Nga: Arif Molliqi

Lufta mbinjerëzore e popullit shqiptar nëpër shekuj që ta çoi Shqipërinë deri të pavarësia ishte e gjatë, e vështirë, e mundimshme dhe e shfaqur në forma të ndryshme. Edhe pse gjatë këtij formimi, shqiptarët nëpër shekuj luftuan për mëvetësi, por më shumë kanë qenë në luftë për të mbijetuar nga sundimi i pushtuesve osmanë e, sidomos nga yryshit sllave që lakmonin gjithmonë në tokat shqiptare.

Në këto kushte të rënda, gjendje lufte dhe mbijetese, ishte krijimtaria shpirtërore, ishte kënga folklorike dhe popullore që e pasqyroj kohën, që luajti rolin e historisë. Folklori zuri rrënjë në opusin epiko-historik duke e pasurua trashëgimin kulturor të popullit. Me përmbajtjen e formën e saj artistike, me gjinitë e llojet e tyre, me figurat e ritmet e këngëve u dëshmua lufta dhe mbijetesa e popullit. Pra, historia e formimit të këtyre vlerave ishte historia e vetë popullit në luftën për ti mbrojtur tokat e veta, për ta mbrojtur ekzistencën e vet karshi sulmeve dhe plaçkitjeve që i bëheshin nga sunduesit dhe fqinjët grabitqar. Andaj, e gjithë krijimtaria artistike popullore e folklorike shqiptare nuk ishte dekor i jashtëm, nuk ishte një stoli formale, por një shpërthim, një kryengritje e brendshme, një shprehje e botës shpirtërore për pavarësi, një ecje drejt zhvillimit të tyre historik, drejt thellësisë së mendimeve, e ëndrrave dhe e aspiratave për një shtet-formim që do t´ju del zot këtyre dëshirave.

Dhe, krahas luftës se vazhdueshëm për liri, populli e konsolidoj identitetin e vet, individualitetin e vet përmes krijimeve të veta qofshin ato të legjendave, baladave, të këngëve kreshnike, epike, lirike.

Ne këto përplasje edhe lindi kënga “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, me një autor të panjohur. Këtë këngë e kemi gjetur edhe në dy variante të tjera, që pak a shumë ndryshojnë vetëm nga titulli i këngës kurse përmbajtja është e njëjtë. Në “Epikë Historike Kosovare” – Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1985, faqe 227, e gjejmë në variantin “Bajraktart ja kan´ gri të tanë”, të kënduar në vitin 1958 në Rrashbull të Durrësit nga rapsodi i njohur Dervish Shaqa, Llukë e Epërm. Të njëjtën këngë e kemi gjetur të kënduar nga këngëtar edhe në variantin “Asllan Pasha mbledh verginë”.

Ngjarja e kësaj kënge zhvillohet në fshatin Isniq të Deçanit. Azllan Pasha, sundimtar i lartë turk nga Peja, i shoqëruar me pesë bajraktarë, shkon në Isniq për të mbledhur verginë – taksën:

“Azllan Pasha n´gjog të Bardhë,
na i ka mbledh´ pes´ bajraktarë
shkoi n´Isniq vergin´ me marrë.”

Vetëkuptohet se për isniqasit nuk ishte vetëm taksa ajo që i detyronte t´i kundërviheshin pashait, t´ja kthenin pushkën. Ata tashmë ishin mësuar duke u mbrojtur me armë në dorë nga plaçkitjet, nga sulmet që shpesh u vinin nga sundimtarët, sado që ata në fshat ktheheshin më kërkesa plot lajka e, që, në brendësi të atyre fjalëve përkëdhelëse fshihej dinakëria e pushtuesit i cili dinte të nxirrte kokë me veprime ndëshkuese. Duke i ditur këto metoda, Isniqi gjithmonë qëndronte i përgatitur që në raste të nevojshme t´u kundërviheshin pushtuesve më armë. Ishte kjo koha kur taksa mblidhte qeveria turke dhe ato ishin të rënda dhe të papërballueshme. Taksa paguhej për shtëpi, paguhej për tokë, taksa paguhej për bagëti, për djerrina, për kullota, për mal…

Mirëpo, procesi mbledhjes së taksave në Isniq për Azllan Pashën përfundoi me konflikt. Isniqi jo vetëm mbledhjen e taksave, por edhe mbrojtjen e tokave shqiptare e priti me rezistencë të organizuar ngase, kur Azllan Pasha erdhi në Isniq për të vjel taksa, ai s´ishte përgatitur vetëm më “pesë´” bajraktar, por kishte marrë me vete edhe ushtar meqë kishte informacione se isniqasit nuk i nënshtron e as nuk japin aq lehtë tagrambledhësve. Aq më tepër kur një pasha me ushtri merrte rolin e tagrambledhësit duke menduar se vet prezenca e tij me bajraktarë dhe ushtarë do t’i frikësonte burrat e fshatit Isniq. Por, kësaj radhe, Isniqi organizon një pritje të merituar për pushtuesin.

“N´fun t´Isniqit kur asht dalë,
kur jan´ dal´ në fund t´Isniqit,
kan´ kris´ pushk´ për skej t´zidit.
Bajraktarve mir´iau ngjiti
jan´dhez´ tjerat prej çardaki
bajraktart i ka mlu gjaki,
i ka mlu gjaki, i kan´ gri të tanë
Asllan Pashën rop pe e nxanë…
S´e kan´ lan´ kurrgjë pa i thanë.”

Mirëpo, edhe pse Isniqi e kanë nxënë Azllan Pashën, ndera, trimëria dhe burrëria e isniqasve tregohet në një variant shumë figurativ dhe dramatik. Aty jepet figura e një luftëtari që sado në një situatë dramatike dhe shpërthyese, ai di ta ruajë nderin e djalërisë dhe luftëtarëve që edhe n´rast se e mund armikun duhet sjellë brenda normave të moralit njerëzor. Ky është virtyt vetëm e popujve të mëdhenj, luftëtarëve trima.

Ja si portretizohet kjo figurë epike përmes luftëtarit Tahir Dervishit. Me pak fjalë, kënga jep edhe lartësinë e luftëtarit, edhe trimin, edhe ndershmërinë, sepse, sado që gjuha e luftëtarit Tahir Dervishi ka urrejtjen për armikun, për pashën i cili ia kërkon taksen për tokën dhe pasurinë e tij, ai ngase e di se trimi nuk i bie për s´ratë kundërshtarit, i thotë, se i vjen keq prej veti:

“Kur jan´ dal´, tha, tu Rodishi [1]
t´madhe briti Tahir Dërvishi
Azlla Pashs për gjyks ja ngjiti,
Pshtymë e jargë në ftyrë ja çiti
Pshtymë e jargë në ftyrë ja pshteti
Mos me m’ardhë Pashë keq prej veti
Tana trutë celinë t’i treti…”

Pashai duke e pa veten shumë ngushtë, ai tani mundohet që përmes dinakërisë, përmes lojës së pakryer, tamam në stilin e një sundimtari të regjur dhe që njeh traditën shqiptare të lidhur për besën, kërkon ndihmë. Këtu na del si element metafora e gjerë që ka brenda himnin antik të shqiptarëve: besën dhe fjalën e dhënë. Në ketë metaforë, brenda lojës se pakryer të Pashait, na del një portret tjetër. Nuk është më ai pashai që drejton situatën. S´është më ai pashai që kur erdhi ndiente krenari dhe një forcë të pathyeshme. Para rezistencës, heroizmit dhe urrejtjes së Isniqit ai ndjehet i pafuqishëm, ndjehet i mundur dhe i turpërua nga luftëtaret isniqas dhe, i kthehet mënyrës politike, lojës metaforike të besës shqiptare, duke u mundua të justifikojë arsyen e ardhjes se tij. Ai provon t’i mashtrojë isniqasit me dinakëri se gjoja në Isniqi erdhi si mik i tyre për një vizitë miqësore e dashamirëse:

“Azlla´ Pasha n´gjog të bardhë:
-Nore t´juve, more Shalë,
se s’jam dal´ vergi me marrë
po për zijafet n´ket an´ jam dalë…”

Pjesë e dytë e këngës “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, është një groteskë dhe një antitezë e pjesës se parë. Tani Pashai sikur vihet para një turpërimi që i shkaktojnë burrat e Isniqit. Si duket, Pashai i ka prekur isniqasit aty ku janë të ndjeshëm me fjalët; “Nore t´juve mori Shalë”, duke i lutur në emër të fisit, besës, nderës. Isniqasit e lirojnë Pashain. Dhe, Pashai, i trishtuar, i hutuar, i frikësuar dhe i tmerruar nga qëndresa e Isniqit nuk di çka bën, nuk di si të vepron saqë edhe rrugën nuk mundet ta gjejë. Një rrugë prej një kilometrash mezi e kalon për “shtatë sahat”. Prandaj, tek këto vargje qëndron poetika groteske dhe ironia më e fuqishme e kenges dhe e krijuesit folklorik kur thotë:

“Azlla´ Pasha, Azlla´ gusha,
Shtat´sahat iu dokti Lbusha…” [2]

Gjithsesi, figura e pashai të dështua tregohet kur Azllan Pasha kthehet në Pejë. Ai në vend që të ecë më krenari nëpër qytet, ngase ka mbledhë taksën duke e fshatit Isniq, ai i turpërua, nuk dëshiron të flas. Ndoshta këtu për herë të parë pashai flet sinqerisht, kur ju tregon krejt atë çka i ka ndodhur në Isniq. Kur shehërlitë e pyesin si kalove në Isniq, ngase ai kishte dhënë fjalë të mëdha, Azllan pasha përgjigjet i turpëruar.

“Sot nuk muj selam m’u dhanë
Kesh´ n’Isniq edhe rob jam nxanë
s’e kan´ lan´ kurgja pa m’thanë
bajraktart m’i kan´ gri të tanë…”

Këngët “Azllan Pasha n´gjog të bardhë” është dramë e vërtetë. Ndonëse aty pasqyrohet një ngjarje lokale, përmes vargut poetik, përmes fjalës së artit këngëtari ka arrite ta sintetizojë për bukuri situatën e kohës, gjendjen kryengritës dhe rezistencën e fshatit Isniq në veçanti dhe te popullit shqiptar në përgjithësi.

Pra, nga kënga “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, shihet se Isniqi ishte një fshat që kishte shpirtin luftarak, atdhedashës, që në çdo kohë u kacafyt edhe me armikun shumë më të madh se ai vet.

[1] Vend takim mes Isniqit dhe Prapaqanit.
[2] Fshati Lëbush thuaja prej Isniqi nuk e ka as një kilometër.