-Rreth 100 role në skenë dhe rreth 20 shfaqje të suksesshme të realizuara me grupe amatore teatrore, është një bilans admirues artistik i Mejdi Alidemit, ish-aktor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, i cili nuk di të ndalet as kur gëzon vitet e pensionit

Intervistoi: Daut Dauti

Mejdi Alidemi është një emër shumë i njohur i skenës teatrore shqiptare në Maqedoni, i cili pas vete ka dhjetëra role në skenën e Teatrit Shqiptar(Dikur të Dramës Shqipe në Teatrin e Kombësive). Njeri i dashuruar me skenën, si duke luajtur rolet e veta, ashtu dhe duke bërë regjinë e më shumë se 15 shfaqjeve me trupat amatore të shoqërive kulturore artistike të Shkupit.

Një aktor që s’i shqitet skenës, as kur gëzon ditët e bukura të pensionit, duke mos pranuar se ka zbritur nga skena. “Unë jam vazhdimisht në skenë!”, thotë ai në këtë intervistë me shkas.

Po, pikërisht me shkas, sepse këto ditë ai ka filluar aventurën e radhës me grupin dramatik “Bekim Fehmiu”, me të cilët ka realizuar pothuajse rregullisht shtatë vitet e fundit, për të vënë në skenë kësaj radhe dramën “Koka e gjarprit” të Sabri Zirap Dautit, në 25 vjetorin e vdekjes së tij. Për Mejdiun nuk është drama e para që vë në skenë, por për autorin po, që është një sprovë se si duket në skenë një tekst i tij, për të cilin na merr mendja se teatrot tona do të duhej të shfaqnin më shumë interes.

Mejdi Alidemi është i lindur në Pozharan të Vitisë së Kosovës, por e ndjen veten shkupjan si shumë të tjerë, pasi pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Shkup, ku dhe ka filluar karrierën artistike diku kah vitet 1970-’71, me shfaqjen “Ilirët” në regji të Qemal Lilës, duke luajtur rolin e Jadarit.

Prej atëherë, kanë pasuar më shumë se pesë dekada, ose më saktë, një  jetë e tërë, në skenë dhe për skenën.

Z.Alidemi, ka një thënie për disa profile të tjerë që thotë “një herë kështu, përherë ashtu”, ose “përkthyer” në rastin tuaj, “një herë aktor, gjithë jetën aktor”. Ju qe sa vjet keni “zbritur” nga skena, por vazhdoni të jeni aktiv si regjisor, duke ua përçuar përvojën tuaj entuziastëve amatorë? Duket se kjo ju përmbush shumë dhe ua mban gjallë mallin dhe lidhjen me skenën teatrore?

– Unë sa di për veten, asnjëherë nuk kam zbritur nga skena. Nuk më kujtohet, vërtet,  sepse kam vazhduar jetën në skene sot e kësaj dite. Edhe gjate aktrimit të rregullt ne teatrin amë, unë jam marrë edhe me regji, si regjisor me grupet dramatike amatore. Nuk mbaj në mend sa vite janë bërë, sikur e kam humbur sensin e kohës, por duket si një jetë e tërë. Dashuria ime e madhe ka qenë dhe mbetet skena teatrore, sidomos me grupet amatore ose si t’ ju them gjysmë profesionale, sepse unë i qasem këtij angazhimi me gjithë qenien dhe dijen time në mënyrë profesionale. Edhe vlerësimet e spektatorëve janë të tilla, kur i shikojnë shfaqjet tona “amatore”, ata thonë, ore mos janë aktorë profesionalë. Kjo, ngase vërtet mundohem t’ua përcjell atyre gjithë përvojën time profesionale.

Këto ditë nisët përgatitjet e një teksti të ri, atë të autorit të ndjerë, Sabri Dautit, “Koka e gjarprit”. Na thoni pak çka u tërhoqi te ky tekst, çfarë mund t’u ofrojë artdashësve?

– Po! Tani me prekët në zemër, po të falënderoj ty i nderuar, që më dhuruat dy drama e të ndjerit Sabri Zirap Dauti, ish-aktori im, me titull “Santori” dhe “Koka e gjarperit”. Pasi lexova dramën e dytë, “Koka e gjarperit”, më thoshte zemra këtë dramë duhet ta dramatizosh për skenë. Dhe e dramatizova dhe adaptova nga këndvështrimi im. Autori i dramës, Sabri Dauti, ishte adhurues i flaktë i artit skenik, ashtu e mbaj mend kur kishte luajtur në shfaqet e mia në vitet 70-të. Me këtë tekst dramatik ky autor do të shfaqet në dritën më të bukur, sepse do ta inskenoj në mënyrën më mirë të mundur, që të komunikojë me publikun përmes lojës së bukur të aktorëve të rinj dhe të disa aktorëve që dikur kanë luajtur bashkë me autorin e kësaj drame! Realizimin e shfaqjes do ta bëjmë me Grupin Dramatik “Bekim Fehmiu” – Shkup, pranë Shtepisë së Kulturës “K.Racin”, ku gjetëm përkrahje nga drejtori Safet Kamberi, i cila qe ka kontribuar shume për këtë. Nuk mund pa përmendur edhe entuziastin e dekadave aktivitete kulturore dhe kësaj radhe me mua bashkëthemelues i kësaj trupe teatrore, Sadri Jakupin, i cili duket se nuk përton për asgjë.

Me pyetët çka më tërhoqi te ky tekst. Se pari, është një rrëfim interesant që bazohet në një legjendë, atë të gjarprit të shtëpisë, që është i pranishëm te tradita gojore e popullit tonë. Në këtë dramë bëhet fjalë për një vëlla me tri motrat e tij, që çdo ditë i thonë vëllait që të martohet, kuptohet qe t’ua hapë edhe motrave rrugën e martesës. Ngjarja zhvillohet në kohën e kaluar të miteve e legjendave, në kohën e çifligjeve. Autori ka ditur mirë të thurë një rrëfim familjar me legjendën e përmendur. Por, për të mos ua zbuluar lexuesve gjithë ngjarjen, më së miri të pritet premiera që e kemi paraparë për muajin qershor.

-Ju nuk jeni prej sot në këtë fushë. Ju mbajmë mend që nga vitet 70-të duke punuar me amatorë, bile duke fituar edhe çmime nga festivalet e kohës. A mund të na thoni saktësisht sa shfaqje keni realizuar deri tash? Çka paraqesin ato për ju kur t’i bëni një rezime prej kësaj distance kohore?

– Ashtu është, që nga viti 70 -71 ia kam filluar karrierës sime artistike në Teatrin e dikurshëm të Kombësive, siç quhej, kurse me grupet amatore kam filluar të punoj diku nga viti 1977-78. Nuk më kujtohen saktë, por duhet të jenë rreth 18-20 shfaqje amatore, me disa prej të cilave kemi fituar edhe çmime në garat e qytetit ose festivalet republikane.  Për mua vërtet kanë një domethënie të madhe. Më kujtohet se shfaqja e parë ka qenë “Hakmarrja” me SHKA “Emin Duraku”-Shkup e pastaj kam punuar edhe me grupet dramatike të shoqërisë tjetër të Shkupit, “Ibe Palikuqi”, por dhe të Forumi Rinor nga Haraçina, me gjimnazistët e “Zef Lush Markut”. Me të gjithë kam pasur përvoja dhe arritje të mira. Kurse tani është viti i 7-të që punoj me Grupin Dramatik “Bekim Fehmiu” të  Shkupit dhe ndihem i lumtur që ka të rinj të motivuar për artin skenik.

-Kush i ka parë shfaqjet tuaja me trupat amatore, shpesh mund të shtrojë pyetjen si është e mundur që në to dalin shumë perla aktrimi? Si e arrini këtë, cila është fshehtësia që ju bëni që këta entuziastë të rinj t’i fusni në lëkurën e roleve dhe ato të dalin bukur të realizuara? Nëse bile kujtojmë fillimet, ndoshta pikërisht keni qenë ju shkas që disa të rinj të talentuar të kalojnë në aktorë profesionistë…

-Jam i gëzuar që shfaqjet tona tërheqin shumë publik dhe që pëlqehen. Sepse, vërtet po dalin në skenë shume aktorë margaritarë me rolet e tyre te mrekullueshme. Fshehtësia qëndron te provat paraprake para daljes në skenë, kur përpiqem t’i fus në lëkurën e karaktereve që luajnë. Unë punoj sipas mënyrës time motivuese: urtë, butë, me një komunikim të bukur, duke i inkurajuar që ta ndjejnë veten përnjëmend aktorë. Vetëm kështu mund të punohet me aktorë te rinj, pa shumë nervozë, me shumë takt, sepse, askush nuk ka lindur aktor. Ka regjisorë që i dekurajojnë amatorët duke u thënë ti nuk vlen, shko në shtëpi, se nuk bëhesh aktor! Kështu i kanë thënë edhe aktorit evropian me famë botërore, Aleksandër Moisiut në Teatrin e Berlinit. Aktor i mrekullueshëm me prejardhje shqiptare nga Kavaja e Shqipërisë. “Ti çdo gjë mund të bëhesh, por aktor kurrë”, ia kanë thënë në sy disa kolegë. Por, Aleksandër Moisiu pastaj bëhet një nga aktorët më në zë të teatrin në Evropë.

Ju përmendët çmimet, dhe ato vërtet kanë ardhur, si për mua si regjisor si për aktorët. Por ka dhe diçka tjetër përtej çmimeve, e kjo është që duke punuar me entuziastë të rinj, shumë prej tyre ua kemi rritur ambiciet për t’u marrë me aktrim dhe tre prej tyre u bënë aktorë profesionistë në Dramën Shqipe të Teatrit të atëhershëm të Kombësive, kuptohet, pasi kryen fakultetin për aktrim. Në anën tjetër, vlen të përmendet fakti se edhe aktorë të tjerë, nuk kanë qenë kalimtarë të rastit, sepse, ata kanë fituar një edukim shpirtëror dhe kanë vazhduar me karrierat e tyre profesionale si profesorë, mjekë, inxhinierë, biznesmenë etj. për çka ngapak edhe mua më bën të ndihem krenar.

-Të  kthehemi te aktrimi, si u dashuruat në këtë profesion? Sa role keni realizuar deri tash, a keni ndonjë më përqejf që ju identifikon në ndonjë mënyrë?

– Si u dashurova në këtë profesion? Shkas ka qenë “Vardar filmi” ku në një film si gjimnazist mora pjesë me një rol episodik. Filmi me motive nga LNÇ, dhe në këtë film u njoftova me disa aktorë shqiptarë të Dramës Shqipe të Shkupit. Ata më ftuan në teatër që të merrja pjesë në një konkurs për dy aktorë dhe pasi hyra në audicion, u pranova. Deri tash kam realizuar mbi 90 role, me peshë të ndryshme, që nga ato episodike, të mesme, e gjer te ato qëndrore. Rol më përqejf qe mund te identifikohem, është te një shfaqje për fëmijë. Fëmijët ta kënaqin shpirtin me duartrokitjet e tyre te sinqerta, dhe në atë rol vërtete kam ndjerë vetën të përmbushur shpirtërisht nga duartrokitjet tejet vlerësuese.

Thamë se ju nuk pushoni edhe pas pensionimit, punoni  vazhdimisht, por nuk jeni aktiv vetëm në fushën e amatorizmit teatror, keni pasur edhe angazhime të tjera, spote, reklama…Si duket gjeni kohë për gjithçka?

– Fakt është se unë nuk pushoj, përkundrazi, pensioni nuk me pengon, por më ndihmon që jam i lire dhe gjej kohe sa të duash me amatorët. Po merrem edhe me reklama, spote, klipe muzikore, përralla, film dhe angazhime të tjera. Për gjithë këtë ka një kusht, nëse e do profesionin tënd arrihet çdo gjë, po s’e deshe, është gjithçka e kotë. E unë vërtet e dua këtë profesion, ka qenë një preokupim jetësor. Jeta vetë.

-Na tregoni ndonjë anekdotë nga skena, doemos do të ketë pasur diçka interesante që mund të na veçoni?

-Ka pasur, gjithsesi, shumë situata të tilla, profesioni ynë zaten është i përshkuar nga shumë ndodhi të papritura. Një rast i tillë më ndodhi në një shfaqje ku aktroja një rol të mirë në sallën përplot publik, kur mua në një moment m’u “ndal” truri, u bllokova dhe nga trema harrova tekstin! Çka të bëj, çka të bëj për të dalë prej situatës, dhe m’u desh të nisesha drejt pëshpëritëses, u përkula pak dhe i them “më trego çka dua të them!”.  Ajo më tregoi me zë të ulët…dhe u nxora nga situata. Gjëra që i ndodhin secilit aktor. Me rëndësi është që kur të gjendesh në këso situate, publiku të mos e vërejë. Në një rast tjetër, më ndodhi duke aktruar me vajzën time si kolege, Aidën. Duke e thënë tekstin, gjuha m’u ngatërrua në një dhëmb që më lëvizte, dhe gati sa s’më ra në skenë dhe unë fillova të belbëzoj kurse vajza ime filloi të qeshet, e pastaj fillova dhe unë të qeshë! Në këtë rast më shpëtoi publiku, pasi gjithë filluan të qeshin dhe skena përfundoi gjithë me të qeshur!