Nga Fisnik Minci

Fotografitë e shpendëve shtegtarë, të premten, janë ekspozuar në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren, me thirrjet që këto vlera natyrore të ruhen kudo në trevat shqiptare. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë nga organizata “Wildlife – Albanian Photographers”. Me këtë rast është thënë se vizitorët e ekspozitës do të kenë mundësi që të njihen nga afër me ekologjinë e shpendëve migrues përmes fotografive të shkrepura nga fotografë të ndryshëm.

Besnik Jakupi, njëri ndër themeluesit e “Wildlife – Albanian Photographers” në hapje të ekspozitës ka bërë të ditur se në këtë aktivitet prezantohen rreth 30 fotografi të shpendëve shtegtarë, të realizuara nga fotografë të jetës së egër nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërsa, përfaqësuesi tjetër i kësaj organizate, Arian Mavriqi, ka theksuar se ekspozita në fjalë nuk është as e para, por as e fundit.

“Organizata jonë ‘Wildlife – Albanian Photographers’ e themeluar nga fotografë nga Kosova e Shqipëria do të ketë synim gjithmonë promovimin e vlerave tona natyrore kombëtare, në këtë rast të specieve që po i shihni këtu, ku shumica rrezikojnë të zhduken. Misioni i kësaj organizate është që gjithmonë t’i mbrojmë këto vlera, duke i promovuar në këto forma dhe të cilat nuk i keni të prezantuara në këtë cilësi. Për ne ka rëndësi edhe cilësia e fotografisë, që më herët nuk ka qenë e llojit të tillë”, ka deklaruar Mavriqi. Sipas tij, fotografët e jetës së egër përballen me sfida të ndryshme, por megjithatë nuk ndalen. Ai ka bërë thirrje që edhe institucionet të ofrojnë përkrahje në këtë drejtim./koha.net/