NGA MERXHAN JAKUPI

Pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave (1992-1995), kishte një luftë të përgjakshme dhe gjenocid me mbi 100 mijë civilë të vrarë, më së shumti në Bosnjë-Hercegovinë. Në përfundim të luftës u mbajt Konferenca e Paqes në Dejton të SHBA-së, në nëntor të vitit 1995. Pas çerek shekulli, në këtë shtet ende nuk ka përfunduar shpërbërja e plotë e ish-federatës së Jugosllavisë. Ky shtet ende konsiderohet si artificial, madje një shtet i dështuar, me tensione ndëretnike.

Sipas marrëveshjes së Dejtonit, Republika e Bosnjë-Hercegovinës u shndërrua në një federatë, mes boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Në Bosnjë nuk ekziston koncept qytetar, ndonëse është shtet multinacional, i përbërë nga tri etnitete sllave. Tek të tre etnitetet nuk ekziston koncepti qytetar, multietnik, por ekziston  një parim koherent nacional-fetar. Nga prizmi serb, identiteti koherent nënkupton një ortodoksizëm të devotshëm, përballë një kroati katolik dhe një boshnjaku mysliman, që janë të ndarë me flamuj mesjetarë.

Te boshnjakët, nacionalizmi është në pozicion pasiviteti dhe inferioriteti, janë të vetmit që janë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës. Dy entitetet, serbët dhe kroatët nuk e pranojnë Bosnjën si shtetin e tyre. Prandaj, ky shtet konsiderohet si një strukturë artificiale dhe e dështuar. Sot, Bosnja i përngjet një situate të parë në fillim të viteve të ’90-ta. Retorika e liderit të Republikës Serbe, Millorad Dodik dhe ai i kroatëve, Dragan Çoviq, është ajo e vazhdimësisë së paraardhësve të tyre, Sllobodan Millosheviq dhe Franjo Tugjman. Impakti apo diskursi politik është anti-estabilishmentit, që, të gjithë të jenë brenda një shteti të përbashkët. Këta liderë më shumë i përfaqësojnë idetë dhe konceptet nacionale e fetare. Ata janë të kthyer me kokë nga Beogradi dhe Zagrebi. Të tre etnitetet janë të ndarë. Ata jetojnë në enklava, të ndarë në të gjitha fushat, në arsim, kulturë e sport. Te serbët dhe kroatët, kriminelët e luftës janë shpallur hero. Në Banja-Llukë këndojnë këngë për Karaxhiqin e Mlladiqin, si dhe këngë të tjera çetnike. Në Mostar këndojnë këngë ustashe, ndërsa në Tuzëll këndojnë këngë për vezirin Mehmed pashë Sokolloviqin. Nacionalizmi serb dhe kroat është ideologji ultra-nacionaliste, madje fashiste dhe naziste. Këta liderë nacionalistë janë kundër Marrëveshjes së Dejtonit. Republika Serbe vazhdon të bojkotojë, duke kërkuar shkëputje, sipas planit dhe tezës së Karaxhiqit, që konsiston me pavarësinë e Republikës Serbe  në fazën e parë, e pastaj me bashkëngjitjen me Serbinë. Lideri i kroatëve, Dragan Çoviq, vazhdon me doktrinën e paraardhësit të tij, Mate Boban, për Bosnjë-Hercegovinën.

* * *

Ish-presidenti i fundit i federatës jugosllave, Stjepan Mesiq, në një intervistë konfirmon se liderët dhe politikanët që nuk e pranojnë Republikën e Bosnjës si shtetin e tyre, duhet të largohen. Ata nuk mund të jenë përfaqësues legjitimë, sepse ata në takimet diplomatike prezantojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre nacionaliste, duke u mbështetur nga Beogradi dhe Zagrebi, ndërsa takimet nuk i realizojnë në Sarajevë. Mesiq konfirmon se Republika e Bosnjës është një fakt i pamohueshëm dhe po ekziston tashmë 1200 vjet, madje është më e vjetër se vetë Serbia dhe Kroacia. Popujt në të kanë jetuar shekuj me radhë në paqe e qetësi, si në periudhën e pushtimit osman, ashtu edhe atij austro-hungarez. Që nga themelimi i Jugosllavisë së parë të Versajës, në vitin 1918, serbët në Bosnjë kanë pasur më shumë privilegje deri në shpërbërjen e Jugosllavisë. Mesiq është kritik ndaj Brukselit që po i mbyll sytë dhe është neglizhues ndaj dukurive të nacionalizmit dhe paraqitjes së krizave të mundshme në të ardhmen në këtë pjesë të Ballkanit, hapësirë të cilën e ka mbuluar Rusia me politikat e veta.

* * *

Ivo Joviq, ish-kryetar i Kryesisë dhe lider i kroatëve të Bosnjës, në librin e tij shkruan për Planin-B dhe Projektin e ndarjes së Bosnjës që në Karagjorgjevë, ndërmjet Sllobodan Millosheviqit dhe Franjo Tugjmanit. Ai thotë se lideri nacionalist kroat, Mate Boban, në vitet e ’90-ta, e kishte thërritur në një mbledhje ku duhej të shqyrtohej ky projekt. Kur e kishte parë atë hartë të ndarjes, e kishte pyetur mate Bobanin se ç’do të bëhej me myslimanët e Bosnjës, ai i ishte përgjigjur se Tugjmani dhe Millosheviqi kishin një elaborat për shpërnguljen e një pjese të myslimanëve në Turqi, ndërsa pjesa tjetër, si pakicë do të asimilohej nga serbët dhe kroatët. Ky ishte shprehur kundër këtij projekti dhe kishte thënë me përgjegjësi se nëse e zbatojnë atë, atëherë ata do të shpallen si kriminelë lufte. Joviq shton se po të ishte Tugjmani gjallë, edhe ai do të dërgohej në Gjykatën e Hagës, si kriminel lufte.

* * *

Një numër analistësh shkruajnë në gazeta se mandatari i ri në Bosnjë, Kristian Shmid, një diplomat gjerman dhe njohës i mirë i rrjedhave në Ballkanin Perëndimor, ka qenë shumë tolerant ndaj liderëve retrogradë të Ballkanit, sidomos ndaj Millorad Dodikut dhe Dragan Çoviqit, andaj aq më shumë është për t’u habitur se si Brukseli e caktoi pikërisht atë diplomat për në Bosnjë, prej të cilit nuk pritet shumë.

Javëve të fundit, në më shumë medie evropiane ka qenë në fokus Bosnjë-Hercegovina. Përshkallëzimi i tensioneve etnike mund ta kthejnë Ballkanin Perëndimor në një poligon të retorikës luftënxitëse. Ata vënë në spikamë dilemën nëse mund të shpërbëhet Republika e Bosnjës. Politikani Zllatko Dizdareviq në një panel ka thënë se Bosnja mund të shndërrohet në një lojë shahu mes Rusisë, Turqisë dhe Perëndimit, por shpresat janë te SHBA-ja. BE-ja në periudhën e shpërbërjes së federatës jugosllave ishte vetëm një xhuxhe, me politikën e saj inferiore dhe të pa koncept në Ballkan.

Presidenti amerikan, Xho Bajden, është njohës i mirë i rrjedhave në Ballkan dhe ka qenë i kyçur drejtpërdrejtë në politikat amerikane ndaj Ballkanit, në vitet e ’90-ta. Duke e njohur mirë Ballkanin, ka zgjedhur katër diplomatë dhe njohës të mirë të kësaj gjeografie, të cilët do të angazhohen për vendosjen e paqes afatgjate në Bosnjë dhe Kosovë.  Sipas tij, Uashingtoni në asnjë mënyrë nuk do të lejojë luftë në këtë pjesë të Evropës. Ishte pikërisht SHBA-ja që ndali luftën në Bosnjë dhe Kosovë dhe kriminelët e luftës i dërgoi në Gjykatën e Hagës.