Nga: Myftar Barbullushi

Në janar të vitit 1373, fiorentinasit, të rraskapitur nga pasojat e murtajës dhe përçarjet politike, u kërkuan sundimtarëve të tyre leximin publik të “Komedisë hyjnore”. Kërkesa e tyre u miratua dhe detyra iu ngarkua Giovanni Boccaccios, autorit të “Dekameronit”, i cili te Dante kishte gjetur shpëtimin e tij. Nëpërmjet magjisë së Dantes, ata kërkonin të zgjonin brenda shpirtit të tyre të sfilitur burimet e brendshme të fjetura, energjinë që i nevojitej për të rigjetur vetveten, pasi “Komedia” emeton dritë për ata që janë në errësirë, për ata që ndihen të braktisur nga jeta, pikërisht ajo që u duhej fiorentinasve në vitin 1373.

Në fillim të vitit që lamë pas, të shënjuar nga virusi përbindësh, ne iu drejtuam “Komedisë” shkencore, e cila së bashku me teknologjinë, me pretendimin për të kontrolluar gjithçka, e, sidomos progresin, na kishte bindur se Homo Deus do të ishte i sigurt jo vetëm në Tokë, por edhe në Mars. Kishim filluar të ëndërronim pushtimin e planetëve të tjera aq sa në diskutimet tona të përditshme, Hëna, Marsi, Elon Musk, Terraforming dhe Teletransporti ishin bërë shumë familjare.

Ndërkohë, në heshtje dhe fshehtësi, duke përfituar nga humusi i mrekullueshëm i globalizimit dhe katastrofave mjedisore, falë aftësive të jashtëzakonshme riprodhuese dhe larmisë së paimagjinueshme të formave të reja, viruset kishin filluar udhëtimin e ëndërruar në planetin tonë, të cilin ata e njohin shumë mirë, pasi aty ata janë autoktonë; nëse njerëzit dhe paraardhësit e afërt të tyre u shfaqën dy milionë vjet më parë, viruset kanë lindur para tre miliardë e gjysmë vitesh, së bashku me qelizat e para që u shfaqën në Tokë. Nëse universi ynë filloi me një shpërthim të jashtëzakonshëm energjie dhe drite, me Big Beng, 15 miliardë vite më parë, dhe sistemi diellor lindi para katër miliardë e gjysmë vitesh, atëherë është e qartë që në mjegullat e hershme të kohës viruset mishërojnë fillesën e krijimit. T’i neglizhosh ata është më shumë se naivitet.

Në gjysmën e dytë të viteve 1960, Dr. William H. Steward, autoriteti më i lartë shëndetësor ne Amerikën e atyre viteve, do të insistonte se kishte ardhur koha për t’i mbyllur librat e sëmundjeve infektive dhe për ta shpallur të fituar luftën kundër epidemive – duke shprehur kështu mendimin dominues të kohës se sëmundjet infektive dhe viruset nuk nxisnin më asnjë interes për studiuesit.

Brenda një viti, para syve tanë, paradigma e civilizimit – ne jemi zotët e krijimit dhe mund të bëjmë gjithçka, pasi bota na takon vetëm neve – u shpërnda si mjegulla në diell, duke i hapur rrugë stresit, ankthit apo deri edhe vizionit tragjik të ekzistencës. E ardhmja rrezikon të shembet pasi ne tashmë nuk po arrijmë ta mohojmë apo ta kontrollojmë realitetin. Ndaj, në pritje të reagimit të “Komedisë” shkencore, me gjuhën e sigurt të vaksinës, jemi të detyruar të komunikojmë nëpërmjet një gjuhe tjetër, të vjetër sa vetë bota, të cilën Charles Baudelaire do ta quante “gjuha e luleve dhe e gjërave memece”, e cila nuk është asgjë më shumë se një reflektim i thellë dhe i heshtur ndaj gjithçkaje që ne deri dje e kemi neglizhuar, manipuluar apo konsumuar. Kjo gjuhë hyjnore e heshtjes, një dhuratë që rrjedh ndër shekuj, është mënyra më e mirë për të kontrolluar realitetin, për të realizuar një marrëdhënie më të thelle me jetën, për të prekur dhe vaditur rrënjët tona që e mbajnë pemën e jetës me gjelbërim të përjetshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndodhë mrekullia që ta kurdisim përsëri tiktakun e orës së re biologjike, duke mos harruar se e gjithë kjo është një lojë shumë serioze, të cilën vetëm ne mund ta luajmë dhe askush veç nesh. Le t’i hedhim zaret, do të thoshte Nietzsche.

Në fillim të viteve 1950, kompozitori eklektik amerikan, John Cage, i zhgënjyer nga “epidemia e murtajës” muzikore të viteve të pasluftës, i bindur që në muzikë heshtja është po aq e rëndësishme sa notat, provoi ta sfidonte këtë murtajë kulturore me pjesën muzikore, 4’33’’, ku muzikantët për katër minuta e gjysmë qëndruan në heshtje, nuk luajtën asnjë notë, asnjë tingull; të vetmet zhurma që filluan të dëgjoheshin ishin ato të prodhuara nga rrahjet e zemrës dhe aktiviteti i trurit të spektatoreve. “Dëgjimi i heshtjes, pa praninë e notave dhe fjalëve, na lejon të prekim jo vetëm muzikën, poezinë, por edhe rrënjët e thella të jetës…”, insistonte Cage.

Përmes plagëve të thella të krizave të mëdha, pëlhura e jetës na tregon sesi dëshiron të trajtohet tash e tutje, duke ulëritur që kurrsesi të mos neglizhohet e keqtrajtohet. E paparashikueshmja na imponoi të zgjohemi nga letargjia e botës së brishtë, që doemos duhet lënë pas dhe ta përballojmë atë që po ndodh në emër të një ardhmërie që natyrisht nuk do të jetë siç e prisnim, por shumë më e pasur dhe befasuese, pikërisht se ka gjeneruar të paparashikueshmen te ne. Për këtë na duhet jo vetëm një avlëmend i ri, por dhe duar të zgjuara për të thurur të renë.

“Edhe nëse ky vit do të ikte në çast/e sheh, miku im/sa i rëndësishëm bëhet/ pasi brenda atij çasti jam edhe unë”, këndon Lucio Dalla. Ne jemi aty brenda…