Nga: Luan Rama

Në fillim ishte një “tango e vdekjes”. Pastaj, ndoshta ai dëgjoi fugat e Bahut dhe titulli i poezisë madhore, bashkë me “qumështin e zi” u quajt Fuga e vdekjes.

John Felstiner, biografi më i njohur i Paul Anstelit apo sipas anagramës së mëvonshme Paul Celan, duke kërkuar rrjedhën e burimit të kësaj poezie, një nga më të dhimbshmet e simboliket e poetit të madh, zbuloi se në kampet e shfarosjes në Lublin-Majdanek, një orkestër hebrenjsh ishte detyruar të interpretonte tango, ndërkohë që të dënuarit shkonin drejt punës së detyruar apo në dhomat e gazit për të mos u kthyer më. Madje, një orkestër tjetër hebrenjsh interpretonte një pjesë muzikore të një kompozitori latino-amerikan të quajtur “Tango e vdekjes”, në kampin Janovska pranë Çernovcit, qytet që Celan e njihte mirë.

Ja pse në fillim, në vitin 1945, kjo poezi që titullohej “Tango e vdekjes” u botua më pas me këtë titull në Bukuresht në vitin 1947 në një përkthim rumanisht. Nuk dihet si ndodhi, por ndoshta nga tingëllimet e muzikës dhe fugat e Bahut që në një përmbledhje të tij poetike të botuar në vitin 1948, në Vjenë, poezia u quajt “Todesfuge” apo “Fuga e vdekjes”.

Për Celanin, tango e dikurshme u kthye gradualisht në një fugë mortore që mbartte mbi vete miliona jetë njerëzish. Ishte pikërisht kjo poezi që do të identifikonte gjithë qenien poetike të Paul Celanit gjatë gjithë ekzistencës së shkurtër të jetës së tij, sepse vetë Celani ishte një ngjizmë e një fuge me një psalme të vjetër hebraike, një ngjizmë e gjuhës së hebreut të shkrumbuar në tymin e krematoriumit me gjuhën gjermane të tij, pasi siç thotë dhe George Steiner, një nga studiuesit më të mirë të poezisë së Celanit lidhur me gjuhën e tij, “gjuha gjermane është ndoshta e vetmja përmes së cilës mund të depërtojmë në enigmën e Aushvicit, dm.th. duke shkruar “nga brenda gjuhës së vdekjes”.

Pra “Fuga e vdekjes” e Celanit të ngjan me një psalme moderne dhe biblike njëkohësisht. Ajo është një poezi asociative, pasi aty bashkëshoqërohen mitet dhe tregimet e Testamentit të Vjetër me apokalipsin nazist, jeta dhe vdekja. Është Gjermania e “flokëve të artë të Margaritës” së Gëtes dhe e çifutes së bukur me flokë të zeza, princeshës së Kantikës së Kantikëve, vajzës Sulamit, e cila për poetin është vajza me flokë prej hiri … prej hiri të bëra shkrumb. Brenda është “nata e kristaleve” dhe tymi i krematorëve me sy e ëndrra të shkrumbuara. Miliona ëndrra dhe sy, bashkë me “qumështin e zi”, të cilin poeti e provoi në ditët e err[ta të jetës në kamp.

Në 50-vjetorin e “Natës së kristaleve”, të natës kur filloi pogromi anti-semit në Gjermani, “Fuga e vdekjes” u recitua në Bundestag. Vargjet e Margaritës dhe të Sulamitit pikëlluan në ngjizjen e kujtesës.

Të lexosh sot “Fugën e vdekjes”, do të thotë të qash përsëri, do të thotë të të rrëqethet trupi dhe të të çahet shpirti. Do të thotë të mallkosh dhe të mërmëritësh këngë zije. Të fshish lotin, lotin kristal si të “natës së kristaleve”.

Paul Celan shkruan se ata hapnin një varr në ajër, një varr në qiell, “In der Luft”, i vetmi varr që mizoria njerëzore kishte rezervuar për ta. “Todesfuge” është për poetin si një këngë e vjetër hebraike për humbjen e prindërve të tij në kampet e shfarosjes.

Një mik i poetit kujton faktin që Celani i kishte treguar se kur ishte i ri, në kamp, atë e kishin ndarë nga nëna dhe i ati, dhe se kur kishte dashur përmes telave me gjemba të prekte dorën e atit të tij, dhëmbët e një roje gjermane e kishin kafshuar dhe nga frika ai nuk kishte tentuar më ta prekte atë dorë të zgjatur të tij. Ajo dorë e tërhequr, ai peng i madh do ta bënte atë të vuante gjithë jetën, pasi i ri siç ishte, ai nuk kishte dashur ta besonte se prindërit e tij nuk do të ktheheshin më. Vargje të afërta me “Todesfuge” ai i kishte shkruar që në vitin 1944, atëherë kur lufta ende nuk kishte mbaruar:

“Bëjmë një varr dhe vazhdojmë të vallëzojmë …
bjerini ëmbëlsisht aries së vdekjes, thotë zoti gjerman
që si një brymë shkon nga një vend në tjetrin
dhe në mbrëmje kur muzgu vjell gjak
duke ripërtypur hap gojën time të vrarë
në qiell gërmojmë një shtëpi për të gjithë,

të gjerë si një arkivol, të ngushtë si ora e vdekjes …”

Paul Celan nuk mundi ta mbante barrën e tmerrshme të shkatërrimit, nuk mundi ta mbyllte brenda vetes plagën e popullit të tij, nuk mundi ta largonte imazhin e tymit të zi që ngjitej nga oxhaqet e ngrira nën dëborën e pistë. As mërmërimën e këngës në jidishe. A nuk thoshte ai që “ora e krijimit të poezisë nuk dihet, ajo është në errësirë?” Një natë plot yje, nga ura Mirabeau, ai fluturoi si në një tablo të Chagallit dhe u hodh dhe humbi në ujërat e Senës, të cilat reflektonin një qiell të yjëzuar. Ndoshta ishte ai qiell që ai kërkonte për të paqëtuar shpirtin e vrarë të tij në orën e adoleshencës…

***

FUGA E VDEKJES

Poezi nga: Paul Celan
Përktheu: Luan Rama

Qumështin e zi të agut ne mbrëmjeve e pijmë
e pijmë në mesditë dhe mëngjeseve dhe netëve e pijmë
pijmë dhe pijmë
hapim një varr në qiell ku s’jemi të shtrënguar
Një njeri banon në shtëpinë që luan me gjarpërinjtë e shkruan
shkruan kur bën errësirë në Gjermaninë e Margaritës flok’artë
shkruan dhe shkon para portës së saj ku yjet përshkëndrijnë dhe ndjell qentë
ai u klith hebrenjve të tij e hap një gropë në tokë
hajde luani tani urdhëron ai këndoni e kërceni

Qumësht i zi i agut të pijmë netëve
të pijmë mesditave e mëngjeseve të pijmë mbrëmjeve
pijmë dhe pijmë
Një njeri banon në këtë shtëpi ai luan me gjarpërinjtë e shkruan
shkruan kur bije nata në Gjermaninë e Margaritës flok’artë
e flokëve të tua prej hiri Sulamit
ne hapim një varr në qiell ku s’je i shtrënguar
Ju atje më thellë gërmoni klith ai
dhe ju te tjerët këndoni dhe luani
ai kap hekurin në brezin e tij dhe e tund sytë e tij janë blu
belat futini më thellë në tokë dhe ju të tjerët luani e kërceni

Qumështin e zi të agut ne e pijmë netëve
pijmë mesditave dhe mëngjeseve, pijmë mbrëmjeve
ne pijmë dhe pijmë
Një njeri banon shtëpinë e Margaritës flok’artë
E flokëve të tua prej hiri Sulamit
ai luan me gjarpërinjtë

Luani më ëmbël vdekjen klith ai vdekja e zotit të Gjermanisë
Me një timbër violinash më të zymtë klith ai
dhe ju atëherë në tym do ngjiteni në qiell
një varr do të keni ndër re ku shtrënguar nuk je

Qumësht i zi i agut ne të pijmë netëve
të pijmë mesditave vdekja është një zot i Gjermanisë
ne të pijmë mbrëmjeve dhe mëngjeseve ne pijmë e pijmë
vdekja është një zot sy-kaltër i Gjermanisë
me një plumb të godet drejt e në shenjë
një njeri banon shtëpinë e Margaritës flokë’artë
lukuninë e qenve ndërsen mbi ne dhe një varr na ofron në qiell
ai luan me gjarpërinjtë dhe ëndërron vdekja është një zot i Gjermanisë
flokët e tua të artë Margaritë
flokët e tua prej hiri Sulamit.