(Fragment nga libri i Rexhep Shahut- Bisede e perfytyruar me Havzi Nelen)

Me 8 qershor 2018, e kam marrë bustin tënd Havzi, tek shtëpia e skulptorit Ilmi Hoxha në Kombinat në Tiranë dhe bashkë me operatorin Esat Çuçllari kemi udhëtuar nga Tirana për në Spaç.
U bëmë katër vetë bashke me ty në makinën time. Gjithë rrugës kemi folë ne të dy dhe ka filmuar dhe regjistruar gjithë bisedën tonë Esati.
Fjalët që kemi folë, që kam folë unë, janë derdhë në këtë libër, ndërsa filmin e asaj dite do ta shohësh ndonjë ditë, do e publikoj film.
Bustin tënd herët në mëngjes Ilmiu, e nxori nga shtëpia te makina bashkë me gruan e tij.
Nuk e di pse ndjeva dhimbje për vetminë tënde, për gjithë jeten tënde dhe mu përfytyrua gruaja jote Lavdija e cila që nga 1962 është me ty, herë afër e herë larg, por gjithmonë me ty. Nuk e di pse më theri më shumë se kurrë vetmia jote, tragjedia jote. Sot ti mund të kishe fëmijë burra, mund të mos ishe i vetmuar, shpesh shumë i harruar, pothuaj gjithmonë i mënjanuar përveç ditëve përkujtimore që ne të gjallët i përdorim për veten tonë e jo për ty Havzi, pa ndërprerje prej gati tri dekadash. Ti po ngjiteshe në piedestal e mua thellë më dukej gjë banale. Janë shpërdoruar piedestalet aq shumë sa gjithkush dyshon në ato që ngjiten aty. Por ta siguroj se je më shumë se meritor Havzi me u ngritë në piedestal të nderit.
Shkuam në Spaç Havzi, kjo ishte shumë emocionuese për mua. 28 vjet pas diktaturës unë nuk kisha shkuar asnjëherë në Spac. Mu skuqën edhe veshët prej një ndjenje turpi që ndjeva. M’u shpif vetja. As unë e as shumë si unë nuk kemi ardhë asnjëherë në Spaç në këtë kamp të tmerrshëm pune, në këtë repart të tmerrshëm ushtarak ku njerzit e dënuar nuk trajtoheshin si njerëz por si numra, dhe të vdekurit i ndante vetëm përroi me të gjallët e vdekur. Nuk kisha shkuar për të parë çfarë ishte ky Spaçi ku kanë mbijetuar të dënuarit. As në Spaç e as në vende të tjera ku kanë vuajtë e janë poshtrue njerëz nuk kemi shkue… M’u dhimbt vetja Havzi e m’u dhimbtën të gjithë ata që nuk kanë shkuar në Spaç asnjëherë, që as nuk u ka shkuar mendja të shkojnë asnjëherë. Edha ata që i ka çuar halli a një shërbim atje, por nuk kanë udhëtuar vetë, edha ata m’u dhimbtën. Edhe ata që janë paguar për të shkuar atje se nuk kanë shkuar vetë, edhe ata m’u dhimbtën. Kur u ndamë nga Udha e Kombit dhe hymë në udhën për Spaç, nuk e di sa e çfarë kam folë me ty, por më shumë kam folë pa zë për veten e me ty Havzi.
Ti ke “shëtitë” në shumë burgje e kampe, por Spaçi në këtë grykë të thellë, të shmangur e të veçuar qenka tmerr. Edhe për kafshët e zogjtë qenka vend i frikshëm. Për turqit që paskan një minierë mbi godinat e kampit të Spaçit nuk e di çfarë është…
Kjo ura këtu për të hyrë në Spaç e lartë dhe shumë e frikshme më tmerroi. Mu bë se kjo urë e frikshme ishte e vetmja mundësi për të lidhë jetën me vdekjen. Përtej urës, në Spaç ishte mbretëria e vdekjes, këtej urës mbretëria e jetës skëterrë. Përtej Urës zgafellat e vdekjes, këtej Urës kampi i madh i përqëndrimit, përtej Urës burgu i vogël, këtëj Urës burgu i madh i të gjithëve. Përtej Urës edhe mund të mallkoje e shaje diktatorin, këtej Urës po e shave dhe mallkove, kaloje përtej urës… U ndalëm këtëj urës dhe e shihja atë. Më shkaktoi frikë ajo urë.
Gjithë kohës, veç sa flisja me ty Havzi, mendoja gjëra të tjera shpesh.
Havzi, ka shumë urrejtje, ende shumë urretje ndër ne, shumë përbuzje e mospranim. Po thellohet hendeku mes të dënuarve dhe jo të dënuarve, po thellohet mospranimi edhe tri dekada pas shembjes së diktaturës. Sepse kanë dalë ca zëdhënës të paautorizuar të të përndjekurve realë dhe duan pushtet, duan pushtetin dhe mallkojnë gjithë të tjerët…
Kujtoja fjalët e tua që ia thoje në burg Ismail Didës së Përbregut me të cilin udhëtove në një veturë kur të kthyen nga Prizreni e të këmbyen pasi u arratise në 1967. Vitet e fundit të burgut i thoje Ismailit:
“Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri. Por kena me mbyll shumë gjana dhe kena me veprue si u ka hije njerzve me mend. Përndryshe nuk e merr vetin kurrë Shqipëria. Gjaku me gjak nuk lahet se bahet një pellg tjetër gjaku që s’e lan e s’mundet me e la kurrë të parin”.
Besoja dhe kështu ndodhi Havzi. Të dënuarit që dolën nga burgjet komuniste nuk morën hak. Jam mrekulluar në fakt gjithë këto vite me këtë madhështi të të dënuarve politikë shqiptarë. Por duket se ata që nuk ishin politikë por ordinerë dhe u fshehen mes të dënuarve politikë, ata njollosin të dënuarit realë politikë…
Enveristët që nxisin urrejtje e konflikte përmendin gjithmonë se kush, kë, cili, pse e dënoi filanin a fistekun. Përmendin gjithmonë bashkëpunëtorët e sigurimit, deshmitarët, nuk lënë mallkim pa ua bërë atyre, por nuk guxojnë të akuzojnë, shajnë apo mallkojnë apo makar të përmendin operativët që i kanë ndjekur e survejuar, shefat e operativave, kryetarët e degëve të brendëshme, prokurorët, gjykatësit, hetuesit, këta nuk i përmend kush. Pra nuk i përmend as akuzon askush punëtorët e sigurimit të shtetit por vetëm bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.
Kujtova gjithmonë se të denuarit politikë shqiptare e kishin kuptuar se nuk i kishte dënuar individi, kojshia, lagjja, ndërmarrja, brigada, por i kishte dënuar partia, politika, vija e partisë.
Besoja e besoj ende shumë se të dënuarit politikë shqiptarë nuk fajësonin policin apo bashkëpunëtorin e operativit që i thonë spiun në përditshmëri, nuk fajësonin ekpertizë bërësit kur i porosiste apo kërkonte ekspertizat gjykata, prokuroria apo hetuesia sepse për një njeri që i ishte prerë kostumi i burgut, ishte formalitet proceduarial bërja e ekspertizës. Në mos njëri, tjetri do e bënte ekspertizën ose shkonte tek vendi si i padevotshëm për partinë… Sigurisht edhe ata e kanë hisen e fajit të tyre.
Pas tri dekadave ndizen shpesh vatra zjarri urrejtje. Sot 30 vjet pas diktaturës, ka njerëz që me una zjarri në duar ecin lart e poshte të ndezin zjarre urrejtje. Ka njerëz sot Havzi që ndjehen në terr me jeten e tyre dhe duan të ndezin zjarre urrejtje që të ndriçojnë fytyrën e tyre të zezë si nata. Nuk kanë dritë të brendëshme shpirtërore dhe urrejnë…
Njerëz që nuk bënë prokopi, që u mbytën në pazotësi e anonimat, që vuajnë për emër, famë e lavdi, që duan të jetojnë me mëshirën e lëmoshën e të tjerëve, shalojnë fatkeqësinë e tyre dhe rendin të ngrenë pluhur në fushën e shkretëtirës së tyre shpirtërore. Që ne ta shohim pluhurin e tyre. Dhe të flasim për to mundësisht përditë të flasim.
Shkuam në Spaç Havzi dhe aty përjetova emocione të papëshkrueshme. Të thashë, ja, të solla tek “sarajet” e tua Havzi.
Shumica e shqiptarëve nuk e dinë se çfarë është kjo që po shohin sot sytë e mi për herë të parë, vonë, shumë vonë. Ndjehem shumë me faj. Jam 30 vjet i vonuar, 30 vjet fajtor ndaj vetes… Sa janë si unë që kanë munguar të vijnë në Spaç…
Këtu po më duket sikur kemi varrosë veten tonë, kemi varrosë qëndresën, vuajtjen, kemi varrosë guximin tonë për me u përballë me këto që shohin sytë e mi, me këtë hi që shohin sytë e mi dhe që unë mundem ta ndërtoj nga hiri madhështinë e njerzve që kanë bërë qëndresë këtu, që kanë pësuar vuajtjet më çnjerzore këtu…
Se kemi harruar, se kemi munguar ne të gjithë të vijmë këtu e në kampe e burgje të tjera tmerri ndaj jemi kështu siç jemi, jemi ende në luftë e konflikt, jemi ende armiq, jemi ende dy pole, dy grupe që etiketojmë ende njëri tjetrin, jemi njerzit e rij të socializmit të Enver Hoxhës që luftën e klasave e shohim si motorrin që vë në levizje jetën tonë.
Ne që kemi varrosë kështu mizorisht Spaçin e shumë vende të tjera si Spaçi, plot kampe tmeri e burgje vdekje, kemi cënuar memorien tonë, e kemi fshirë dhe nuk dimë tashmë nga t’ia nisim nga e para.
Historitë e tragjedive tona ne i fshijmë.
I dashur Havzi, po më ngjallen dhjetra kujtime e rrëfime për ty e shokë të tu, rrëfime tmerri.
Por ne nuk guxojmë ta shohim Spaçin në sy.
Ne si shoqëri kemi për detyrë që gjithë gjimnazistët e vendit, gjithë shkollarët e vendit t’i sjellim këtu të shohin rrënojat tona, të shohin ku kemi rënë e çfarë kemi shembur. Askush, pothuaj askush nuk vjen këtu se ende kujtojmë se armiqtë janë këtu e duhet të vijnë këtu…
Havzi…
Më bëhet se e shoh thikën që deshi me të therë ty…
Më bëhet si i dëgjoj dëshmitarët që të dolën në gjyq kundër dhe ti u the se je dakort me të gjitha çfarë thonin ato kundër teje.
Shoqëria jonë do të fillojë të shërohet nga urrejtja e hipokrizia kur të pranojë Spaçin e vendet e tjera të tmerrit, kur të vendosë ta njohë Spaçin e vendet e tjera të tmerreve, kur fëmijët tanë do ta vizitojnë Spaçin e vendet e tjera ku vuanin e poshtroheshin shqiptarët se nuk e donin partinë apo mendonin ndryshe…
Nëse do të vijë një qeveri që do ta fusë me detyrim në program shkollor një javë në vit vizita në vendet e tmerrit të diktaturës, besoj se do të fillojmë të shuajmë unat e urrjetjes që e mbajmë të ndezur. Ndoshta kur të bëhem unë ministër…
Havzi, ende nuk dinë njerzit asgjë çfarë ke shkruar ti për Spaçin, për tmerret këtu, për Revoltën e Spacit, për shokët që t’u vranë për shkak të revoltës së Spacit, çfarë hymni ke shkruar ti…
Spaç, vendet e tjera të tmerrit, burgu i Tiranës e shumë burgje të tjera, duhet të shihen nga gjithë shqiptarët, nga turistët, duhet të sillen në Tiranë dhe të mos imponohen njerzit të shkojnë larg për të parë fytyrën e krimit enverist.
Havzi, unë e di jetën tënde, besoj e di, jetën publike politike që nga mbledhjet kërcënuese tmerruese para arratisjes tënde në 1967 e deri sot që je bust këtu në makinën time dhe po të çoj në Spaç e pastaj në Kukës. Nuk di asnjë vogëlsi e shpirtvogëlsi tënden por vetem gjëra madhështore, deklarime madhështore. Thonë që ke qenë nervoz, çakmak, çapraz, emocional, por unë nuk e di. Unë di tani si rrallëkush tjetër veprën tënde madhështore në shtatë fletore me 5548 vargje që nuk e dinë njerzit, nuk e ka parë askush me vemendje e dashuri deri sot e aq më pak për ti botuar siç po bëj unë.
Në të majtë të përroit pashë varrezën e të burgosurve që vdiqnin ose i vrisnin aty. U trondita e u frika nga ajo varrezë. U lëndova e pendova rëndë që nuk e kam parë as ditur. Mallkova që nuk e kanë bërë shumë të njohur këtë varrezë por e kanë lënë në harrim ata që duan të harrohet se ka patur kamp të tillë mallkimi e tmerri si Spaçi.
Shih majtas teje Havzi. Nuk e kanë bërë deri sot fotografi të parë të Spacit por na kanë dhënë muret, dhomat, tullat, tabelat… Në atë varrezë e shoh duke dhënë shpirt dinjitetin tonë si shtet. Sa falls që jemi. Sa të pashpirt! Në atë varrezë shoh të varrosur shtetin tonë!
Kush janë ato të vdekur aty në atë varrezë përtej këtij përroi të mallkuar Havzi?! Ku janë emrat e tyre Havzi?! Ku janë shkruar emrat e tyre?! Cila ministri i ka ato emra, cili ministër, cili zyrtar shteti që ka marrë post nga shtresa e të përndjekurve politikë i ka shkruar në kujtesën e shtetit ato emra, cila zyrë shteti, cili muze?! Këtu ku është kjo hartë e kësaj varreze pse të mos jenë emrat e atyre të varrosurve aty. A e kanë biografinë e keqe ato të vdekur në Spaç, Havzi…?!
Sa doja të bëhesha zog të shkoja tek ato varreza pa emra përtej përroit. Shih, janë disa lisa që po rriten aty në varrezë. Secilit lis do doja të shkoja e t’i vija emrin e një të burgosuri që është varrosur aty. Secilit lis do doja të shkoja e t’i vija një reth metalik me emrin e të vdekurit që është varrosë aty, që kur lisi të rritet, rrethi të mbetet duke hyrë në lis, në mishin e lisit si prangat në duart e në shpirtin e të burgosurve shqiptarë antikomunistë. Të ulesha në gjunjë aty e të heshtja. Jam i pazoti fizikisht tani ta bëj këtë Havzi…
Sa njerez janë aty që as familjet e tyre nuk e dinë se ku i kanë. Se nuk kemi aq respekt ne për ata që kanë vdekur, nëse nuk kemi interes për të vdekurin, nëse nuk fitojmë prej tij. Havzi, ka patur edhe njerëz të vetmuar njeri pa njeri në burgjet tona, njerëz që nuk u binte askush mbrapa se nuk kishte kush ti ndiqte…
Zoti i do, i pranon të vdekurit që janë varrosë aty në atë shpat mali përtej përroit të tmerrshëm, ne jo, ne nuk i duam as nderojmë se ne nuk fitojmë prej tyre, nuk fitojmë as famë, as nam, as lekë, as nder as pushtet prej të vdekurve të Spaçit.
Pashë bashkë me ty vendet ku kanë qenë parullat, vendin ku ka qenë fotrografia e Enverit. Pashë vendet e kontrollit, pashë vagonin, pashë shumë gjëra, shumë. Unë kam punuar në galeri dhe e di minierën, kam punuar në gjeologji dhe e di. Por unë shihja më shumë se sa shihet aty, më shumë se sa ka aty…
Të shihja ty Havzi të gjallë duke ecë, duke hyrë e duke dalë. Ishe burrë i fuqishëm, i guximshëm, trim.
Unë të thashë se të solla te sarajet e tua këtu në Spaç se këtu ti ke qënë njeri i njohur, shumë i njohur.
Havzi ti ke shkuar në burg flakë për flakë poezi për herojtë e revoltës së Spaçit të 21 majit 1973 që zgjati 3 ditë.
E ke shkruar në burg historinë, në poezi, ato ditë e jo pas burgut… 70 të burgosur u arrestuan dhe u rigjykuan se morën pjesë në protestë, 8 të burgosur të tjerë u ridënuan me nga 25 vjet burg. Katër nga të burgosurit Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai u dënuan me pushkatim, duke u bërë herojtë e tu Havzi.
Ti ke shkuar direkt në burg ato ditë, nuk ke shkuar pasi ke dalë nga burgu… Ke shkruar flakë për flakë se ishe poet jo pahiri, ishe poet antikomunist në burg e jashtë burgu.
Ja si shkruaje për revoltën e Spaçit e herojtë e saj që u pushkatuan: “Skënder Daja e Pal Zefi / Dervish Bejko vrullin mori / Si n’furtunë kur fryhet deti, / U tmerrue prej nesh mizori / U ngërdhesh e dhambët nxori.” Havzi, 28 vjet pas diktaturës ti po e sheh edhe një herë këtë varr gjigant të hapur për të cilin nuk ka asnjë kujdesje se nuk ka kujdesje për sakrificën tuaj nga ne të gjallët.
Havzi po të them këtu në Spaç se nuk ka ndryshuar shumë gjë nga ajo kohë në jetën tonë. Nuk ka më Spaç e kampe e burgje të tilla në realitet nëpër Shqipëri, por të jesh i sigurtë se ka kampe e burgje më të tmerrshme në kokat e shumë njerzve.
Ndërsa nisim të ikim, sytë e mi mbetën në shpatin matanë godinave. Aty tek varreza që prezantohet sapo afrohesh me hy në Spaç. Dhe mendja ime fluturon në gjërat që nuk i di. Sa njerëz kanë vdekur dhe janë varrosur tek ajo varrezë përballë godinave në të majtë të përroit. Nuk kanë asnjë gjurmë, asnjë gur te kryet ato varreza. Nuk e di askush sa veta kanë vdekur e janë varrosë aty. Po sa veta që mund të jenë zhdukur pa i mbërritur kufoma aty. Sa do ta doja një statistikë të saktë sa kanë vdekur e janë zhdukur në Spaç, në këtë repart të frikshëm tmerri të fshehur prej diellit e prej zotit.
Udhëtojmë për Kukës ku do të ngrihesh në piedestal, në bulevardin qëndror para gjimnazit të vetëm të qytetit, vendit më të populluar nga rinia…
Ne të tjerët përsëri do mbetemi në tokë, të vegjël, ngatërrestarë dhe do ta jetojmë këtë kohë socializmin në mendjet tona që na ka lidhë me prangat e urrejtjes, prangat e njeriut të ri që ndërtoi për gjysmë shekulli Partia e Punës së Shqipërisë, ish Partia Komuniste.