Punku doli si lëvizje revolucionare në rock, në biznes, e jo në shoqëri. Më vonë do të kuptohet që e tëra ishte sall një trend, një modë kohe, një stuhi që vjen e shkon, duke bërë dëme (të vogla apo të mëdha), por pa ndryshuar shumë gjëra… Ky shkrim është botuar botuar në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, në dhjetor 2002, me rastin e vdekjes së liderit të grupit The Clash, Joe Strummer.

Nga: Blerim Shala

Kur The Clash dhe The Sex Pistols nënshkruan kontratat me shtëpitë e njohura diskografike për xhirimin e albumeve të parë, shumë adhurues të tyre të periudhës së hershme, nisën të shajnë dhe të bërtasin. Ata ishin të bindur që dy grupet prijëse të Punkut, kishin bërë tradhti, kishin braktisur idealet e tyre dhe ishin shitur për një grusht parash duke harruar grushtat e rebelimit.

Natyrisht, nuk ishte punë grushti parashë.

Qind për qind mohues

Ishte ky një keqkuptim i madh, i cili u sqarua më vonë. Punku nuk bëri dhe as që mund të bënte revolucion në shoqërinë britanike e cila po hynte në periudhën e sundimit kohëgjatë të “Zonjës së Çeliktë”, Margareth Thatcher. Në Evropën kontinentale, “Brigadat e Kuqe” të të gjitha llojeve bënin kërdi në Gjermaninë Perëndimore dhe në Itali, të prirë nga ata të cilët nuk besonin më që bota ndryshohet me lule në flokë, me “flower-power”, apo me demonstratat e llojit të atyre të vitit 1968. Natyrisht, ishte ky keqkuptimi tjetër, i cili, për dallim prej këtij të Punkut, kushtoi shumë shtrenjtë.

Si në shumë raste të ngjashme në histori, revolucionariteti majtist forcoi konservativizmin në Evropën Perëndimore e cila ende ishte e rrezikuar nga Bashkimi Sovjetik dhe Lindja. Riorganizmi në politikë, raketat “Pershing” në siguri dhe ramboizmi në kinematografi do të mbizotërojnë në vitet e tetëdhjeta.

Në ato vitet para paraqitjes së punkut, por edhe gjatë tij, hedonizmi ishte koncepcion themelor i shou-biznesit. Rocku kishte dalë me njëqind telashe prej të gjashtëdhjetave, kur trajtohej si botëkuptim i brezit të ri të Perëndimit i cili ishte i pakënaqur me çdo gjë, por nuk kishte disponim fare të kapej për marksizëm-leninizmin si ideologji shpëtimtare.

Muzika, veshja e re, flokët, pamja, zhurma, tymi, konflikti me brezat e vjetër dhe me prindët përbënin atë “brumin” e rockut në vitet të cilat bënë që The Beatles të jenë prodhimi më i njohur anglez.

Në të shtatëdhjetat gjithçka në rock ishte shkëlqim, vallëzim, biznes, gëzim.

Pink Floyd ishin, me gjasë, rock-grupi i mirëfilltë i mbramë në skenë. Por, deri në vitet 1978-1979, Roger Watersit nuk i ka shkuar mendja që me Pink Floyd të provojë të ndryshojë botën. Tek me dubël-albumin epik “The Wall” (të vitit 1979), Waters do të shfaqë pikëpamjet e tij, të cilat, megjithatë, nuk ishin pikëshkim i një heroi, i një revolucionari, por i një martiri, një njeriu që përmes territ të brendshëm (shpirtëror) kupton sa të rreme janë dritat e rock-biznesit.

Përmes punkut dolën në sipërfaqe njerëzit të cilët ishin të goditur, të poshtëruar nga të gjitha anët e mundshme. Ata nuk kishin asgjë, pos vetëdijes që rreth tyre nuk ka gjë prej gjëje. S’ishte rendi të kërkojnë rrugëdalje as në kinema, as në televizor, as në ndeja dhe vallëzim. Ata, në fillet e punkut ishin qind për qind mohues. Ata përtonin të elaborojnë apo arsyetojnë pse nuk besojnë në asgjë. Mënyra e vetme e shprehjes të cilën e zgjodhën ishte kitara, zmadhuesit, pështyma dhe britma. Silleshin si njerëz margjinal, edhe pse gjendeshin nën reflektorë dhe para publikut. Adhuruesit e tyre kishin të njëjtën sjellje, të njëjtën qasje. Nuk tuboheshin për tu kënaqur, por për të dëshmuar përkatësinë një brezi humbësish të plotë

Këta nuk njihnin mbretër dhe autoritete as në shtet, as në rock-muzikë.

“Zoti e ruajtë mbretëreshën dhe regjimin e saj fashist”, klithnin The Sex Pistols.

Me seks dhe armë në emrin e tyre, ata do të gjejnë veten të vendin e parë të top-listës angleze. Rrugës së tyre do të shkojnë The Clash, The Stranglers dhe shumë punk-grupe të tjera.

Rebelimi, cilidoqoftë ai, doli si burim i mirë për ringjalljen e shou-biznesit.

Këngët si manifeste politike

Punku doli si lëvizje revolucionare në rok, në biznes, e jo në shoqëri.

Më vonë, do të kuptohet që e tëra ishte sall një trend, një modë kohe, një stuhi që vjen e shkon, duke bërë dëme (të vogla apo të mëdha), por pa ndryshuar shumë gjëra.

Ata që mbetën në rock skenë, si The Clash dhe The Stranglers, në karrierën e tyre në të tetëdhjetat, do të ndryshojnë shumë më muzikën dhe tekstet e tyre.

Joe Strummer, frontmani i The Clash, do të vdesë në dhjetor të vitit 2002, jubilarit për Mbretëreshën Elisabeth, e cila arriti të tubojë në koncertin festiv, në verën e vitit të kaluar, rok-yjet më të njohura të botës.

Strummer i kishte 50 vjet. Thonë që ka vdekur nga sulmi në zemër e jo nga droga.

Emri i vërtetë i Strummerit ishte John Graham Mellor. U lind në Turqi, në vitin 1952, sepse atje shërbente i ati i tij, diplomat britanik.

Strummer tok me Mick Jonesin, Topper Headonin dhe Paul Simonin, krijoi grupin The Clash.

The Clash, në atë fazën e parë incizoi shumë këngë dhe albume, ku dallohen dubël-albumi “London Calling”. “Sandinista” ishte album i trefishtë. Nëse keni harruar, sandinistët ishin revolucionarët që morën pushtetin në Nikaragua, në fillim të të tetëdhjetave.

Strummer nuk fshehte afinitetet e tij majtiste. Këngët si “White Riot”, “I Fought the Law” (and the Law won)”, “The Magnificent Seven”, “(Daddy Was) A Bankrobber”, ishin manifeste politike.

Dhe, Strummer këtu ishte i sinqertë.

Albumi më i suksesshëm i Strummerit dhe The Clash do të jetë “Combat Rock”, me hitet e mëdhenj, si: “Rock the Casbah” dhe “Should I Stay or Should I go”.

Tashmë, Strummer ishte më i qetë se në vitet e shtatëdhjeta. Lydoni/Rotteni (i The Sex Pistols), kishte krijuar Public Image Limited dhe bënte rock.

Këta të dy zatën janë figurat më të mëdhaja të punkut.

Në vitin 1989, “The Clash” do të shpërndahet. Strummer, pos me muzikë, do të merret edhe me filma. Do të aktrojë në një spaghetti-western “Straight to Hell” të Alex Coxit si dhe në “Mystery Train” të Jarmuschet.

Me grupin“The Miscaleros”, Joe Strummer dhe  do të incizojë dy album.

Rock-yjet shkojnë e vijnë. Mbetet Mbretëresha.