Ismail Arsllani

          Nga shtëpia dykatëshe, allaturka, me arkitekturë osmane, e Hafëz aga Hajrizit, me dritare të gjata e të ngushta, përbrenda me perde të lëshuara palë-palë nga tyli i bardhë e skajeve me kadife bojë vishnje, kundërmonte një aromë lulesh bjeshke; vinte një ndritje e pashpjegueshme, një pastërti, një nur i tejdukshëm, sa që të linte pa gojë po të kaloje në atë çast pranë këtij konaku prej age, që kishte një bujtinë për njerëz të Kasabasë, por, mbi të gjitha, për ata të karvanëve që kishin marrë udhën e largët të  mëndafshit, Via Ignatia.

          Pas një zymtie trejavëshe, të ngrysur e të egërsuar, të lutjeve e përpëlitjeve, për shëndetin e të vetmes bije, Hanifes, e cila në lulen e rinisë, kur ende s’ishte shuar ylli ogurbardhë i ballit, mori errësirën para syve për një thyerje zemre të stisur me dashuri të pa kumt e të virgjër; tashmë, ajo shtëpi që flaku xhindet ogurzeza, po prafullonte në të katër anët. Oda e madhe, ngjyrë qielli, me mindere mbulesash të trasha prej leshi dhe pëlhure me ojme të bardha mbi jastëkë përqark; gjithë kjo s’e kishte atë hijeshinë që kishte marrë shtrati pranë dritareve, me mbulesa roze prej sateni, ku do të pushonte dyzet ditë Hanifja, ashtu siç e kishte udhëzuar doktori, pas një intervenimi në gjymtyrët e saj të thyer aksidentalisht, ndonëse mileti i ngjeshi në pafajësinë e saj një tentim vetëvrasjeje.

          Ajo ishte nisur me zemër të thyer, përskaj lumit me ujë të cekët, ashtu e trullosur në mendje nga katandisja e njëpasnjëshme e epsheve të shuara; ishte gjetur, as vetë nuk e di, mbi shkëmbin e Sokolecit, prej nga djelmoshat kërcenin me kokë në një ujë-gropë, aty ku ishte dalldisur pas gurgullimës së ujit të pastër si loti, që merrte një udhë të gjatë pas bredhjes nëpër shtratin gjarpëror të Kasabasë. Atëherë, përnjëherësh, sikur dëgjoi këngë shtojzovallesh, sikur zogjtë cicëruan brenda kokës së saj dhe një perde e zezë iu lëshua para syve…Kaq dinte të tregojë Hanifja për veten, se ç’kishte ndodhur atë ditë të zezë, para se t’i hapte sytë në spital, kur veç më kishin marrë dhenë cep më cep Kasabasë rrëfimet që nuk i mbërthente imagjinata e njeriut.

          Gurgullima e pakëputur e ujit dëgjohej vrullshëm në atë grykë të lumit, mes bjeshkëve të larta, ndonëse ato ditë vape të verës ishte terur e bërë një përroskë, por përplasja shkëmb më shkëmb e ujit krijonte një ritëm të gjallë prej gumëzhitjeje, aq sa do thoshe se aty po rridhte ujë vërtet i rrëmbyeshëm…Pas ca ditësh nga aksidenti, që, për të bijën e aga Hajrizit, fatmirësisht, përfundoi pa pasoja për jetën, Baba Dijetari kishte dalë bashkë me truprojën, Malësor Dedën, që ta inspektojë atë vend fatkeqësie, që ia nxiu fytyrën përpara familjes së saj, për fajin që e kishte apo s’e kishte, merre si ta marrësh. Oshtinte ende në timpanin e veshit të tij një lebetitje e imagjinuar dhe këlthitje tmerruese, një përplasje trupi mbi shkëmb, një vizion i dyfishuar sysh, do njolla gjaku, të spërkatura tej, sa që s’duroi më tej të qëndronte me shikim nga shkëmbi i lartë, iu duk sikur qielli mori një rrotullim drejt maje bjeshkësh, zuri të kalamendej e mori anë rrëzimi prej aty, në atë humnerë, ndaj dhe me refleksion të pa vetëdijshëm bëri një hap prapa, duke mbyllur sytë në çast, me të dy duart.

          “Ky ujë lumi që rrjedh pa ndalur, është si koha që tretet nga jeta jonë dhe çdo gjë hedh në harresë”, i kaluan këto mendime në kryet e Baba Dijetarit, por nuk u fashitën ato akuza të pajustifikueshme që i bënte vetes për atë ndodhi. “Pas gjithë kësaj ngjarjeje të zymtë e fatale s’kam më vend në atë bujtinë të Hafëz aga Hajrizit”, ishte i prerë ai.  “Dëgjo Malësor – iu drejtua truprojës – që nesër dil në Kasaba dhe kërko në ndonjë vend të përshtatshëm ndonjë shtëpi që i shkon përshtat autoritetit të perandorisë, e mos pyet për lira!”

          Në shtëpinë misterioze që kishte mbetur viran në atë Varosh, pa jetë e nishan, ku gjetën strehim komitët e Kasabasë, drejtuesi i Komitetit të cilin e thërritnin komando Sllavço, jepte e merrte me oratorinë e tij të egër dhe anti-osmane, përderisa mbi dhjetë të tjerë me numër i kishin hapur sytë vëngër dhe po dëgjonin përplot me emocione fjalën e udhëheqësit të tyre. “Zjarri tashmë është ndezur dhe s’do të shuhet për aq kohë sa ta rrëzojmë këtë perandori shtypëse dhe ta marrim pushtetin në dorë. Kjo punë bëhet me sakrifica, me gjak e me jetë që duhet flijuar. Konsullata në Sofje më ka njoftuar se shumë shpejt ky zjarr do të përhapet dhe lufta në Ballkan do të fillojë, për ta shkallmuar një herë e përgjithmonë këtë perandori që po e jep duhmën e fundit të jetës. Duhet të nisim prej fjalëve në vepra. Kemi platformën e veprimit. Shokët tanë në Varna tashmë i kanë hyrë valles, kanë sulmuar me armë zjarri një xhami dhe kanë vrarë mbi tridhjetë myslimanë. Janë gati të veprojnë edhe në qytetet e tjera…”

          Me kërkesë të Baba Dijetarit, Sulltan Abdylhamidi i Dytë kishte urdhëruar transferimin e 120 xhandarëve nga sanxhaku i Prizrenit për në Kasaba. Prania e tyre në atë kasaba nuk u prit mirë nga pjesa dërmuese e miletit. “Ne kërkojmë më shumë bukë e jo xhandarë për të na shtypur!”, dëgjoheshin shpesh këto refrene të pakënaqësisë.

          Atë natë Baba Dijetari s’vuri gjumë në sy, ndjente njëfarë fajësie për uturimën që e kishte pësuar e bija e Hafëz aga Hajrizit. Mbeti një kohë me pëllëmbën e mbështetur në kokë, duke rrahur mendjen fortë e më fortë, derisa diçka nga brenda nuk shpërtheu. Mori lapsin dhe nisi të shkruajë në letrën e bardhë që vuri para vetes: “Hyjneshë, po të falem e përulem deri në tokë, për atë çka të ka gjetur. Ti ke thyer gjymtyrët dhe i ke vërë në allçi, por si të vë allçi në zemrën time të thyer, më thuaj, pra…! Unë nuk jam pa ndjenja shpirti e indiferent ndaj zemrës tënde të pleksur me afsh rinor, edhe zemra ime rrahë fuqishëm si e jotja. Por, mjerisht, ti në këtë Kasaba je për mua një “mollë e ndaluar”. Lutjet tona s’do të prajnë, që, një ditë, t’i bashkojmë duart. Unë i kam dhënë fjalë Sulltanit tonë që nuk do të hyjë në veprime sentimentale që prekin zemrën, sepse kjo dëmton trurin dhe ne ashtu mund të humbim ndjeshëm në veprimin tonë. Por, sikur që i kam dhënë fjalë Sulltanit, po ta japë edhe ty po me aq peshë, se kur të kryej misionin në këtë Kasaba, për jo më shumë se edhe tre muaj, do të kthehem në Stamboll dhe atëherë do të të thërras mysafire të vish atje e t’i ndërrojmë unazat në Top-Kapi. Ëndrra jonë do të jetësohet, fli rehat dhe netëve shikoje hënën, aty do e shohësh fytyrën time. Mbetsh me shëndet e u takofshim në Stamboll. Baba Dijetari.” Pasi shkroi këto rreshta, palosi letrën më katër dhe e vendosi mbi komodinë, me një lehtësim të madh në shpirt.

          Baba Dijetari u lirua paksa nga ajo tkurrje truri që e mbërtheu pas fatkeqësisë së të bijës së aga Hajrizit, ndaj dhe më lirshëm vazhdoi shënimet në defterin e tij aty ku kishte ndërprerë me tri pika… “Më 25 mars të vitit 1878, pak para mbajtjes së Kongresit të Berlinit (më 13 qershor), ku pritet të marrin pjesë gjashtë shtetet më të mëdha: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia, për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, gazeta angleze The Gardian, kishte shkruar disa ditë më parë për Kasabanë si një pikë referimi për një krizë të mundshme dhe konflikti mes çetave bullgare dhe myslimanëve kokëfortë, pasi që kufiri i ri i hartuar nga fuqitë e mëdha kishte prekur portat e Kasabasë”.

          Këto disa rreshta që i shkroi në defter të tij, ranë sikur me çekan të fortë në kupë të kresë, ngase flitej për territore të Perandorisë. Në paragrafin 7/438, ashtu si i sistemonte shënimet në defterin e tij, Baba Dijetari shtoi edhe këto rreshta që ishin botuar po në atë gazetë, nga një raportim nga kryeqendra e Vilajetit të Kosovës të një gazetari nga Londra, i cili u referohej lajmeve që vinin nga Vjena: “Anëtarët e komitetit të krishterë në Kasaba kanë sulmuar dhe plagosur peshkopin e dioqezës bullgare, Missa Missailin, madje kanë ndaluar doktorët vendas që t’i jepnin ndihmë të plagosurit”.

          Komisari i xhandarmerisë së Kasabasë, me gradë togeri, kishte hartuar një plan për arrestimin e komitëve zullumqarë e anti-perandorakë, të cilët po bënin do veprime djallëzore, sipas asaj popullores: “Hidhe gurin e fshihe dorën!” e ishin të pakapshëm, sikur treteshin nën tokë pas çdo aksioni të dhunës apo plaçkitjes; por s’e kishte kurajën për të ndërmarrë një hap të tillë pa dijen e Baba Dijetarit.

          Një mëngjes herët, kur mbi kulme shtëpish këndesi zgjonte njerëzit e Kasabasë, me urdhrin e Baba Dijetarit u bë një bastisje e beftë në shtëpitë e komitëve anti-osmanë. Operacioni kishte dështuar plotësisht, pasi që komitët nuk u gjetën në shtëpitë e tyre. Baba Dijetari e qetësoi komisarin: “Do përdorim armën e tyre të veprimit, do t’i detyrojmë të dorëzohen!” “Si ashtu?” – pyeti i habitur i pari i xhandarmerisë. “Aksionin do e përsërisim, nëse nuk i gjejmë të strehuar nëpër shtëpitë e fqinjëve e të lagjes, atëherë do t’i arrestojmë nga një anëtarë të familjes së komitëve. Ata do të lirohen kur këta komitë do të dorëzohen”, i tha Baba Dijetari, duke dalë nga dera e xhandarmerisë, bashkë me truprojën e tij, Malësor Dedën.