Nga Ismail ARSLLANI

Në katër anët e fushës së Kasabasë, tek një luginë pjellore e rrethuar me vargmale, në lindje dhe perëndim, atë verë bëhej korrja me drapër e kallinjve të pjekur ngjyrë ari, që miletit i siguronin bukën e motmotit. Në disa pjesë periferike vëreheshin punët e shirjes së grurit, me kuaj që bënin qark marramendës rreth një strumbullari, ku ishin derdhur mullarë të vegjël kallinjsh prej gruri, që shtypej nën britmën e vazhdueshme të çifçinjve të mbuluar në djersë, që shtynin kuajt të vraponin si të harbuar ag e terr nga frika e kamxhikut të ngritur kërcënues, për të nxjerrë sa më shumë kokrra gruri në fund të ditës. Prej sa ditësh, që kur Selman samarxhiu i kishte thënë se tash është koha e korrje-shirjeve, Baba Dijetari kishte piketuar edhe këtë ceremoni të mbledhjes së bereqetit të verës ta shënonte në defterin e tij me makllapë të fortë, që do të përfundonte në raportin e destinuar për Sulltan Abdylhamidin II, i cili tashmë njëzet vjet ishte postuar në fronin perandorak të Jilldiz Sarajeve në Stamboll.

Para se ta bënte këtë mbikëqyrje mbi punën e çifçinjve të Kasabasë, Baba Dijetari kishte hedhur një shikim në pasqyrën e dhomës së fjetjes dhe aty për aty kishte vendosur ta ndërrojë imazhin e vet, paksa nga përcëllimi që katandisej nga dielli saç i verës, edhe më shumë nga shtimi i shikimeve të vashave lozonjare të kësaj kasabaje që fshiheshin prapa perdeve të xhamave, kur ai dilte në rrugë për punët e veta. Ditët e fundit s’dilnin nga rradakja e tij edhe ato fjalë me bishta të Hafëz aga Hajrizit, pronarit të Bujtinës, për bijën e vet që ishte lënë nga burri pa u prekur fare, edhe në natën e gjerdekut.

Zuri edhe një herë pozitë para pasqyrës dhe filloi të flasë vetë më vete: “Së pari duhet ta heq këtë çallmë të bardhë nga koka dhe ta zëvendësoj me fesin e kuq që josh syrin e hanëmeve të Kasabasë, me disa xhufka gërshetash të holla që lëshohen anash nga maja e fesit, si ato luhatjet djathtas-majtas të sahatit allaturka. Pastaj do ta blej një kapotë të shkurtër deri te gjunjët, me një frak rrobash si ata efendi të Parisit, këpucë të holla e të zeza katran, të lustruara me kadife, ku mund të ravijëzohen edhe figurat pranw…pastaj…pastaj, mos më del nga mendja; të porosis tek ai shitësi me mustaqe të holla një armë sekrete në formë bastuni, me sustë e një fishek të fshehur për vetëmbrojtje, të cilën do ta rrotulloj në dorë sa herë të jetë nevoja. Mbi të gjitha, do t’i shkurtoj këto mustaqe të gjata vesh më vesh dhe këtë mjekër cjapi që ia kam ngjitur kaherë fytyrës sime që më bën për dhjetë vjet më në moshë…”, u step për disa çaste, pasi i kaluan këto mendime si rrufe në rradaken e Baba Dijetarit, dhe sakaq doli nga bujtina.

Rruga deri te usta Ahmeti, një berber i njohur në atë Kasaba, me rrojtoren e tij në pjesën qendrore të qytezës, ishte jo më larg se pesëqind hapa. Usta Ahmeti nuk ishte vetëm berber për të qeth flokë dhe rrojtur mjekra, por ishte mjeshtër edhe për syneti të fëmijëve, edhe për heqje të dhëmbëve të krimbur me dara speciale “kargaburuni”, edhe mjek popullor për shërimin e plagëve me melhemet e tij që mbanin etiketën e sekretit. Baba Dijetari kishte dëgjuar shumë fjalë të mira nga Selman samarxhiu për këtë usta prej berberi, se ishte një njeri enciklopedi në vete, jo vetëm që dinte shumë gjëra për të kaluarën e Kasabasë, por edhe për të tashmen e saj; se kush çka ishte dhe çka kishte bërë në atë Kasaba, kush prej kujt fshihte sekrete që i vinin në vesh të tij, kush kujt ia bënte gropën dhe futej vetë me gjithë këmbë, kush me kënd kishin pasur sherr, kush me kënd ishte i dashuruar, kush ishte tradhtar e kush atdhetar, kush me sulltanin e kush me kishën…dhe ky varg nuk kishte të sosur.

Baba Dijetari derisa priste t’i hiqej mjekra, dëgjoi shumë havadise prej këtij berberi, në rrojtoren e të cilit për çdo ditë qarkullonin lloj-lloj haberesh nga ndodhitë e Kasabasë, por edhe për misionarin e Sulltanit kishte dëgjuar shumë fjalë, që nga dita që kishte shkelur në atë vend. Kur ia bëri fytyrën me livanda dhe pa veten në pasqyrë dhjetë vjet më të ri, atëherë usta Ahmeti i dha edhe një këshillë: “Dëgjo biri im, s’do ta kesh lehtë në këtë kasaba, prej këtu kanë ikur edhe çifutët kur kanë parë se me çfarë mileti kanë punë. Kujdes të kesh nga agallarë, bejlerë dhe pashallarë, s’ka pasqyrë në botë që mund të tregojë fytyrën e tyre të vërtetë. Ti je njeri i sulltanit dhe nga dora jote varet fati i këtij mileti…!”, i shqiptoi këto fjalë pa kurrfarë hezitimi dhe me aq lehtësi, sa që truri i Baba Dijetarit pësoi një shok të vërtetë, pasi iu fashitën edhe përshtypjet e deriatëhershme për atë kasaba, vetëm me dy-tri fjalë të një berberi.

Vehbi Pasha i Kasabasë, i cili me gjysh e stërgjysh vinte nga një familje pashallarësh, nuk ishte i preferuari i Sulltanit, andaj ai në letrën rekomanduese kishte tërhequr vërejtjen e Baba Dijetarit që të bashkëpunojë vetëm me Kadiun e Kasabasë, si me njeriun e besueshëm dhe assesi me administratën e pashait që ishte treguar i padëgjueshëm në punët perandorake.

Vetëm pas heqjes së mjekrës te berberi, kishte mësuar se Pashai i Kasabasë kishte lëshuar si zagarë, me nuhatje të fuqishme, dy hafije për ta ndjekur hap pas hapi Baba Dijetarin; se me kënd po kontakton e bisedon, ku e ka qarkullimin e ditës, ku ha e pi, ku qëndron, si sillet me njerëz, çfarë veprimtarie po bën, për çfarë qëllimi ka ardhur e të ngjashme, për të raportuar drejtpërdrejt te pashai në mënyrë sa më të fshehur. Hafijet i kishte pasur shumë të vyeshëm dhe mjeshtër të zanatit, sa që deri në atë ditë Baba Dijetari fare nuk kishte dyshuar në asnjë çast se dikush po e ndjekë, andaj dhe ishte sjellë paksa më lirshëm.

“Ndoshta ky imazh imi që ma ndërroi këllëfin e trupit; me mjekër të rregulluar dhe mustaqe më të shkurtër, me fes të kuq, kapotë të shkurtër dhe rroba si efendi, këpucë të zeza dhe bastun në dorë, do të bëjë që nga sot të jem një njeri tjetër; shumë më i kujdesshëm, më syçelë, vigjilentë, më misterioz, më në distancë me njerëz, me më pak fjalë, që mbase do më jenë pengesë në synimin tim të përshkrimit të drejtë të dokeve e zakoneve të kësaj kasabaje, por, në anë tjetër do mund t’i fsheh gjurmët e deritashme, duke zgjedhur njerëz të tjerë të kontaktit, ngase këto habere që m’i ka dhënë deri tash Selman samarxhiu, sado që ishin të vlefshme, duhet hedhur dhe duhet bërë disa korrigjime në shënimet e mëparshme që po dalin si punë djalli në këtë kasaba, me njerëz që s’mund t’i kuptosh plotësisht. Sado m’u dukën esnafë e bujarë, sa më shumë që po kalojnë ditët po shoh se duhet t’i shtojë grafët e sjelljes së tyre…”, mendoi thellë dhe lëshoi një psherëtimë të zëshme aq sa shikoi përreth nëse ishte dikush për ta parë.