Ishte viti 1967 kur muzika që trashmë kishte pushtuar botën do të niste të jepte frytet e veta edhe në Kosovë. “FAN”, do të pagëzohej grupi që bëri tok rioshët krejt të veçantë prej rrethit. Emri i këtij grupi do të ishte i pari në listën e atyre që nisën të bënin rock shqip në qytetin e minatorëve.

Më pas, shpërthimi i grupeve të reja qe i vrullshëm. Pikërisht hulumtimi për nismëtarët e rockut në qytetin e “Trepçës” ka qenë zanafilla e librit të dy adhuruesve të këtij zhanri, Arben Ademi dhe Vejsel Abdurrahmani. E kanë titulluar “Historiku i rock muzikës në Mitrovicë”, dhe është një vepër dokumentare për një kapitull të zhvillimit të muzikës në Kosovë “gjatë viteve 1960-1998”, siç është edhe nëntitulli i librit.

Profesorët në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë kanë thënë se e kanë marrë këtë iniciativë për të mbushur boshllëkun që ekziston në dokumentimin e muzikës në qytetin e tyre, shkruan KOHA.

Dyshja e nis librin me rrëfimin sesi muzika rock, që rrënjët i ka në Amerikë, në vitet ’40 erdhi në qytetin e tyre të lindjes. Sipas autorëve, “fajtori” kryesor për ardhjen e rock muzikës në Mitrovicë është miniera e “Trepçës”. Janë bazuar në faktin se për shkak të mungesës së kuadrove në miniera kanë ardhur inxhinierë nga vende të tjera, të cilët kanë sjellë edhe kultura të ndryshme. Në anën tjetër, sipas tyre, edhe të rinjtë nga qyteti që shkolloheshin nëpër vendet e largëta sillnin në qytet eksperiencat e tyre.

Në këtë mënyrë autorët kanë thënë se ritmet e Ballkanit nisën të përziheshin me nota nga zhanret e tjera, përfshirë edhe rockun.

“Ndër pionierët e parë të muzikës rock&roll ishte këngëtari i mirënjohur Luan Hajra, i cili nisi të kultivojë këtë zhanër të muzikës për të vazhduar më pas me grupin ‘FAN’, i cili njihet si grupi i parë i këtij zhanri. Rocku në Mitrovicë sot ka një numër të madh emrash, por hapat e parë të tij janë vënë qysh në vitet 1967-68, kur ishte krijuar grupi i parë i rockut ‘FAN’”, është shkruar në librin “Historiku i rock muzikës në Mitrovicë”.

“FAN” – emri i të cilit vjen nga emri i shkrimtarit të mirënjohur Fan Stilian Noli – është në mesin e 30 grupeve të rockut, shënimet e historitë e të cilëve shpalosen në librin 54-faqesh.

Autorët Arben Ademi dhe Vejsel Abdurrahmani kanë thënë se brezat e rinj janë shumë pak të informuar me pasuritë muzikore të qytetit të Mitrovicës. Sipas tyre, ky libër do t’iu ndihmojë atyre që të bien në kontakt me këtë pjesë të historisë muzikore./koha.net/