Nga: Dieter Reinisch, historian / RTÉ

Janari i vitit 1973 ishte muaj i mbushur me ngjarje. Në atë muaj, Britania e Madhe dhe Irlanda iu bashkuan Komuniteti Ekonomik Evropian. Po atë muaj, paraushtarakët luajalë [Ulster loyalism] e çuan konfliktin verior nëpër rrugët e Dublinit.

Një ditë, në vitin 1973, fotografi Colman Doyle kaloi pranë rrugës Agnes në Belfast të Irlandës së Veriut – pasi u nis të shkonte drejt qendrës së qytetit: “Dëgjova dikë duke shtënë dhe më pas e pashë këtë grua. Ishte duke qëndruar në një qosh, ende duke e mbajtur atë armë, por ia dola ta bëjë foton pasi ajo ka shtënë”.

Në një bisedë me autorin e RTÉ Brainstorm, Doyle këmbënguli se nuk e mban mend rrugën ku është realizuar fotoja, as datën e saktë, por pretendon se “nuk është e inskenuar”. Fotoja shfaq një grua me flokë të gjata, me një fustan me pika dhe që mban një pushkë.

Doyle, i cili nga gazetari i artit Liam Flynn është përshkruar si “doajen i fotozhurnalizmit në Irlandë”, ka punuar për The Irish Press. Një dekadë të karrierës e kaloi në Irlandën e Veriut, duke shkrepur, mes fotove të tjera, pamjet e parashutistëve britanikë që gjuanin kundër protestuesve të paarmatosur në Të dielën e përgjakshme.

“Ia ofrova foton shtypit irlandez”, kujton Doyle, “por redaktorët refuzuan ta shtypnin në gazetë. E konsideruan si të papërshtatshme foton që shfaqte një grua me armë”. Në fund të fundit, këto ishin vitet 1970. Një version përfundimisht u shtyp në librin e Colmanit të vitit 2004, All Changed: 50 of Photographing Ireland – në faqen 81 me titullin: “Një grua vullnetare e IRA-s në Belfastin Perëndimor, në shërbim aktiv me pushkën AR18”.

Doyle pohon se fotografia mbeti në arkivat e Irish Press-it. Kur shtypi i gazetës u ndërpre më 25 maj 1995, ndërtesa kryesore për një muaj mbeti e hapur dhe “njerëzit hynin e dilnin”. Ai beson se dikush e ka marrë kontrollin mbi negativët dhe se i ka çuar diku. Megjithatë, fotografia ka plot dy dekada që në forma të ndryshme ka qarkulluar.

Imazhi u spikat në propagandën e IRA-s Provizore [Provisional Irish Republican Army]. Sipas historianit John O’Neill, autor i Belfast Battalion: A History of the Belfast IRA, “ekziston një grup i atyre imazheve që përfshijnë të njëjtat figura të grave në skenarë të ndryshëm”, duke sugjeruar se ishte shkrepje propagande.

Një republikane nga Belfasti, e cila ishte aktive gjatë asaj kohe në vitet 1970, tha se “nëse do të kryhej një operacion, do të ishin të tjerët që do ta mbronin sulmuesin dhe se asnjë i huaj nuk do të lejohej të bënte foto. Kamera e tij do të konfiskohej, po të provonte”.

Një imazh propagandistik që shfaq tri gra të IRA-s, doli në Republikan News me bazë në Belfast, në shkurt 1974, si dhe në kalendarin e Rezistencës Republikane të vitit 1974. Gruaja në të djathtë është e njëjta që shfaqet në foton e Doyleit, megjithëse Doyle thotë se ai nuk ishte fotografi i këtij imazhi. Fotoja e printuar në Republikan News i përket një serie të fotografive propagandistike të bëra nga IRA Provizore.

Doyle pranon lidhjet e tij të ngushta me IRA-në Provizore: “Kam marrë leje nga Martin Meehani për të bërë foto të anëtarëve të IRA-s. Gruaja në foto ishte anëtare e njësisë në Ardoyne; ajo gjithashtu u shfaq në foto të tjera të njësisë së Meehanit”. Meehan ishte lider i IRA-së Provizore në zonën Ardoyne, i cili vdiq në nëntor 2007. “Kisha leje t’i bëja këto foto nga Martin Meehani, por shtypi irlandez më tha se nuk duhej të bëja foto propagandistike”, thekson Doyle.

Doyle ishte i afërt me IRA-n Provizore. Në fillim të viteve 1970, ishte dukuri e zakonshme shfrytëzimi i gazetarëve dhe studiuesve nga IRA, ndërsa fotot shërbenin për të tërhequr gratë duke i portretizuar si luftëtare të barabarta me burrat.

Cilado qoftë origjina, fotografia që shfaq një grua me fustan të gjelbër e me pika të bardha, u bë një nga fotot më ikonike propagandistike të kohës trazirave dhe është shfaqur në gazeta, kalendarë, fanelle … Muajt e fundit, imazhi u trajtua në RedditFacebook dhe Snopes … (në rrjetin Facebook, edhe në gjuhën shqipe jepet ky version i rrejshëm për historinë e fotografisë: Kjo fotografi është bërë në Irlandë në vitin 1972, dhe tregon një vajzë duke qëlluar me armën e të dashurit të saj, i cili u plagos në një betejë kundër ushtrisë britanike. Burri mbijetoi, u transportua në një vend të sigurt, falë sakrificës së të dashurës së tij, e cila u përball me ushtarët anglezë derisa ajo u vra. Kur komandanti i batalionit britanik zbuloi se ai kishte luftuar me një grua, ai urdhëroi ushtarët e tij të mos preknin trupin e saj dhe i lejoi irlandezët ta varrosnin. Thuhet se kanë dëgjuar komandantin anglez të thërrasë: ‘Mbretëresha nuk kujdeset për ne, siç kujdesej kjo grua për burrin dhe tokën e saj’. Fotoja u zgjodh si simbol për Ditën e Gruas në Irlandën e Veriut, e shoqëruar me këtë frazë: “Mos kini frikë të lidheni me një grua të fortë. Mund të vijë dita kur ajo do të jetë ushtria juaj e vetme” – shën. i përkth.)

Historia e vërtetë nuk do të tregohet derisa gruaja në foto të dalë përpara, gjë që nuk dëshiron ta bëjë – kjo sipas një miku të familjes së saj që foli me autorin e fotografisë. Tani në të 70-at e saj, gruaja jeton në Belfast dhe ka marrë pjesë në zbulimin e muralit që përshkruan foton e bërë nga Doyle.