Nga: Bardhosh Gaçe

Polifonia labe i ka ardhur kulturës popullore shqiptare nga kohë e hershme dhe i ka shoqëruar atë me një besnikëri të rrallë, aq sa mund të thuhet se historia shqiptare nuk do të mund të qëndronte pa të. Lidhjet e forta të saj kanë mbetur të tilla për arsyen e frymëmarrjes së gjerë dhe jetike që polifonia ka pasur që në krye të herës dhe vazhdon të ketë me jetën e njerëzve dhe fatet e tyre. Duke pasur këtë pasuri të çmuar, këtë arkiv, njerëzit kanë përcjellë në shekuj një thesar, një kujtesë brilante në të cilën kanë mundur të ruajnë kohët, shpirtin, ndjenjat, dashurinë, motivet, ngjarjet e shënuara jetësore, jetën, vdekjet, mallin, dramat, kolektivitetin, malin dhe fushën, kullotën dhe motivet baritore, dasmat, bukurinë e djemve dhe vajzave, kurbetçinjtë dhe mërgimtarët, pra të gjithë burimin jetësor dhe vet jetën të cilat kanë gjetur një pasqyrim të vazhdueshëm tek polifonia labe. Ajo ka qenë si një gjymtyrë e rëndësishme jetike për njerëzit dhe shpirtin e tyre.

Duke pasur një shtrirje të gjerë ballkanike dhe përtej ballkanike, polifonia labe ka qenë dhe ka mbetur një produkt shpirtëror historik i veçantë, me karakteristika të veçanta dhe origjinale, të cilat nuk i ka asnjë lloje polifonie tjetër në Ballkan dhe më gjerësisht. Në këtë rrjedhë të kohërave dhe të zhvillimit të brendshëm që polifonia ka pasur që nga kohët e hershme dhe më vonë, ashtu siç ka ndodhur për kulturën popullore shqiptare në përgjithësi, polifonia ka pasur të rëndësishme dhe të domosdoshme studimin për të. Duke kërkuar këtë kontribut nga njerëz të aftë dhe studiues të zellshëm dhe korrekt, ajo ka fituar një vend të rëndësishëm në këtë fond të artë kombëtar, si kulturë, si trashëgimi dhe si vlerë, e cila është kurorëzuar, duke u çmuar si pasuri botërore në kujdesin e UNESKO-s. Në dekorin e pasurisë botërore polifonia labe ka vendin e saj të nderit, ka shpirtin e saj të mbijetesës dhe kujdesin ndërkombëtar të vlerave të çuara, të cilat janë një krenari dhe një zë ndërkombëtarë për popullin e vogël të Ballkanit, i cili trashëgon vlerat e tij nga thellësitë e shekujve.

Njëri nga studiuesit, njohësit dhe shkencëtarët e rëndësishëm, madje më i rëndësishmi i polifonisë labe është Spiro Shetuni, i cili krahas punës së shumtë shkencore që ai ka bërë për kulturën kombëtare popullore shqiptare, në kuadër të studimeve të institucioneve shkencore të kësaj kulture, një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar studimit kompleks dhe shkencor, mbi bazat shkencore të muzikës popullore të polifonisë labe.

I aftë dhe i kujdesshëm, reflektar dhe i maturuar, gjurmues i hollë dhe eksplorues, konkret dhe interpretues teoriko-praktik i polifonisë, ai ka arritur të sjellë për kulturën popullore shqiptare dhe trashëgiminë që mbart në vetvete polifonia një nga librat më të rëndësishëm të kësaj kulture dhe tradite, e cila vazhdon të jetë jetike në truallin ku ajo është lindur dhe po qëndron me shekuj.

Libri “Polifonia labe” është shkruar për një kohë të gjatë në kërkimet dhe interpretimet e Shetunit. Pas shumë botimesh periodike të autorit për polifoninë, libri është botuar në vitin 1989 dhe është pjesë e serisë së botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke e çmuar atë si një libër të rëndësisë së veçantë.

Libri “Polifonia labe” është botimi më serioz dhe më i rëndësishëm i polifonisë, në një vështrim të rreptë shkencorë vertikal dhe horizontal, i cili nën një platformë prej katër kapitujsh e pajis lexuesin me dijet e nevojshme dhe dijet shkencore për këtë krijimtari popullore dhe ekzekutimin e saj. Nën këndvështrimin e Shetunit, kjo krijimtari e hershme popullore dhe aktive, raportohet të ketë pasur dhe të ketë dhe në ditët e sotme larminë e saj në shtrirjen kohore dhe gjeografike të, por dhe në tiparet, madje dhe në nuancime të mrekullueshme nga treva në trevë dhe nga vatra në vatër. Ajo ka një shtrirje të gjerë, dhe për shkakun e praktikës së saj përditësore ka krijuar vatra të caktuara, me tipare që nuancojnë nga vatra në vatër, por duke ruajtur atë boshtin e rëndësishëm të burimit të përbashkët. Duke qenë një krijimtari me rregulla të qarta dhe të qëndrueshme në kohë, polifonia labe ka arritur të ruajë tiparet e përbashkëta në të gjithë domenin historik dhe bashkëkohor shqiptar.

Duke qenë një nga monografitë më të kompletuara të polifonisë, studiuesi dhe kulturologu Spiro Shetuni personaliteti shkencor më i rëndësishëm i kësaj polifonie bashkë me kulturologun dhe studiuesin e njohur B. Krutaj, studimin dhe njohjen e polifonisë e ngritën në një nivel bashkëkohor, muzikologjik dhe shkencor. Nëse “jaret” e famshme shkodrane përbëjnë një interpretim gati modern të muzikës, polifonia labe përbën një ekzekutim perfekt të muzikalitetit të zërave të këngëtarëve sipas rregullit dhe rendit polifonik, të shndërruar në një pantonimë muzikore të përpiktë dhe të interpretuar shkencërisht. Në hyrjen e punimit Shetuni shënon:”Monografia është fryti i një pune të gjatë. Asaj i paraprinë një sërë detyrash: kërkimet e drejtpërdrejta shumë vjeçare në terren, njohja nga afër e krahinës së Labërisë, jo thjesht në rrafshin etnomuzikologjik, por edhe sociologjik, historik, etnografik, folklorik; studimi i arritjeve të etnomuzikologjisë, folkloristikës shqiptare rreth vlerave shpirtërore e materiale të kësaj krahine; shqyrtimi kritik i literaturës shkencore etnomuzikologjike që është marrë me çështjet të polifonisë ose probleme të muzikës popullore në përgjithësi etj…”

Duke pasur një vetëdije të tillë kulturore, shkencore dhe sociale, studiuesi Spiro Shetuni i ka dhënë kulturës shqiptare dhe asaj labe një vepër autentike, pasi deri në këtë kohë, siç tregon dhe vetë studiuesi, kultura muzikore e polifonisë labe nuk i ishte nënshtruar një studimi tërësor. Në këtë pikëpamje, studiuesi kërkon të arrijë një objektiv të rëndësishëm; atë të një përgjithësimi teorik të një pjese të muzikës popullore shqiptare, siç është polifonia labe, të cilën ai e ka veçuar nga pjesa tjetër e muzikës shqiptare polifonike; krijimi i një baze të qëndrueshme dhe referuese të kësaj pasurie për të mundur për studime krahasuese me polifonitë e tjera të popujve fqinjë a më gjerë dhe të krijohet një premisë një fondament i nevojshëm për studime të mëtejshme mbi polifoninë labe, e cila nuk mund të studiohet me një studim të kësaj natyre. Me studimin shumë rrafshorë dhe shumë dimensional, Shetuni iu kundërvihet koncepteve të pavërteta për këtë pasuri të rëndësishme të kulturës sonë muzikore si “strukturë e pazhvilluar”, “se është krejtësisht recitative”, “është e njëtrajtshme nga pikëpamja muzikale”, “nuk shkakton emocione estetike” etj. Studiuesi tregon se kënga polifonike labe ndryshon muzikalisht sipas zonave etnografike të caktuara siç mund të përmënden Kurveleshi, Lopësi, Lunxheria, Zagoria, Gjirokastra, Smokthina, Himara, Dukati, Piluri, Bënça, Kanina etj, zona të cilat kanë zhvillimin e tyre të këngës polifonike labe.

Në punimin monografik të Shetunit merr rëndësi të veçantë mbulesa prej autorit, se ç’vend zë polifonia labe në muzikën popullore shqiptare, me ç’rast libri është një kontribut madhorë në kuadrin e përgjithshëm të muzikës popullore shqiptare, si një pasuri e gjithë popullit dhe historisë së muzikës popullore shqiptare. Në këto rrethana dhe specifikë që libri ka në vetvete, rëndësi të natyrshme ka dëshmia dhe sjella në vëmendje të lexuesit e nocionit etnografik të emrit dhe etnitetit “Labëri”, që nënkupton gjerësisht të dhënat për folklorin letrar, muzikor, koreografik, kohët historike, zanafillën e polifonisë labe, tiparet themelore të kësaj polifonie etj.

Studimet shkencore dhe akademike të studiuesve të huaj dhe ata shqiptarë dëshmojnë se Labëria dhe lebërit janë autoktonë të hershëm, me rite, zakone, traditë dhe kulturë. “Labëria! Male të larta të ashpra, e shkëmbore. Në zemër të tyre ngrihen shtëpitë e gurta të lebërve. Këtu banojnë malësorë krenarë e të fortë sa vetë malet, të cilët për shekuj me radhë, u kanë qëndruar dhe bërë ballë pushtuesve romakë, bizantinë, sllavë, osmanë etj. Populli i Labërisë është sa trim, aq dhe poet.” Studiues të tillë si: Rr. Zojsi, R.Sokoli F. Haxhiu, M. Tirta, S. Shkurti, E. Riza, J. G. Hahn, M. Urban, kronisti turk Ali (1541-1600) etj, përbëjnë një referencë shkencore dhe historike për të dëshmuar lashtësinë, etninë dhe fondamentin lab në të cilin lindi dhe u kultivua dhe muzika polifonike labe. Ndërsa me “Emrat ‘Labëri’ dhe ‘labë’, siç shënon studiuesi Shetuni,- parakuptojmë vendin dhe banorët e njërit prej grupeve etniko- historike të Shqipërisë së Jugut, që mori pjesë në formimin e grupit të madh e të përbashkët etnik të quajtur ‘Toskëri’.”, shënon në përmbushjen e gjeografisë etnologjike dhe etno-sociale studiuesi i njohur.

Polifonia labe shtrihet në një hapësirë të konsiderueshme dhe gjeografike territoriale ku ajo ka vepruar dhe vepron ende. Ky perimetër i gjerë në librin “Polifonia labe”, përbën një numër të

konsiderueshëm të zonave etnologjike në të cilat polifonia labe përbën bazamentin e jetës dhe kohezionit të saj historik dhe aktual. Zonat si :Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti dhe Dukati, por dhe një numër tjetër kur rrezonon krahina e Labërisë si : Zagoria, Lunxheria, Malëshova, Rrëza e Tepelenës, Dragoti, Krahësi, Izvori, Buzi, Mallakastra etj, përbëjnë një territor të gjerë, jo vetëm gjeografik, por dhe të një pasurie jashtëzakonisht të madhe, të cilën e qerthullon kënga polifonike labe. Ndërsa Labëria iu përket kryesisht trashëgimisë së fiseve të njohura të lashta ilire kaonët, molosët dhe amantët, trashëgimia kulturor e tyre është relativisht e lashtë dhe e pasur.

Treva e Labërisë është kryesisht një trevë blegtorale, që gjen pasqyrim të gjerësishëm në kulturë dhe në folklor, ndërsa folklori koreografik është i kufizuar. Shquan folklori letrar ku shfaqen tema të tilla si ajo sociale dhe familjare, ndërsa lirika e dasmës, lirika vajtuese dhe lirika e përvajshme zotërojnë më së shumti arealin e këngës polifonike labe. Në këtë areal të gjerë gjeografik dhe të zonave etnologjike dhe të kulturës muzikore, studiuesi Shetuni shquan tri lloje të polifonisë, atë me dy zëra (dyzërshe), me tri zëra (trizërëshe) dhe polifoninë me katër zëra (katërzërëshe). Nga pikëpamja tematike apo motivore siç mund të quhet ndryshe, studiuesi evidenton çështjet ekonomike (tema blegtorale), çështjet shoqërore (kryesisht martesat, zakonet dhe solidariteti atdhetar), çështjet e mjedisit gjeografik (natyra dhe rrethanat gjeografike), dhe ajo që është më rëndësishme, mjedisi fshatar ku është krijuar dhe ka vitalizuar polifonia, në një mjedis të pastër shoqëror.

Në virgjiritetin dhe tiparet e qëndrueshme, që e veçojnë nga polifonia në përgjithësi polifoninë labe, Spiro Shetuni mendon se janë katër tipare themelore, si : karakteri recitativ, karakteri pentatonik, karakteri kontraktues dhe karakteri i thjeshtë zanor. Studiuesi arrin t’i interpretojë shkencërisht dhe në praktikën e këngës polifonike labe këto karakteristika, që përbëjnë dhe bazën e tipareve të saj, mundësinë për të realizuar krahasime më të gjithë polifonitë e tjera që janë praktikuar dhe mund të praktikohen dhe sot në zona të caktuara etnografike të vendit dhe të huaja. Mendojmë se mbart vlerë, të referojmë mendimin e qartë dhe të rëndësishëm të studiuesit, se si ai e shquan dhe ç’duhet kuptuar me karakterin recitativ të muzikës dhe këngës polifonike, posaçërisht ai shkruan:”Karakteri recitativ, deklarativ, ose folës, parakupton afrinë që ekziston mes intonacioneve të polifonisë labe dhe intonacioneve të të folurit njerëzor.”, me ç’rast studiuesi iu kundërvihet opinioneve lidhur me etiketime të caktuara ndaj kësaj pasurie të madhe të kulturës muzikore shqiptare. Për karakterin zanor, i cili është i lidhur fort me dinamikën që përcjell polifonia, Shetuni mendon se “Karakteri thjeshtë zanor parakupton natyrën e polifonisë labe për të mos u shoqëruar prej veglave muzikore, ose si të themi, për t’u vetëshoqëruar”.

Një çështje e nyjëtuar si e rëndësishme është dhe ajo e afrisë që ka polifonia labe me monofoninë, e cila përdoret në këngët e vajtimit, për të cilin Shetuni ka një këndvështrim të tijin, por gjithsesi të studiuar mirë nga pikëpamja burimore historike, por dhe pse pikërisht polifonia ka afri me monofoninë:”Vajtimi parakupton krijime folklorike ku, si teksti edhe muzika, ruajnë karakter të dhembshur e të përvajshëm.” Lidhur me monofoninë, e cila praktikohet kryesisht në melodikën vajtuese, Spiro Shetuni shquan dhe tiparet origjinale të kësaj teme në Labëri, të cilat janë:”përmbajtja ideoemocionale (liriko- dramatike), ndërtimi modotonal, ritmika muzikore e matur, forma me përmasa të një fraze muzikore me dy fjalë, interpretimi me nota të theksuara elegjiake dhe natyra intonative e përcaktuar”.

Kapitulli i dytë i librit “Polifonia labe” është një referim i brendshëm profesional, sa njohës, po kaq interpretues shkencor nga studiuesi. Mjetet shprehëse në polifoninë labe përbëjnë thelbin e studimit, të cilat kërkojnë një trajtesë tjetër dhe në një punim posaçërisht të tillë. Shetuni analizon hollësisht në një këndvështrim të thellë dhe në zhvillim mjetet shprehëse të polifonisë labe siç janë melodika, kontrapunkti, harmonia dhe metro- ritmika. Secili nga këto mjete ka vendin e vet, që nga melodika, “që është mjeti shprehës themelor i muzikës”; kontrapunkti (pikë kundër një pike), i cili nënkupton rregullsinë e brendshme e të ndërthurjes së linjave muzikore; harmonia, e cila lidhet fort me bashkëtingëllimet harmonike (horizontal polifonik dhe vertikal harmonik) dhe metro- ritmika, që nën kupton organizmin e përgjithshëm (metrika) dhe struktura brendshme e metrikës (ritmika), çfarë e vendosin mbi argumente dhe koncepte praktike shkencore organizmin që e mban të gjallë dhe veprues në këtë mënyrë polifoninë labe.

Një kapitull tjetër i rëndësishëm, i cili merr një peshë në librin “Polifonia labe” është kapitulli i titulluar “Stile muzikore të polifonisë labe”, një kapitull i cili sjell në vëmendje dhe në trajtesën shkencore- historike të saj një koncept të rëndësishëm, atë të stilit, i cili përkufizon perimetrin ku vepron polifonia, elementët e përbashkët fondamental të saj në të gjithë shtrirjen dhe specifika dhe larmi të tjera të praktikumit të saj. Studiuesi i rëndësishëm i polifonisë labe Spiro Shetuni përkufizon termin “stil muzikor”, në kuadrin e polifonisë labe, me të cilin nënkupton:’një mënyrë të kënduari individuale, origjinale, të papërsëritshme, e cila ndryshon muzikalisht, më shpesh, duke shkuar nga njëra krahinë e zonë etnografike në tjetrën, ndonjëherë edhe nga njëri qytet e fshat në tjetrin, të cilët në përgjithësi, janë të largët nga pikëpamja etnografike me qytetet dhe fshatra të tjerë.”, por që ata zakonisht sipas studiuesit, nuk njohin dallime cilësore intonative mes elementit muzikor fshatar dhe atij ndërfshatar, por dhe atij zonal me ndërzonal.

Në interpretimin dhe qasjen mbi stilet muzikore të polifonisë, Shetuni ka vëzhguar dhe reflektuar tiparet e stilit muzikorë të Kurveleshit, Lopësit, Lunxhërisë, Zagorisë, Gjirokastrës, Smokthinës, Himarës, Dukatit, Pilurit, Bënçës, të cilët përbëjnë një bazë të rëndësishme për të kuptuar më mirë si ka vepruar dhe si vepron stili muzikor në polifoninë labe.

Kapitulli i fundit, i titulluar “Dukuri novatore të polifonisë labe” shquan për vëzhgime të natyrës evolutive, rruga nëpër të cilën ajo është pasuruar, bashkëpunimin e saj dhe progresi, pra novatorizmi, siç e quan ndryshe studiuesi, risitë, ruajtja e fondamentit të lashtë dhe origjinaliteti i saj, por dhe çështje të tjera të cilat ka vërejtur studiues lidhur me polifoninë labe, këtë pasuri të jashtëzakonshme të kulturës popullore shqiptare dhe muzikës së saj në veçanti. Vepra e Shetunit “Polifonia labe” është një kontribut i çmuar veçmas për kulturën dhe njohjen e thellë të polifonisë labe. Ajo krijon një bazament parcial në njohjen, interpretimin dhe burimet studimore për polifoninë labe në veçanti.

Spiro Shetuni është njëri nga njerëzit e plejadës së studiuesve, muzikologëve dh etnologëve të muzikës popullore shqiptare, i cili solli një kontribut të madh në punimet monografike lidhur me kulturën popullore, kryesisht të muzikës popullore. Pas një pune të madhe gjatë kohës që ai ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore (1981-1992), pas vitit 1992 ai ka jetuar dhe ka punuar në fushën e studimeve jashtë vendit, kryesisht në SHBA. Ai ka punuar gjatë gjithë kohës në Universitetin e Uinthropit, Rock Hill në South Carolina, si lektor i etnomuzikologjisë, jo vetëm në këtë universitet, por dhe në universitet të tjera amerikane.

Shetuni nuk u shkëput kurrë nga puna shkencore, ndërsa vepra më e fundit e tij, titulluar “Muzika tradicionale shqiptare”, e cila mbart në vetvete një punë kërkimore dhe shkencore 20 vjeçare është botuar në gjashtë vëllime. Është një vepër e ndarë në dy pjesë të mëdha; pjesa e parë ka trajtesa të natyrës studimore, ndërsa në të dytën janë dhënë tekstet poetike e krijimeve që analizohen. Është një libër me karakter të qartë kombëtar dhe gjithëpërfshirës dhe që përshkohet nga shqisa e një studiuesi të hollë dhe një njohës jashtëzakonisht i mirë i kësaj fushe.

Në vëllimin e parë të studimit të gjerësishëm të muzikës popullore shqiptare, studiuesi Spiro Shetuni merret me koncepte të përgjithshme rreth natyrës, tipareve dhe dhënie- marrjet e muzikës folklorike shqiptare me atë të popujve të tjerë. Muzika popullore shqiptare zë një vend të caktuar në kulturën ballkanike të muzikës tradicionale. Në këtë rast Shetuni interpreton mjaft mirë problematikën e pamjeve etniko- demografike, diasporën shqiptare, dialektet muzikore, muzikën tradicionale shqiptare, dialektet, stilet muzikore si një bazë e ekzistencës së kësaj kulture, çështjen e baladave, muzikën profesioniste, grupime të caktuara etj. Kjo problematikë e gjerë e bën librin mjaft përfaqësues, per etnokulturën shqiptare.

Vëllimi i dytë i kushtohet muzikës gege, repertorin e saj, studimet mbi të nga autorë vendës dhe të huaj, rrethanat në të cilat ka lindur dhe është zhvilluar dhe një vështrim etnografiko muzikologjik. Autori veçon në studimin e kësaj muzike stilet muzikore të Malësisë së Madhe, Malësisë së Vogël, Mirditës, Matit dhe të Dibrës, këngën maje krahu, prek çështjet e eposit etj. Libri i tretë i kushtohet muzikës toske, e cila ka një shtrirje të gjerë, ku shquan karakterin monofonik, polifonik dhe arioz të saj. Në studim përbën rëndësi të veçantë trajtimi i nëndialekteve të muzikës toske si ai muzikor i Toskërisë, nëndialekti i Myzeqesë dhe nëndialekti i Çamërisë dhe specifika të tyre si nëndialekte.

Libri katërt i kushtohet muzikës labe, për të cilin studiuesi ka një kontribut madhor dhe të veçantë, por veçojnë në këtë rast kur ai analizon vajtimin dhe vallen, kur analizon muzikën labe dhe muzikën greke dhe bashkëveprimin me njëra- tjetrën. Stilet muzikore të kësaj muzike përbëjnë një larmi që pak dialekte muzikore shqiptare e kanë.

Muzika qytetare shqiptare dhe stilet e saja zënë të gjithë librin e pestë të librit “Muzika tradicionale shqiptare” të autorit Spiro Shetuni. Qytetet të tillë si Shkodra, Shqipëria e Mesme, Kosova, Berati, Përmeti dhe Vlora i nënshtrohet një vështrimi të hollë dhe profesional- njohës nga studiuesi Spiro Shetuni. Kënga qytetare shqiptare ka elementë të shumtë përbërës, të cilët autori i njeh mirë. Libri i gjashtë i këtij vëllimi ka të bëjë me vlerësimin nga autori të muzikës tradicionale shqiptare, me përfytyrën etniko kombëtare të kësaj muzike, pasurimin, festivalet kombëtare folklorike, vijueshmëri dhe nevoja e studimit të kësaj pasurie të madhe me vlera të gjithkohshme.

Spiro Shetuni përbën profilin e një studiuesi të rëndësishëm të muzikës popullore shqiptare, veçmas të polifonisë labe, një dialekt muzikor me një trashëgimi specifike dhe të hershme historike. Artikujt e shumtë, njohja e kulturës së shkrimit dhe autorët vendës dhe të huaj që janë marrë me një fushë të tillë specifike studimi, përbëjnë një vlerë referuese për studiuesit e kësaj kulture etnike kombëtare në përgjithësi si një tregues i rëndësishëm i popullit shqiptar në Ballkanin e moçëm dhe të qytetëruar.Ndarja e tij nga jeta keto ne SH.B.A, perben nje humbje te vecante per etnokulturen shqiptare.