Nga: Ben Blushi

Frederik Ndocin e gjeta në një kafe. Po fliste me gruan në “Skype”.

– Ja, më tha, – kjo është gruaja ime e fundit.

– Është e pesta, – thashë unë.

– Është e fundit, – tha Frederiku.

– E beson që je e fundit, – pyeta gruan.

– Se merr njeri Rikun pas meje, – tha gruaja.

– Pse të thotë Rik, – pyeta Frederikun.

– Edhe Rri dhe Ik, – tha Frederiku, d.m.th. bëj ç’të duash.

– Kur ke ardhur, – i thashë.

– Kam 70 ditë në Tiranë, – tha.

– Ç’bën këtu?

– Po pres të më japin një dekoratë, – tha Riku, – më thanë hajde urgjent.

– Po ç’është kjo urgjencë 70 ditë, – e pyeta.

Procedurat, – tha Riku, – kam bërë një dosje të plotë ja shife.

– Nuk me duhet dosja, a ke bërë ndonjë këngë?

– Kam bërë, – tha Riku.

– Si quhet, – i thashë.

– Kënga e Pijes.

Ma këndo, – i thashë.

– Dikush pin për me kthye shnetin
Dikush pin se asht mësu
Dikush pin me çel bisedën
Dikush pak me e provu.

– Po ti për çfarë pi, – e pyeta.

– Unë pi për të çel bisedën, – tha Riku.

– Sa këngë ke bërë gjithsej?

– 400 janë të orkestruara.

– Kush ka më shumë këngë se ty?

– Askush, – tha Riku, – a e di ç’a më thoshte Robert Radoja?

– Ma thuaj, – i thashë.

– Berti më thoshte që kur të vdesësh do harrohesh shpejt, sepse askush nuk i këndon dot këngët e tua pasi zëri yt është i pazëvendësueshëm.

– Po ti je fetar, – a beson te jeta pas vdekjes?

– Besoj sigurisht, – tha Riku.

– Po ty kush të ka krijuar prindërit apo Zoti?

– Materien, d.m.th. trupin, ma kanë krijuar prindërit, kurse shpirtin ma ka dhënë Zoti, – tha Riku

– Ku jeton në Amerikë, – e pyeta.

– Në Tampa Bej, – tha Riku.

– Herën e fundit që jemi takuar jetoje në Nju-Jork.

– Nju-Jorku u bë i pajetueshëm nga kovidi.

– Pse, të zuri kovidi? – e pyeta.

– Kovidi nuk ekziston, – tha Riku.

– Mua më kanë vdekur shokë nga kovidi, – thashë unë.

– Është sajesë e Iluminatit, – tha Riku, – më beso.

– Po pse e sajoi Iluminati, kovidin, ç’a thua kështu, – i thashë.

– Për të zvogëluar botën. Plani i tyre është që bota të ketë 600 milionë banorë.

– D.m.th. do vdesin nja tetë miliard të tjerë po thua?

– Po tha Riku, pas kovidit do kontaminojnë ujin, do shofësh çfarë do ndodhë.

– Po çfarë interesi ka Iluminati që vret njerëz, a nuk i duhet fuqi punëtore bizneseve të tyre?

– Kanë shpikur robotët që zëvendësojnë njerëzit dhe nuk kanë pse paguajnë pensione dhe mbajnë miliarda me ushqime. Ata duan t’i zhdukin të varfrit.

– Kush janë Iluminati, – pyeta.

– Janë të majtët, Morgan, Rokfeler, Rothshild, këta janë ata që kërkojnë Rendin e Ri.

– Unë nuk i besoj këto gjëra, – i thashë, – por ndoshta bota ka nevojë për një Rendin e Ri, për një resetim.

– Ja dhe ti je si këta, – tha Riku, – dikur kam pasur besim te ty, bëre dhe një parti shumë të mirë pastaj shkove prapë me këta.

– Po si mund të besoj se kovidi u sajua për të vrarë njerëz? – i thashë.

– Po – tha Riku, – kovidi shpërndahet me dron nga ajri.

– Ku janë këta dron, s’kam parë gjë?

– Dalin natën, – tha Riku, – hedhin pluhur mbi qytete.

– Rik a ka njeri që frenon Iluminatin?

– Vetëm një njeri mund ti frenojë, – tha RIku.

– Kush, pyeta unë

– Donald Trump, – tha Riku.

– Trump i humbi zgjedhjet, – thashë unë.

– Ia vodhën, 82 për qind e Amerikës votoi për të.

– Ç’a thua, – i thashë, – edhe ti beson që zgjedhjet në Amerikë vidhen?

– Unë kam fakte, – tha Riku, – unë jam Trump Team, ata ndryshuan fletët e votimit në shumicën e shteteve.

– E ti më thua pse e le partinë, kur i vjedhin votat Trumpit po mua si nuk mi vjedhin?

– A e di kush ia vodhi votat Donaldit?

– Kush? – e pyeta.

– Vatikani, – tha Riku.

– Rik, – i thashë, – je dhe katolik si mund të thuash që Vatikani vjedh vota.

– Po, sepse Papa është me Iluminatin dhe hakerat e Vatikanit vodhën votat në Amerikë, po ju këtu në Evropë nuk keni informacion.

– Sipas teje fiton prapë Trump?

– Qind për qind, – tha Riku.

– E çfarë ndodh nëse fiton?

– Do ketë luftë, tha Riku.

– Prapë luftë, e pyeta unë.

– Do jetë ndeshja finale mes Iluminatit dhe Templarëve, të majtët janë Iluminati, Trumpi përfaqëson Templarët.

– Akoma me këto histori prej një mijë vitesh, ça thua kështu Rik?

– Është betejë e madhe, – tha Riku, – a e di që këta luftojnë për sekretet e Mbretit Solomon?

– Çfarë sekretesh kishte Mbreti Solomon?

– Solomoni kishte sekretin e pavdekësisë, – tha Riku.

– Edhe ti beson që dikush e ka formulën e pavdekësisë?

– Ore, shif Soros nuk po vdes akoma, është kthyer në dinozaur.

– A je vaksinuar? – e pyeta.

– Unë jam antivaks, – tha Riku.

– Si mund të jesh kundër vaksinës, atë e provon shkenca, – thashë unë.

– Ma jep numrin e vaksinës të të them nga çfarë sëmundje do vuash, sepse bashkë me vaksinën të kanë futur sëmundje në trup.

– Kur do ikësh në Amerikë? – e pyeta.

– Këto ditë, – tha Riku.

– Nuk do e presësh dekoratën e Presidentit?

– Nuk e di a do ma japin, edhe këtu drejton Iluminati.

– Po ç’i duhemi ne Iluminatit, Shqipëria është shumë e vogël, – thashë unë.

– A e ke parë flamurin tonë, – tha Riku.

– Natyrisht që e kam parë.

– Ato dy kokat e shqiponjës me gjuhë jashtë janë gjarpërinj, është simbol i Iluminatit.

– Po pse Iluminati e vuri simbolin e vet te flamuri jonë dhe nuk e vuri te flamuri italian apo francez, ç’a thua kështu, ai është simbol bizantin, – thashë unë.

– E ke gabim, – tha Riku, – edhe Perandoria Osmane ishte krijesë e Iluminatit.

– Do bëjmë ca fotografi, – e pyeta.

– Bëjmë, – tha Riku, – por do nxjerrësh dy simbolet e mia.

– Kush janë simbolet e tua? – e pyeta.

– Kryqi në vesh dhe kapela në kokë, – tha Riku, – njëra më bën katolik tjetra xhentëlmen.

– Do ti nxjerr, – thashë unë.

– Mos harro të më çosh numrin e vaksinës të të them nga se do vdesësh, – tha Riku.

– Nuk dua ta di, – thashë unë.

– Mirë tha Riku, nëse ndonjëherë bëhesh kurioz, më merr në telefon …