Shtatori nis me një event unik, ku pikniku tradicional transformohet në një takim më bashkëkohor, me muzikë elektronike dhe kënde argëtimi, ushqim dhe koktejle, degustim vere dhe çlodhje pranë natyrës dhe liqenit.

Më datë 6-7-8 shtator vjen për herë të parë në Tiranë “Fundjavë në Park”, një eksperiencë unike e fundjavës, me muzikë elektronike, koktejle të stinës, piknik në natyrë, kanoe, degustim vere, e plot aktivitete të tjera. Një mundësi e mirë për të qënë pranë natyrës, njëri-tjetrit, për të shijuar komunikimin në një nga ambientet më çlodhëse të Tiranës: Parkun e Madh të Liqenit.

“Fundjavë në Park” është një aktivitet muzikor në mjedis të hapur i organizuar nga projekti IntoAlbania që financohet nga USAID/Albania dhe Ambasada e Suedisë. Amfiteatri do të jetë “pika e takimit” në Parkun e Liqenit, për banorët dhe vizitorët e Tiranës, gjatë gjithë fundjavës së ardhshme: 6-8 shtator, për të shijuar kulturë, ritme të muzikës urbane dhe ushqim autentik, ofruar nga biznese shqiptare.

“Fundjavë në Park” sjell një eksperiencë të thjeshtë dhe një ndjesi minimaliste; artistët e muzikës elektronike në qytet, bar veror; brunch dhe piknik në natyrë; hapësira relaksi dhe kanotazh në liqen.
Aktiviteti zhvillohet më 6-8 shtator për të shijuar kulturë, ritme të muzikës urbane dhe ushqim autentik, ofruar nga biznese shqiptare.

Nga ora 12 e drekës në 12 të natës, për tre ditë fundjava do të jetë krejtësisht ndryshe në Tiranë. Që nga brunch-i relaksues në ndenjëset pranë liqenit, apo këndet dedikuar familjeve me fëmijë përgjatë orareve të ditës, tek perëndimi nën shijimin e verës, apo mbrëmjet në shoqërinë e një feste të pandërprerë muzikore, të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në një event që do t’i rikthejë më së miri në jetën urbane./atsh/