Sipas marrëveshjes së Brexit-it, muzikantët britanikë që planifikojnë të luajnë në Evropë tani do të duhet të sigurojnë leje pune për secilin vend në mënyrë individuale për një turne dhe të përballen me burokraci të mëtejshme kur bëhet fjalë për transportimin e pajisjeve dhe të ekipit

Londër, 8 janar (The Guardian) – Muzikantët britanikë po përballen me “goditje të dyfishtë”: kufizimet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe burokracia e kushtueshme pas Brexit-it, që mund të dëmtojë turnetë evropiane. Kësisoj kanë konstatuar njohës të industrisë dhe artistë që po bëjnë thirrje për ndryshime në marrëveshjen tregtare me BE-në.

Sipas Marrëveshjes së Brexit-it, muzikantët britanikë që planifikojnë të luajnë në Evropë tani do të duhet të sigurojnë leje pune për secilin vend në mënyrë individuale për një turne dhe të përballen me burokraci të mëtejshme kur bëhet fjalë për transportimin e pajisjeve dhe të ekipit.

Naomi Pohl, zëvendëssekretare e përgjithshme e Sindikatës së Muzikantëve, ka thënë se marrja e lejeve për punë është një problem i veçantë, kur bëhet fjalë për turne me grupe më të mëdha klasike. “Kur flasim për një orkestër, po flasim për 70 muzikantë që kanë nevojë të marrin leje pune. Pra, është një çështje madhore”, ka thënë ajo.

Deri tani ka pasur mjaft peticione online nga njerëz të njohur që u kanë bërë thirrje autoriteteve shtetërore që të negociojnë për largimin e lejes së përkohshme të punës për performuesit britanikë kulturorë për paraqitje në BE.

Në mesin e mbështetësve ishte Dawn French, KT Tunstall, Ronan Keating dhe Gary Kemp.

Pohl ka thënë se ka edhe çështje të tjera të diskutueshme, si përdorimi i kartës që njihet si “a passport for goods”, që shërben për bartjen e mallrave, si dhe instrumenteve, do t’u kërkohet muzikantëve nga pjesë të tjera të Britanisë së Madhe që udhëtojnë për në Irlandën Veriore.

Kathryn McDowell, drejtoreshë menaxhuese e Orkestrës Simfonike të Londrës, që merret me organizimet e grupit që luan mesatarisht deri në 120 koncerte gjatë një viti, ka thënë se marrëveshja e re nënkupton që orkestrat britanike mund të zgjedhin që të reduktojnë paraqitjet në vendet evropiane në mënyrë që të kenë më pak shpenzime administrative.

Ajo ka thënë: “Unë mendoj se qasja aktuale që ne duhet të kemi në lidhje me aktivitetet tona në Evropë duhet të ndryshojë. Ne mund të shkojmë në vende për një periudhë me të gjatë. Pra, nëse ne jemi duke shkuar për një rezidencë njëjavore, atëherë kjo nënkupton një mal me dokumente”.

Të ardhurat nga të gjithë turnetë jashtë vendit për orkestrat sollën 14.4 milionë funte në vitin 2019, sipas një raporti nga Shoqata e Orkestrave Britanike. Më shumë se gjysma e kësaj u gjenerua nga turnetë në vendet e BE-së, pasi që Evropa ishte rajoni më i vizituar nga orkestrat britanike. Atje janë dhënë tri të katërtat e koncerteve jashtë Britanisë së Madhe.

Matthew Swann, drejtor ekzekutiv i Simfonisë së Qytetit të Londrës, ka thënë se për ansamble më të vogla që kërkojnë të sjellin artistë evropianë në Britani të Madhe, do të ketë një barrë shtesë financiare.

“Të sjellësh dikë brenda një afati të shkurtër kohor ishte shpesh shumë e vështirë, por mendoj se tani do të jetë edhe më e komplikuar”, ka thënë ai.

Muzikantët e tjerë të cilët do të goditen rëndë janë artistët e orkestrat e skenës së pavarur, që mund të kenë zgjedhur punë të rastësishme në Bashkimin Evropian, dhe bende që njihen për turne, veçanërisht ata në fillim të karrierës së tyre që kanë përdorur ndeja ndërkombëtare si një mënyrë për të ndërtuar një bazë të ndjekësve.

“Black Country, New Road”, është grupi që po bëhet gati që në shkurt të lansojë albumin debutues. Saksofonisti i grupit, Lewis Evans, ka thënë se turnetë nëpër Evropë, si grup me shtatë anëtarë, para Brexit-it e kishin gdhendur grupin dhe e kishin sjellë punën që ata të nënshkruanin për lansimin e albumit.

Ai ka frikë se grupet që do të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen nuk do të arrijnë që të përballen me pengesat administrative.

“Ne jemi në një situatë pozitive, por bendet që mund të jenë një vit më pas se ne, në termin e trajektores së tyre, kjo është me të vërtetë lënduese. Janë njerëzit që kanë aq shumë për të thënë dhe nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë”, ka thënë ai.

Stephanie Phillips, anëtare e treshes punk “Big Joanie”, ka thënë se humbja e koncerteve evropiane do të ishte një goditje e madhe financiare. “Para pandemisë, ishim duke pranuar shumë oferta nga festivale të ndryshme në Evropë. Tani nuk e dimë se si do të funksionojë kjo”, ka thënë ajo. “Pastaj pse duhet të marrin një grup britanik kur mund të marrin dikë tjetër nga ndonjë vend evropian me lehtë dhe shumë më lirë? Nuk ka kuptim”.

Departamenti për Media Digjitale, Kulturë dhe Sport ka thënë se Britania e Madhe insistoi për një marrëveshje më “ambicioze me BE-në” mbi lëvizjen e përkohshme të njerëzve të industrisë së biznesit, e që do të përfshinte edhe muzikantët, por propozimet nuk u pranuan.

“Ne e pranojmë se mund të ketë disa procedura shtesë për ata që punojnë në industri krijuese, por ne jemi siguruar që proceset e aplikimit për viza më afatgjata për biznes do të jenë transparente për të siguruar siguri dhe qartësi”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit.