Nga: Abelardo Castillo
Përktheu: Bajram Karabolli

Mendoj se gjithmonë e kam ditur: një ditë unë do të përfundoja duke trokitur tek ajo derë. Dhe ajo ditë ishte sonte.

Shtëpia, pak a shumë, është siç e imagjinoja: një shtëpi në një lagje, në Floresta, me një kopsht përpara, nëse mund të quhet kopsht një copë tokë katërkëndëshe rrethuar me gardh hekuri, ku mezi mbante një rrënjë trëndafili kinez dhe dy-tri lehe lulesh, mbuluar tani me barëra të këqija. Nuk e di pse them tani, kur mund të kenë qenë përherë ashtu. Në kopsht ka një dordolec; ja, këtë nuk e kisha imagjinuar. I shoqi i Karolinës më tregoi se e kishte blerë ajo vetë, një vit më parë. Karolina kishte mbërritur me taksi një natë me shi; e kishte lënë taksinë në rrugë, që të priste, dhe kishte hyrë në shtëpi si një furtunë: E lashë taksinë te porta se nuk kisha më para, – i qe drejtuar të shoqit, – të lutem dil paguaje dhe merr edhe pakon me dordolecin.

– Ju e keni njohur mirë, – më tha ai, ndërkohë që unë nuk munda të dalloj dot asnjë qëllim të dyfishtë te fjalët e tij. – Pra, e dini si ishte ajo.

Iu përgjigja duke i thënë të vërtetën. Ishte e vështirë të mos i thoshe të vërtetën atij njeriu të trishtuar e të përzemërt. Por shtova se nuk isha i sigurt nëse e kisha njohur aq mirë.

– Kjo është e vërtetë, – tha ai, mendueshëm. – Nuk besoj të ketë njeri që ta ketë njohur vërtet, – qeshi pa hidhërim dhe shtoi: – Të paktën unë, nuk e kam njohur kurrë.

Por kjo ndodhi shumë më vonë, kur do të ikja; kur ishim ulur në kuzhinën e shtëpisë dhe kishte gjysmë ore që, për herë të parë, e shikonim njëri-tjetrin në fytyrë.

Karolina ma kishte përmendur në dy-tre raste, sikur ajo shtëpi, me gjithçka kishte brenda, përfshi edhe të shoqin, ta kishte kopshtin të fshehtë si një parajsë të vogël apo si diçka tjetër, ku unë nuk duhet të hyja. Atë natë unë arrita të shkoj deri atje, si i komanduar nga një dëshirë e keqe dhe e huaj. Kishte muaj që i vija rrotull lagjes dhe pikërisht atë natë trokita te porta.

Ai, veshur me pizhame dhe me një pardesy hedhur krahëve, doli dhe ma hapi portën. I thashë emrin tim. Nuk m’u përgjigj fare. Në atë çast doja t’i betohesha se nga vizita ime nuk mund t’i ndodhte asgjë e keqe.

– Më fal për pamjen, – foli më në fund ai. – Jam vetëm dhe nuk prisja njeri.

Kishte një çehre, ashtu siç tha vetë, çehren e një njeriu të vetmuar që nuk priste askënd.

Unë kisha trokitur te dera e tij, pa menduar se ç’do t’i thosha, pa ditur nëse vija për t’i thënë diçka. Nuk kisha arsyen më të vogël për të ardhur në atë shtëpi, në orën dhjetë të natës. Ishte një situatë e sikletshme dhe absurde, për të mos thënë edhe më keq

– Hyni, hyni, – vendosi ai, menjëherë. – Ja, erdha sa të vishem.

– Ju lutem, jo… – Mendova një herë t’i thosha se do të ishte më mirë që të ikja; por, aty për aty, ndërrova mendje. – Jo, zotëri, nuk keni pse visheni ndryshe.

Vetëm sa nuk i thashë që mund të shkonte e të vishej si të donte se, tekembramja, ai ishte burri i Karolinës dhe se kjo ishte shtëpia e tij. Gjithsesi, mua nuk më interesonte fare si ishte veshur ai. Ndoshta, do të ishte mirë të heshtja për çfarë do të bënte, por ndjeva se çfarëdo të ishte ajo për të cilën unë kisha ardhur të kërkoja, do të më ndihmonte të isha i veshur më mirë se njeriu përballë meje, me pantofla dhe me një pardesy hedhur mbi pizhame.

Ja, kështu ndodhi kur mbërrita atje, po pastaj gjërat ndryshuan shumë. Ai ja ku ishte, në shtëpinë e tij, në kuzhinën e tij, pranë një stufe prej hekuri, i mbështjellë rehatshëm me pizhamet e veta, ndërsa unë ndihesha si një ambasador i ardhur nga Hëna.

– Doni mate[1]? – më pyeti gjithë përkujdesje.

Çuditërisht i thashë po. Të gjerbje mate ishte një mënyrë për të ndenjur i heshtur, pa e vënë re kohën.

– Karolina, nganjëherë në mëngjes, pinte mate, me tërë butësinë dhe mënyrat e saj. Ishte shumë komike. E thithte maten me tubin e futur në kupëz, nga njëra anë e gojës, sikur të qenkësh protagonistja e një teksti tangoje. Por jo, nuk ishte ashtu. Ajo gjerbte maten me fytyrë të menduar.

– Ju do të pyesni pse kam ardhur.

– Jo. Për shumë gjëra nuk pyes kurrë, veç kësaj, e kam ditur se një ditë do të takoheshim, – buzëqeshi me sytë e ngulur mbi kupëzën e mate-s. – Por, meqë e thoni vetë: pse keni ardhur?

Doja të ndieja agresion dhe sfidë në zërin e tij. Nuk munda. Pyetja ishte një pyetje e mirëfilltë, pa asnjë nënkuptim. Ose edhe me gjëra të tjera brenda si, për shembull, ajo e fytyrës së menduar të Karolinës. Unë e njihja dhe e doja atë fytyrë. E kisha parë në muzg, në ndonjë pastiçeri të mënjanuar, ndërkohë që ajo shikonte vegimin e vet në qelqin e dritares, duke sjellë nëpër dhëmbë një fill kashte. E kisha parë pasdite në apartamentin tim, kur ajo, mendueshëm, kafshonte një lapës, ndërkohë që më bënte një nga ato hartat e vogla apo planet e vendeve dhe shtëpive, ku pati jetuar, kur kishte qenë vajzë, shtëpi dhe vende që, për ndonjë arsye, dukeshin se ishin përtej fjalëve, përtej atyre që gjithnjë dyshoja se kishin ekzistuar ndonjëherë, ose në historitë që ajo më tregonte. Në të vërtetë, unë, po ashtu, e kisha parë shumë herë atë fytyrë të përhumbur e të pambrojtur, pothuaj më të zhveshur se trupi i saj, ama kurrë nuk e kisha parë në mëngjes, kur Karolina pinte mate, siç më thoshte i shoqi. Mendova se ndoshta duhet ta falënderoja për këtë, megjithatë nuk e mora dot guximin. Më pas do të më ndodhte e njëjta gjë me historinë e dordolecit.

Ai sapo më kishte pyetur se pse kisha ardhur.

– Nuk e di… – bëra një pauzë. Ajo çka m’u desh të shtoja ishte me paramendim keqdashëse. – Për kureshtje, – thashë.

– E kuptova, – murmuriti ai.

Nuk e di ç’deshi të thoshte me atë, por më dha përshtypje se vërtet e paskësh marrë vesh.

Mbërrita në apartamentin tim, pas orës një të mëngjesit, gjë që tregonte se paskësha ndenjur me të rreth tri orë, megjithatë, nuk kujtoja veç disa fragmente nga biseda jonë, fragmente që, në pjesën më të madhe të tyre, nuk kishin ndonjë kuptim. Kishim folur për politikën, për një lajm që jepte gazeta e mbrëmjes, lajm për një krim. Kishim folur për ashpërsinë e dimrit në Buenos Aires. Dhe ja, tani më duket sikur nuk paskëshim folur fare për Karolinën…

Në një çast ai më pyeti nëse doja t’i shikoja disa fotografi.

– Fotografi, – përsëriti ai. – Fotografi të Karolinës.

Unë bëra një nga ato gjestet e pakuptimta që mund t’i marrësh si të duash.

– Sikur është ca vonë, – thashë.

– Nuk është shumë vonë, – tha ai, duke u ngritur në këmbë. – Ka kohë që edhe unë nuk i kam parë.

Doli nga kuzhina dhe më la vetëm. Unë përfitova nga rasti për të vrojtuar përreth meje. U përpoqa ta imagjinoja Karolinën pranë asaj tryeze apo në majë të këmbëve, duke u munduar të arrinte një tenxhere, një kusi qumështi. Ndoshta ishte diçka e tillë ajo që unë kisha ardhur të kërkoja në atë shtëpi. Në një nga muret pashë dy piktura shumë të vogla. U ngrita dhe u afrova për t’i vëzhguar nga afër. Nuk më thanë gjë. Qenë diçka si natyrë e qetë në miniaturë, kuzhina të vockla brenda njëra-tjetrës. Doja të dija nëse i kishte vendosur ajo, doja të dija nëse kishin pasur ndonjë kuptim për të, ditën që i kishte zgjedhur. Kur ai hyri përsëri në kuzhinë, pashë se kishte veshur me nxitim një palë pantallona, mbi pizhame, po ashtu edhe një pulovër të trashë që m’u duk se qe endur me shtiza dore.

Solli, gjithashtu, edhe një kuti kartoni. U ul pak larg meje dhe më zgjati fotografinë e parë: Karolina vetëm. Pas saj disa pemë. Mund të ishte në një shesh apo në një park. Mënjanoi disa dhe më zgjati një tjetër. Përsëri, Karolina vetëm, e ulur në gjunjë pranë një qeni që kishte ngritur këmbët e para lart. Ai shikoi dhe nja dy a tri të tjera, por te njëra prej tyre u ndal më shumë. I vuri ato poshtë të tjerave, në fund të kutisë, pastaj më zgjati një tjetër: Karolina vetëm.

Atëherë ndjeva diçka të pakuptimtë. Ndjeva se ai burrë nuk donte të më plagoste.

– Kjo është shumë e bukur, – tha.

Karolina pranë një kanali, duke qeshur.

– Po, – thashë pa menduar. – Ishte vështirë ta shikoje kështu, duke qeshur.

Ai më pa, sikur donte të më falënderonte.

– Kurrë nuk jam kthyer t’i shikoj. Tani është ndryshe.

– Ju nuk jeni në asnjë nga këto që më treguat, – i thashë.

– Epo, unë isha fotografi, – tha ai.

Ja, pak a shumë, kjo më kujtohet, nga gjithë çfarë ndodhi atë natë.

I thashë se duhet të ikja dhe ai më shoqëroi deri te dera jashtë, por jo deri te gardhi. Dhe pikërisht në ato çaste më tregoi historinë e dordolecit. Pastaj, kur unë po tërhiqja shulin e hekurt të portës, dëgjova zërin e tij pas shpinës sime.

– Ishte shumë e bukur, apo jo?

Dola, tërhoqa portën dhe që nga trotuari, iu përgjigja:

– Po. Ishte shumë e bukur.

Më tha që ta vizitoja përsëri ndonjë ditë. I thashë po. /Revista “Akademia”/

__________

28 mate – një lloj çaji nga një bimë që quhet yerba (jerba) e cila gjendet kryesisht në Argjentinë dhe Uruguai. Gjethet e kësaj bime copëtohen e hidhen në një kupëz prej druri apo material tjetër, ku hidhet ujë i nxehtë dhe pak sheqer, pastaj gjerbet me një tub të vogël metalik. Është pija tradicionale në Argjentinë dhe Uruguai që nuk i mungon asnjë familjeje dhe me të gostiten mysafirët. Madje e marrin edhe me vete në punë apo në rrugë. Karakteristike është se e njëjta bombilla (kupëz) qarkullon te të gjithë ata që janë në tryezë apo në bisedë.