(ISMET JONUZI-KROSI “JETA DJE DHE SOT NË LUGINË E POLLUGUT” SHTËPIA BOTUESE ARBËRIA DESIGN, TETOVË, 2006, FQ. 115…120)

“NGA GJIRI I VET NXORI NJERËZ TË NDRITUR”
/VIZITA MË 02.08.2003, ËSHTË BOTUR NË “FAKTI” MË 23.08.2003/

TË DHËNAT E PËRGJITHSHME
Bozovca gjendet në Malësinë e Sharrit 22 kilometra larg Tetovës, lartësia mbidetare është 1300 metra, ka mbi 120 shtëpi dhe mbi 1100 banorë, ka 1981 ha. sipërfaqe të përgjithshme agrare siç janë; 432 ha. tokë punese, 727 ha. kullota dhe 822 ha. pyje. Bozovca haset në dëshmitë e historiografisë së mesjetës më 1348 (shih M. Purkoviç “Popis sella…”) ku përmendet kisha e cila ka qenë nën juridiksionin e kishës së Matkës në Saraj-Shkup apo Katunisht vendbanim i lashtë shqiptarësh i periudhës romake (shih Qemal Murtai “Gadishulli ilirik” shënim nga AKRM II 376 ). Bozovca sipas emrit haset edhe në dokumentet e regjistrimit osman të shekullit XV po me emrin e njëjtë, pra BOZOVCË (BOZOVCA TD 106), me këtë emër afrohen si BOZOPAN (në Prilep) e BOZOVCI (GORË, S. Gashi SHSHTG 113), që rrjedh nga emri vetjak shqiptar BOZO, BEZO një variacion i tij dhe BOZDOGAN e BOZGE siç hasen MARTINI, b. BOZDOGANIT (Veles), BOZGE, b. VLASIT (Gostivar, S. Gashi SHSHET-113) në defterët e regjistrimit otoman të vitit 1467/68 etj.
Rrugës për në fshatin kodrino-malor, me makinën që e drejtonte me kujdes Musli Fejzullahi dhe shoqëruesi tjetër Zejnel Shabani më shpjegonin për peripecitë e dikurshme që kanë udhëtuar në këmbë për t’u shkolluar, më rrëfenin për vendbanimin e tyre të lashtë që gjarpëron prej rrëzës së Malit Sharr, futesh nëpër fshatrat Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe në kilometrin e 22 arrinë në Bozovcë, pas një orë udhëtimi me veturë nëpër rrugët me lake ku thuajse kanë edhe vend emërtimet nga malësoret, pra, rrugë e cila është e rregulluar, por 4 km. ka mbetur e paasfaltuar deri në fshat. Është e vetmja rrugë kryesore që e lidhë këtë fshat malësie me qytetërimin. Dikur për në Bozovcë është dashur të udhëtosh në këmbë gati pesë orë nga qyteti, ndërsa sot më shumë se një orë shkohet me makinë. Para se të futesh në fshat në anën e djathtë janë varrezat e reja ku bie në sy një varr i cili dallon nga të tjerët ngase është i stolisur me gjësende të ndryshme që malësorët e kanë adet-ritual për fëmijët ngase siç thonë ka të bëjë me konvertimin, siç është konvertuar personi në fenë islame dhe se është i lashtë mbi 200 vjet. Këta varre janë të rrethuara me mur që të jep përshtypjen se përkujdesja ndaj të parëve është e jashtëzakonshme edhe pse kanë edhe tri palë të tjera siç thonë ata janë të të parëve që nga koha ilire, më pas ajo romake, bizantine e deri tek ato të Perandorisë Osmane. Pra, para se t’i kalosh varrezat në fjalë përgjatë anës së djathtë të lumit Artat ( sot Pena) shihet Bozovca e ndërtuar në një gjysmë kurorë të shpateve të bjeshkëve të Sharrit Plak ku përballë ka male që lirisht mund t’u thuhet Alpet Ilire. Edhe pse kodrina përsipër e quajtur RUDINA u kanoset që një ditë nga erozioni tërë fshatin ta përpijë, bozovcasit nuk e lëshojnë për asnjë çmim këtë fshat.
Infrastruktura karakteristike me rrugica të shtruara me bekatone e kanalizim simbolik që gurgullima e përrocëkave jep freski të këndshme që askund tjetër nuk mund ta gjesh. Shtëpi të modeleve të vjetra e të kthyera kryekëput me fytyrë nga lindja, hasen kasolle të mbuluar me rasa guri e ca shtëpi të reja që e përbëjnë imazhin karakteristik të këtij vendbanimi të lashtë që rrënjët i ka nga antika.

Image may contain: 1 person, standing, child, outdoor and nature


BOZOVCA NDAHET NË KËTO LAGJE; mëhalla e Lusjanve, mëhalla e Çajanve, mëhalla e Ukallarve, mëhalla e Hodallarve, mëhalla e Fondeve, mëhalla e Velkeve, mëhalla e Struzhjanve etj.
Bozovca prej vitit 1996 graviton në Komunën e Shipkovicës edhe pse nuk ka këshilltar komunal nga ky fshat. Ka Bashkësinë Vendore e cila asnjëherë nuk rin pa ndonjë aksion serioz në të mirë të Bozovcës, që dëshmojnë një mori punësh, si ndërtimi i shtëpisë së shëndetit të cilën e ndërtojnë me vetëkontribut e që do të kushtojë mbi 50 mijë euro ku më së shumti financiarisht ndihmojnë mërgimtarët e me theks të veçantë ata të Zvicrës edhe pse deri më sot është në formë karabina, xhamisë së re për të cilin projekt presin që t’u ndihmohet me mjete financiare, në oborrin e shkollës kanë paraparë të ndërtojnë terrene sportive e shumë çka që siç thonë vetë banorët se për të gjitha nismat u prijnë I nderuari prof.dr. Fadil Sulejmani përkrahë aktivistëve të denjë si në projektet ideore dhe atyre praktike ku përmendin Lazim Destanin pronar i Agjencisë Turistike “Sharr turist”.
Historikisht ky fshat ka dëshmi materiale se ka ekzistuar në tri vende që për të ende përmendin toponimet si te Jelenca ku përmendin emrin e mëhallës GAJRINË ku ka ekzistuar mulliri edhe pse thonë se kanë pasur edhe pesë mullinj, po ashtu kanë ekzistuar dy kisha të të parëve që ende i përkujtojnë me nderime të larta ngase siç thonë ata janë të parët tanë që si dëshmi në vende të caktuara ende hasen gjurmë nga rasat e varreve që janë karakteristike ngase datojnë nga antika, por se askush ende nuk merret me këtë materie historike.
Edhe pse janë duke e rrumbullakuar projektin e ambulancës së shëndetit ata shfrytëzojnë ambulancën më të afërt në fshatin Veshallë, por mbeten me shpresë se një ditë do ta kenë edhe mjekun në fshat që do të ndihmojë që më mos t’u vdesin njerëz gjatë rrugës duke kërkuar shpëtim në Tetovë. Janë duke e ndërtuar xhaminë e re ku imam është Musli Mehmeti, por habit fakti se nga ky fshat nuk ka këshilltar komunal në Komunën e Shipkovicë.
Edhe këtë fshat plaga e rëndë e kurbetit e përfshinë me një përqindje të theksuar, ku nga secila shtëpi kanë nga një apo më shumë në mërgim në shtet e Evropës Perëndimore si në Zvicër Itali, Gjermani dhe një familje ka në Australi. Si në gjithë Malësinë e Sharrit edhe në këtë fshat ka mbi 60% që jetojnë nga ndihmat sociale. Rinia e fshatit me përgatitje relative të shkollave të mesme si dhe pjesa dërmuese me fillore, nuk janë të punësuar apo vetëm simbolikisht janë në administratën shtetërore gjegjësisht gati mbi 10 persona. Aktualisht në Bozovcë funksionojnë 2 lokale-çajtore dhe 4 shitore. Shumë pak merren me blegtori gjegjësisht 3 familje me 1000 kokë dhen e ata janë Rushan Rushani, Fuat Rushani, Idriz Kamberi, Xhemil Bajrami si dhe Sabahidin dhe Mesut Rushani, para një dekade kanë pasur mbi 13 mijë dhenë ku qehajë me nam përmenden Rexhep Qehaja, i cili në kohën e ish-Jugosllavisë së Mberetit ka qenë edhe deputet i malësisë e ka pasur mbi 12000 kokë dhen si dhe Ibish Hepja-Qehaja. Në këtë vend arat e këtij fshati thuajse janë simbolike ku më së shumti përdoren për bjeshkë e kullota që janë mbi 350 ha, por siç shprehen blegtorët ngase kanë shumë peripeci, nuk gjendet treg që është edhe shkas për mos mbajtjen e bagëtisë. Këtu bujqit kultivojnë këto rendimente si: patatet, thekrën, elbin, tërshërën e kështu me radhë dhe se thuajse secila shtëpi ka një lopë. Atari i tokës së këtij fshati kufizohet në veriperëndim me bjeshkët e trekëndëshit kufitar Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, në lindje me Veshallën dhe në jug me Silibashinën-Kodrën e Diellit.
INFRASTRUKTURA
Me vetëkontribut viteve të ’60 deri ‘70 kanë sjellë ujin për pije nga vendi i quajtur KRROI I ÇUPIT, ndërsa riparimi i rrjetit të ujit është bërë në vitin 2000, ky projekt ka kushtuar mbi 5 mijë euro, me çka malësorët e kanë të zgjidhur çështjen e ujit për pije. Përqindja më e madhe e bozovcasive janë me lidhje telefonike celularë, këtë ua ka mundësuar vendosja e një antene-lidhjeje diku afër fshatit. Rryma elektrike dhe ndriçimi publik i këtij fshati për fat të keq është në gjendje të mjerueshme edhe pse këta malësorë shprehin interesim që të investohet, por sipas kryetarit të Bashkësisë Vendore, Ramadan Bajramit, i cili thotë se gjatë dimrit thuajse janë më shumë pa rrymë se me të, që dëshmon se çdo shtëpi ka të siguruar vajguri. Duhet riparuar shtyllat nëpër fshat së bashku me ndriçimin publik.
Me vetëkontribut mirëmbahen rrugicat që në formë simbolike janë të shtruara me bekatone të pakta që japin pamje të bukur, por këta malësorë dhe pse kanë të gatshëm projektin e kanalizimit që parashihet të kushtojë afër 50 mijë euro që ndoshta ndonjëherë mund të bëhet edhe realitet.
Si të gjitha fshatrat e malësisë edhe bujqit dhe blegtorët e këtij fshati kanë probleme të përhershëm me plasmanin e produkteve të pakta. Kullotat dhe pyjet e pasura me drunj ahu janë pasurie këtij fshati.
Për të gjitha këto projekte kryetari i Bashkësisë vendore Ramadan Bajrami ka shpresë se një ditë do të bëhen realitet objektiv. Mbeturinat edhe në këtë fshat janë çështje e pazgjidhur ngase në terren japin pamje të mjerueshme, ku në radhë të parë ndotet ambienti, natyra etj. Dukuri që duhet ndaluar ngase të gjitha mbeturinat hidhen në brigjet e lumit ARTAT (Pena) i cili gjendet në fund të këtij fshati malor. Nga ky fshat i lashtë i malësisë thuajse nga dita në ditë ka shpërngulje në rrafshin e Luginës së Pollogut si në Tetovë, Reçicë të Vogël e të Madhe, Pallçisht të Poshtëm, Pallaticë, në Gajre, Llacë si dhe në dy fshatra të rrethinës së Velesit.

Image may contain: one or more people, people standing and suit

SHKOLLIMI
Si në shumë fshatrat e tjerë edhe Bozovca ka shkollën territoriale “Besa” dhe atë me objekt të ri të i ndërtuar 2002 nga donacioni i CMIC i forcave gjermane të KFOR-it ky projekt ka kushtuar afër 90 mijë euro ku kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë profesor Fadil Sulejmani që i shprehin mirënjohje donatorit gjerman, por bozovcasit me vetëkontribut e kanë rregulluar murin-rrethojën e oborrit të shkollës, uji për pije që këto investime kanë kushtuar afër 10 mijë euro. Gjithashtu, kanë projekt të gatshëm për ndërtimin e terrenit sportiv i cili është paraparë të kushtojë mbi 20 mijë euro që për këtë e projekte të ngjashme do t’u drejtohen shoqatave të ndryshme dhe instancave përkatëse shtetërore. Shkolla në këtë fshat malësie daton që pas Luftës së Dytë Botërore që deri në vitin 1968 emrin e ka pasur “SHARRI”, ndërsa prej 1968 deri më 1972 e ka pasur emrin “BESA” si dhe më pas respektivisht deri më 1999 “JETA E RE”. Kushtet e procesit edukativo-arsimor siç thotë Neshat Mehmeti përgjegjësi i kësaj shkolle territoriale e cila graviton në kudër të shkollës së Veshallës se janë të mjerueshme edhe pse prej vitit 1972 deri në vitin 2002 mësimi është mbajtur në objektin e vjetër. Në këtë shkollë mësimin e vijojnë 170 nxënës në 8 paralele prej klasës së parë deri në të tetën ka të punësuar 11 arsimtarë dhe 2 punëtorë higjienik.

Image may contain: text and outdoor


Shkollimin e mesëm nga kjo vatër e arsimit e ndjekin mbi 60% edhe pse pengesë kryesore është transporti për të cilën u janë drejtuar instancave zyrtare dhe Komunës së Shipkovicës, por ende nuk kanë marrë asnjëfarë përgjigje edhe pse kanë shpresë se arsimdashësit do të gjejnë mundësi që transportin t’ua sigurojnë këtyre malësorëve që shkollimi të jetë sa më i madh. Kanë mbi 30 studentë në Universitetin e Tetovës dhe gjetiu. Mësuesit e parë nga rajoni i Pollogut që kanë dhënë mësim në këtë fshat kanë qenë: Xhevat Agolli nga Dibra në vitin 1945, Nexhmedin Gajrja, Rustem Kamberi, Bejtulla Bexheti, Refik Zendeli, Tajfuri nga Struga, Nazifi nga Reçica, Muhamet Tahiri-Dragoshi, Gafuri nga Liseci, Taipi nga Reçica, Neziri nga Shipkovica, Hisen Nazmiu etj, ndërsa mësuesit nga Bozovca janë Xhemail Sinani, Zejnel Shabani, i cili është në prag të magjistraturës në Prishtinë, Pajazit Arifi, Zendel Merxhani, Reshat Mehmeti, Astrit Abdullai, Sulejman Ramadani, Nadir Kamberi, Xhemil Mehmeti, Sevdi Kamberi, Mensur Fejzullai etj. Mburrja e Bozovcës që është edhe mburrja jonë është sinonimi i arsimit shqiptar që identifikohet me Universitetin e Tetovës prof.dr. Fadil Sulejmani, doajeni i gazetarisë Salajdin Xhezahiri, të dënuarit politikë Asllan Reshiti dhe Magbul Kamberi, mr. Lazim Kamberi, gjithashtu edhe vëllezërit Idajet dhe Jashar Sejdiu-Bozovca që njihen në mbarë hapësirat shqiptare si kultivues të e vlerave të folklorit burimor shqiptar. Në rrafshin e çështjes kombëtare radhiten edhe emrat si Mulla Ramadani i përndjekur politik i cili ka përhapur idetë përparimtare fetare-kombëtare në malësi, Shaban Nezirit (është vrarë nga forcat okupuese çetnike-partizane në vendin e quajtur Shpella e Vicës-sinonim i Ballit Kombëtar, i cili ka qenë udhëheqës i denjë i malësisë krah për krah me Arif Kapedanin e Brodecit dhe komandantin legjendar Xhemë Hasi-Gostivari si dhe shumë e shumë burra e trima të malësisë që e dëshmuan gjatë luftërave të historisë sonë e në veçanti në atë të Kosovës dhe të 2001.
Vend-emërtimet që arrita t’i shënojë e që janë mbi 150 ku prej tyre do t’i shkuruaj disat siç janë; Mali i Sungjarecit, Te Vorret. Fajri i Vorreve, Dushnella, Gropa e Lamit, Te Rrasa, Karnikollë, Kotaret e Hasanit, Nishanet, Livadhet, Ura e Poshtme, Te Arat e Gjata, Strana, Rudina, Lugjata e Bagremave, Argjaçi, Brevi, Çokleci, Te Mllëjt, Xhollet, Gjropat e Mllëjve, Brija e Vahides, Llazaret, Shelishtat, Jelencat (vendlokalitet antik), Rrafsha e Llazareve, Përroi i Isakut, Kroi i Çupit, Përoi i Jelencave (dikur miniera), Bajkoveci, Rrafsha e Rrafshtinave, Shpella e Dashit, Kepat dhe Kajnaki i Selamit, Kajnaki i Rexhës, Buket, Fejri i Bukeve, Ujëxhani i Epërm e i Poshtëm, Çetat, Reka e Epërme e Poshtme, Te Vorri i Basrisë, Xhibreja e Velisë, Stani i Lazës, Xhorovicat, Pajshat, Çuka e Pejshave, Te Furra, Lugjata e Madhe, Gjërsheja e Shtremët, Gjuri i Hutit, Shpati i Madh, Skakalla, Gjuri i Zi, Gjuri Olokojse, Lugji i Madh, Sorupat, Përroi i Buçës, Plloça, Plloça e Lodrës, Plloça e Përtime, Gjuri i Çamë, Babë Sanëjca, Gjuri i Kuç, Gajrinat e Epërme dhe të Poshtme, Kopeniku, Krivashija, Xhinibegu, Batakishtat, Rrasa e Jeshiltë, Pllati i Poshtëm e i Epërm, Jezeri, Linia, Gjuri i Bardhë, Vorret e Moçme, Kroi i Xhamisë, Kajnaku i Sugjarecit, Xholi Pafun, Ara e Kapedanie etj.