çka ajo është ndeshur me probleme, ndërsa një pjesë e problemeve kanë ardhur edhe nga myslimanët. Sipas studiuesit dhe analistit të njohur për çështje të popujve të Lindjes, Mathias Ruho, masat e ndërmarra revanshiste që i ka ndërmarrë kancelari austriak, Sebastian Kurz, janë kontraproduktive, sepse i nxitë forcat e djathta radikale dhe populliste në shtetet e BE-së, si mjete politike për të ardhur në pushtet.

* * *

Presidenti francez, Emannuel Macron, pas atentateve dhe vrasjeve nga ekstremistët islamikë, doli me sloganin: “Islami në krizë”. Macron ka dalë me tezën e tij për një islam të reformuar – sekular. Franca ka mbi 7 milionë myslimanë nga Afrika e veriut, nga ish-shtetet koloniale, kryesisht nga Algjeria, Tunizia, Maroku dhe disa të tjera, të cilët kanë ardhur për punë në vitet e ’60-ta.

Një studiues dhe politolog francez shkruan se këta popuj kanë pasur një histori të zhurmshme dhe tragjike në shekullin e kaluar, si pasojë e kolonializmit francez dhe kanë ndërtuar hipoteza mbi islamofobinë. Në këto shtete, në emër të emancipimit dhe arsimimit të femrave myslimane, ushtria franceze përdorte dhunë ndaj tyre, duke ua hequr “burkën” dhe shamitë nga koka, me qëllim të asimilimit. Algjerianët rezistuan dhe iu bashkuan forcave të armatosura të vendit, duke vrarë shumë ushtarë francezë. Autori shkruan se komunitetet myslimane janë të ndarë në pjesë, ata që nuk janë integruar kanë mbetur në geto, duke jetuar në avenytë dhe lagjet periferike të Parisit, por edhe të qyteteve të tjera franceze. Ata që janë integruar marrin pjesë në të gjitha fushat e jetës: biznes, politikë, kulturë etj.

Franca si shumë shtete të tjera ka një popullatë të mplakur dhe ka krizë demografike. Shumica e gjeneratës së dytë dhe të tretë të emigrantëve janë në ushtri, polici dhe institucione të tjera. Pas sulmeve dhe atentateve në Francë, Austri dhe Gjermani nga e djathta populliste dhe ultranacionaliste është shtuar doza e islamofobisë, të diskriminimit dhe të sulmeve sporadike nga ekstremistët dhe nacionalistët francezë.

* * *

Në fillim të viteve të ’60-ta arritën në shtetet e Evropës perëndimore emigrantët e parë myslimanë nga Afrika e veriut, si nga Maroku, Tunizia, Algjeria, pastaj edhe nga Turqia dhe vendet e Ballkanit perëndimor. Kjo përzierje e popujve, edhe pse ishin të gjithë me përkatësi islame, nuk kishin një mentalitet dhe kishin divergjenca kulturore e fetare. Islami si fe dallohet jo vetëm për nga fraksionet, mejtepet dhe shiizmat, por kemi edhe islam tradicional, islam afrikan, të Magrebit dhe islam berber. Islami tradicional është përqendruar në një pjesë të Azisë qendrore, në disa shtete ballkanike dhe tek shqiptarët.

Islami si fe monoteiste, si doktrinë, nuk ndryshon, por praktikimi dhe implementimi i tij dallohet, ka divergjenca mes konfesioneve, fraksioneve, shiizmave dhe shteteve islamike. Psh., në shtetet më demokratike e më të zhvilluara islamike, si Malajzia e Turqia, islami është më liberal.

ISLAMI SI DOKTRINË E MISTICIZMIT

Bashkimi Evropian ka afër 5 për qind popullatë myslimane, që punon atje dhe një numër të konsiderueshëm ka edhe nënshtetësi. Që nga vitet e ’60-ta dhe deri në invadimin e emigrantëve, viteve të fundit, të cilët ikën nga luftërat, papunësia dhe varfëria, gjetën destinacionin e tyre në shtetet e BE-së. Duke u përballur me përplasje të kulturave dhe civilizimeve, në shënjestër kanë qenë pikërisht këta emigrantë që erdhën në BE nga Lindja e Mesme dhe vendet e tjera islame.

BE duke parë përplasjen dhe radikalizmin e një pjese të emigrantëve myslimanë që shkelën në tokat e saj, shumë shpejt vërejtën radikalizmin dhe ekstremizmin e tyre, që rrezikonte vlerat tradicionale dhe demokratike. BE-ja ka dalë me një platformë, një konsensus apo alternativë, të cilën e quajti Islami “evropian”. Nga shumë intelektualë, teologë dhe imamë të moderuar të gjeneratës së dytë dhe të tretë të integruar, islamin alternativ evropian e shohin si vlerë dhe si integrim i myslimanëve në BE. Në shtetet perëndimore, të gjitha religjionet, sipas kushtetutës, garantojnë të drejta të barabarta.  Nëpër shkolla, si lëndë, mësim-besimi është bërë kriter. Në katedrat islame dhe institutet, teologët dhe imamët bëjnë trajnime dhe kurse të ndryshme. Sipas planprogramit, Islami evropian do të jetë një islam tolerant, paqësor, jashtë politike dhe ideologjie, më së shumti do të praktikohet si doktrinë misticizmi, konform haditheve të profetit Muhamed.

Pjesa tradicionale dhe konservatore e myslimanëve në Perëndim, Islamin evropian e shohin me skepticizëm. Evropa, duke tentuar të krijojë identitetin islam evropian, si kontradiktë bën minimizimin, reduktimin e vlerave etike islame, duke e sekularizuar dhe vesternizuar komunitetin mysliman në Evropë.

* * *

Disa studiues dhe ekspertë të islamit, identitetin islam evropian e shohin si multikulturor e multifetar. Myslimanët e Evropës, ata të gjeneratave të reja, të integruara në shoqërinë perëndimore, duke ruajtur trashëgiminë dhe identitetin fetar islam, në të ardhmen implementimi dhe praktikimi do të bëhet në baza të islamit tradicional evropian. Islami si religjion do të ruajë autenticitetin, identitetin islam, por do të krijojë edhe divergjenca në praktikim dhe implementim, siç është islami në Lindjen e Mesme, Ballkan dhe shtetet e botës islame, ku islami është plural, i lirë dhe praktikohet sipas traditave të popujve të botës islame. Sipas tyre, islami evropian do të jetë vlerë humanizmi, harmonie dhe tolerance me komunitetin e të krishterë dhe sekular në Evropën perëndimore.