Në shtator në Tiranë, e në nëntor edhe në Prizren dhe në Prishtinë, ka nisur rrugëtimi i filmit dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut, ndërkaq pritet që të emetohet edhe në Itali, SHBA, Maqedoni e gjetiu. Filmi është kurorë e një pune shumëvjeçare e skenaristit Fahri Musliu dhe regjisorit Valmir Tertini, të cilët në rrugën e realizimit hasën në shumë peripeci e pengesa serioze, që nga ndërprerja e hovit të xhirimit me fillimin e pandemisë, e gjer te problemet financiare, ku kapitull në vete paraqet injorimi ose nënvlerësimi institucional i figurës së aktorit të madh, Bekim Fehmiut.

Në një intervistë dhënë gazetarit dhe publicistit Daut Dauti, të cilën në tërësi do ta botojë gazeta “Koha”, për të gjitha këto probleme ka rrëfyer gazetari Fahri Musliu, i cili, pos që është skenarist i këtij filmi dokumentar, është dhe autor i dy monografive kushtuar Bekim Fehmiut.

No description available.

NGA IDEJA GJER TE REALIZIMI

“Ideja për realizimin e filmit dokumentar të metrazhit të gjatë  kushtuar jetës dhe veprës së aktorit më të madh shqiptar të filmit, deri më tash, me famë botërore, ka lindur qysh më 2016 nga regjisori i ri Valmir Tertini, një bashkëvendës imi i lindur në Gjakovë, regjisor i shkolluar në Prishtinë e Tiranë ku edhe punon si profesor dhe xhiron filma kryesisht dokumentarë. Ai qysh atëherë gjatë disa takimeve në Prizren më propozoi që të bëjmë një film për Bekimin. Dorën në zemër u habita se si, ky regjisor i ri, e preku nervin tim dhe e zgjoi dëshirën time të heshtur për realizimin e filmit kushtuar Bekimit, e cila zihej në shpirtin tim disa vite gjatë punës në monografinë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, botimi i parë botuar më 2015.” Që në fillim e refuzova idenë për dy arsye, ndonëse brenda bëja një luftë me vetveten: e para – nuk kisha njohuri për punën në realizimin e filmit, e isha skeptik edhe sepse e dija se të bësh film për Bekimin është përgjegjësi e madhe ngase filmi duhet të jetë i cilësisë së lartë profesionale se kemi të bëjmë me një figurë kolosale ndërkombëtare me karakter e kode të ashpra profesionale e njerëzore e dyta – nga përvoja me disa nisma për Bekimin, e dija se problem tjetër do të jetë përkrahja financiare institucionale në Kosovë e Shqipëri, pa të cilën nuk mund të realizohet një projekt i tillë me karakter kosovar, gjithëkombëtar e ndërkombëtar.

Mirëpo, insistimi dhe këmbëngulja e regjisorit Tertini ndikoi që më në fund, në mars të vitit 2019, të pranoj ta shkruaj skenarin e filmit kuptohet me disa sugjerime të regjisorit meqë ishte skenari i parë për mua dhe atë për film dokumentar, i cili nuk ka narracion, sepse nuk kishin asnjë deklaratë apo intervistë të Bekimit nëpër televizione përpos një interviste të vitit 2001 në TV e Beogradit  “B-92.” 

I hyra punës për përgatitjen e skenarit të cilin e kreva brenda 20 dite dhe me një dozë droje për herë të parë në jetën tim, ia dërgova regjisorit. Atij i kishte pëlqyer dhe përkthimin në anglisht ia dërguam edhe bashkëshortes së Bekimit, aktores Branka Petriq, e cila gjithashtu u shpreh pozitivisht.”

SFIDA E VËRTETË GJETJA E MJETEVE FINANCIARE

Pasi e ka shkruar skenarin, Fahri Musliu dhe regjisori, ballafaqohen me sfidën e vërtetë, atë të sigurimit të mjeteve financiare dhe të shëtitjes së tyre nga institucioni në institucion.

“Atëherë, producenti nga Kosova konkurroi në konkursin e qershorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës për subvencionimin e filmave të këtij zhanri por, për habi, komisioni para të cilit edhe unë e arsyetova skenarin,  na kish refuzuar duke subvencionuar katër filma të huaj me shuma nga 60.000 euro. Regjisori kërkon një producent tjetër nga Shqipëria i cili ia doli të sigurojë një shumë modeste të financave nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, dhe më 24 janar të vitit 2020 i nisëm xhirimet e para në Beograd me bashkëshorten e Bekimit, regjisorë, aktorë, kritikë filmi. Vazhduam xhirimet në Sarajevë, aty ku ka lindur dhe ka jetuar 3 vjet Bekimi me prindërit dhe ato pamje filmike të shtëpisë së tyre janë të parat që i prezantohen publikut. Tempin e xhirimeve e vazhduam në Zagreb, Prishtinë, Prizren dhe gati realizuam 2/3 e skenarit. Për shkak të pandemisë “Covid 19” i ndërpremë xhirimet në Shqipëri, Itali, Francë dhe SHBA, siç parashikohej me skenar. Njëkohësisht në qershor të vitit 2020, KQK serish e refuzoi subvencionimin e filmit dhe na u desh të kërkojmë mjete nga burime tjera por nuk hasëm në mirëkuptim, pos komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe të Dragashit që akorduan shuma modeste të tyre si dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Prishtinë dhe Beograd e disa persona privatë.

Xhirimet në Tiranë e Shkodër vazhduan më 2022 kurse në Itali në gjatë këtij viti dhe pas montazhit të materialit voluminoz të xhiruar, filmi prej 66 minutash u bë gati për premierën e madhe në Tiranë më 21 shtator, dhe e vazhdojë rrugëtimin e premierave në Prizren më 23 tetor dhe Prishtinë 16 nëntor. Fatkeqësisht nuk patëm fat të që në film t’i kemi partneret e Bekimit në disa filma kult si aktoren Irena Papas meqë ishte plotë 5 vjet e sëmurë dhe ndërroi jetë më 2022, Klaudia Kardianlen e Kendis Bergenin, menaxheri i së cilës kërkoi një shumë të madhe të honorarit.  Po të ishin këta emra të parashikuar me skenar, filmi do të fitonte një peshë më të madhe, veçmas me Irena Papasin. “

No description available.

TROKITJA NGA DERA NË DERË

Pra problemi kryesor ishin financat respektivisht injorimi apo bojkotimi që projektit ia bënë institucionet qendrore e lokale të pushtetit të Kosovës.

“Pas refuzimit nga QKK, kam dërguar tri kërkesa në qeverinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Kulturës, madje edhe kam pas po aq herë takime me kryeministrin dhe ministrin e kulturës, por nuk hasa në mirëkuptim. Kryeministri më thoshte se qeveria nuk ka të drejtë të marrë vendime të tilla por do të bisedojë me ministrin e Kulturës. Mirëpo pikërisht Qeveria, në mars të këtij viti, mori vendim (pa konkurse ftesë) që t’ia ndajë 70.000 Euro diplomatit amerikan Uiliam Uoker për përgatitjen dhe botimin e librit “Masakra e Reçakut”. Merrni me mend libri duhet të shkruhet pas 24 vitesh nga masakra në fjalë nga personi që nuk ka njohuri pos që ka qenë atë ditë aty dhe e ka përfunduar detyrën e vet. E dihet se pala serbe para shumë vitesh e ka botuar librin voluminoz dhe me shumë dokumente “Masakra e Reçakut” si dhe filmin dokumentar në dy vazhdime. 

Kurse ministri më përgjigjej se duhet të konkurroj në ftesën për subvencione edhe pse e dinte se jemi refuzuar dy herë. E që është më keq kryeministri i Qeverisë  Kurti 2, më 1 qershor të vitit 2021, në 85 vjetorin e lindjes Bekimin, tha se shteti do të kujdeset për ruajtjen dhe afirmimin e Bekimit si vlerë kombëtare. Nisur nga kjo ministri i Kulturës kishte formuar një Grup të punës i cili kishte detyrë të përgatisë propozimet konkrete për projektet që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin  dhe afirmimin e figurës dhe veprës së aktorit. Mirëpo propozimet konkrete të këtij Grupi ku përfshihej edhe ribotimi i monografisë dhe botimi i saj në anglisht, si dhe financimi i filmit mbetën vetëm në letër sepse ministri as pas dy vitesh nuk i ka miratuar. Ngjashëm ndodhi edhe me pushtetin lokal në Prizren ku me ndërhyrje të kryetarit të atëhershëm Mytaher Haskuka komisioni i shqyrtimit të aplikacioneve e refuzon kërkesën tonë në qershor të vitit 2020. Mirëpo në vjeshtën e atij viti, në ftesën e dytë, dhe me angazhim të drejtoreshës së atëhershme të kulturës Emilija Rexhepi, akordohet një shumë modeste për filmin edhe përkundër kërkesës së kryetarit që të mos ndihmohet filmi me arsyetimin se “Fahriu shumë po e kritikon pushtetin”, edhe pse në shkurt të atij viti në takimin në zyrën e tij më siguroj se komuna do ta subvencionojë filmin. Hipokrizi.

Ngjashëm veproi edhe pushteti i ri në krye me kryetarin Shaqir Totaj edhe përkundër premtimeve të tij dhënë mua direkt dhe në fushatë elektorale se komuna do të kujdeset dhe do t’i ndihmojë projektet  kushtuar Bekimit. Madje në takimin me kryetarin në mars të vitit 2022 ai kërkoi që me shkrim t’ia dërgoj propozimet për projektet por edhe për kulturën në përgjithësi në qytet. Por ndodhi njëjtë se në qershor të vitit 2022 u refuzua kërkesa jonë me një arsyetim banal. Madje edhe më keq. Zoti Totaj, si anëtar i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës e ka bllokuar kërkesën dërguar këtij forumi që komunat ta ndihmojnë filmin, duke nënvizuar “se komuna e Prizrenit do ta ndihmojë filmin”, për çka më njoftoi sekretari i Asociacionit dhe m’u lut të bisedoj me te. Shkova në takim ndonëse e dija se nga ky premtim i tij nuk ka asgjë dhe aty mora përgjigjen se “komuna nuk ka mundësi të ndihmojë, duhet konkurruar në ftesën për subvencione  të drejtorisë së kulturës dhe unë mund të ndihmojë vetëm me 500 euro sa më takojnë me ligj…”.

KU MBETI SHTËPIA MUZE?

Ja, kështu kanë qenë peripecitë për realizimin e filmit dokumentar, por Fahri Musliu rrëfen edhe një çështje tjetër ku shihet moskujdesi i mjaftueshëm institucional ndaj figurës së Bekim Fehmiut. Duke qenë nga Prizreni, si edhe familja e Bekim Fehmiut, ai është përpjekur për një shtëpi muze, e cila nuk është rrumbullakuar siç e ka menduar.

“ Shtëpia muze nuk është bërë ende. Para disa vitesh kam kërkuar nga komuna të ndajnë një lokal për ekspozimin e fotografive, të shkrimeve për Bekimin, librave të tij e për te dhe të gjësendeve tjera. Pas tri vite pritjesh, në qershor të vitit 2021, nga Drejtoria e Kultures në Prizren, më njoftuan se kryetari Haskuka ka marrë vendim për të na dhënë një lokal në qendër të qytetit. Shkova në drejtori dhe personi përgjegjës ma kumtoi lajmin pa ndonjë vendim me shkrim, më tregoi cili lokal është, por më tha se nuk i ka çelësat. Deri në shtator heshtën dhe atëherë zyrtari kompetent më thirri, m’i dha çelësat dhe e vizutuam lokalin. Edhe pse nuk i plotësonte nevojat tona dhe para tij gjendej parkingu që e pengonte hyrje – daljen, pranova por me kusht që të nënshkruajmë një memorandum për kushtet e shfrytëzimit dhe rregullimin e hapësirës. Ai më drejtoi te drejtori i administratës si menaxhues i lokalit, me të cilin u takova dhe e njoftova se lokali kërkon rregullim adekuate. Më tha se do ta dërgojë një arkitekt për ta bërë vlerësimin. Pasi u bë vlerësimi, drejtori në fjalë, i cili e kishte marrë raportin e arkitektit, më tha se do të më thërrasin për nënshkrimin e memorandumit. Ndërkohë siper derës hyrëse të lokalit, për të qenë më bindës, e kishin vendosur mbishkrimin ART GALERIA BEKIM FEHMIU që ashtu qëndron edhe sot e kësaj dite. Meqë ishin caktuar zgjedhjet lokale ata nuk ma ofruan memorandumin, mbase duke pritur të shohin se për kë do të votoj dhe loboj unë duke u nisur nga fakti se para katër vitesh më parë, bashkë me një mik timin, i siguruam votat e fitores për VV-së dhe Haskukën si kandidat për kryetar. Por unë u pata deklaruar dhe premtuar se do të bëj çmos që Haskuka të humbë dhe për këtë shkak nuk ma dhanë kontratën e shfrytëzimit, e bile as drejtori në fjalë, në përgjigjej në thirrjet dhe mesazhet e mia. Dhe çelësat janë tek unë . Në mars të vitit 2022 njoftova kryetarin e ri, Totaj, me këtë rast dhe kërkova ta zyrtarizojnë por ai më tha se këtë mund ta bejë vetëm Kuvendi e jo ai. Dhe kështu përfundoi kjo odiseadë me këtë lokal, i cili do t’i printe hapjes së muzeut…Fondacioni funksionon në kushte të vështira dhe pa mjete të nevojshme, sepse as institucionet shtetërore as ato ndërkombëtare nuk e panë të udhës të ofrojnë ndihmë financiare. Kështu që, atë e mbaj vetëm me angazhimin tim dhe projektet e planifikuara nuk po mund t’i realizojmë.”, përfundon Fahri Musliu./arsalbanica.mk