Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Janar 2021

“France-Orient” ka botuar, më 10 prill 1922, në faqen n°52, një letër të Mit’hat Frashërit (Sulo Kendom) mbi grushtin e shtetit të muajit mars në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqipëri

Letër nga Tirana

Tiranë, 22 mars 1922.

Shqipëria kaloi një krizë të thellë që mund ta kishte futur në humnerë. Ajo doli fituese pas një makthi të keq që zgjati dhjetë ditë. Ngjarjet nxituan dhe kaluan si një zhurmë, si një erë flakëruese. Ende ka një erë ozoni në ajër, elektricitet në ajër, por qetësia e dukshme është kudo, dhe jeta ka rifilluar rutinën e saj të zakonshme. Tirana, e cila pësoi një tronditje të tmerrshme, aktualisht ofron aspektin babaxhan të qytetit të vogël që ne njohim, në këmbët e malit Dajt, me plepat e saj të gjatë dhe selvitë shekullore.

Për të kuptuar përmbajtjen e çështjes, duhet të kujtojmë ngjarjet e dhjetorit të kaluar, kur qeveria e z. Pandeli Evangjeli u detyrua të jepte dorëheqjen nga një klikë politike drejtuesit e së cilës ishin Hasan Prishtina, Ramiz Datri. Ky grusht shteti nuk zgjati, sepse njerëzit shprehën pakënaqësi të përgjithshme, hynë në grevë dhe, pas kësaj rezistence “passive”, kabineti i Hasan Prishtinës dha dorëheqjen. Ai qëndroi në pushtet vetëm për katër ditë. Dhoma e Deputetëve u mblodh me shpejtësi, qeveria aktuale Xhafer Ypi u formua dhe Këshilli i Lartë, i përbërë nga katër anëtarë, u ripërtëri.

Dhoma e Deputetëve me shumicë dërrmuese mbështeti qeverinë e re. Por ky ndryshim nuk u bë pa shkaktuar pakënaqësi, veçanërisht pasi ata që ishin përgjegjës për grushtin e shtetit të dhjetorit duhej të dërgoheshin para një gjykate të jashtëzakonshme për t’u gjykuar, dhe ata donin të shmangnin këtë sprovë.

Propaganda ishte bërë nën petkun e një lëvizjeje që kishte për synim të shpërndante Dhomën e Deputetëve (zgjedhjet u zhvilluan në Prill 1921) dhe për të thirrur një Asamble Kushtetuese. Opozita shpresonte të merrte një shumicë në zgjedhjet e ardhshme, të ndryshonte politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë dhe në të njëjtën kohë të shmangte gjykimin e atyre që ishin përgjegjës për grushtin e famshëm të shtetit.

Disa lider dhe udhëheqës u pajtuan me këto ide : Bajram Curri, në Pukë (në veri-lindje të Shkodrës), Halit Lleshi dhe Elez Jusufi, në qendër, në Drin.

Bajram Curri besonte se ishte promovuesi i një lëvizjeje kombëtare. Ai mendoi se Shkodra ishte në anën e lëvizjes. Por sapo mësoi se banorët e qytetit të Shkodrës nuk e miratonin një lëvizje të paligjshme, ai braktisi planin e tij dhe qendroi (u tërhoq) i qetë. Ai nuk lëvizi nga Puka. Gjithçka që është njoftuar në llogarinë e tij, pra është plotësisht e gabuar.

Halit Lleshi është njeriu i famshëm i Esat Pashës dhe mban gradën e majorit në ushtrinë serbe të rezervave. Thonë se fondet dhe burrat (ushtarët) i vijnë nga Serbia. Njerëzit e mençur besojnë se Qeveria Jugosllave mund të mos ketë njohuri zyrtare për këto fakte, por duket se një klikë serbe përgjatë kufirit, kryesisht në Dibër dhe Prizren, ka qenë një vatër e politikës militante në vend në dëm të interesave të dy shteteve fqinje. Sidoqoftë, Halit Lleshi, me bandën e tij, prej treqind të fortëve, marshoi drejt Elbasanit, qytetit qendror, mbi Shkumbin dhe u mund plotësisht, në një luftë që u zhvillua tre orë larg qytetit. Ai iku dhe u strehua në territorin serb. Ky është lajmi për të cilin flitet për shkeljen e zonës neutrale të njoftuar nga agjencitë telegrafike serbe.

Lufta e Halit Lleshit u zhvillua më 6 Mars. Më 8 të të njëjtit muaj, Elez Jusufi zbret në fushën e Krujës, njëzet kilometra në veri të Tiranës. Një kompani xhandarmërie u kap e papërgatitur dhe komandantin Meleq Frashëri e vranë. Banda e Jusufit hyri në të njëjtën ditë, pas perëndimit të diellit, në një lagje të Tiranës. Ahmed Mati (Ahmet Zogu), Ministri i Brendshëm dhe kolegu i tij i Punëve Publike, Spiro Koleka, organizojnë vetë mbrojtjen e qytetit; u erdhën në ndihmë përforcime dhe lufta zgjati gjashtëmbëdhjetë orë në rrugët e kryeqytetit. Qeveria nuk ishte larguar nga qyteti, por kryetari i këshillit, Xhafer Ypi, si dhe Hysen Vrioni, ministri i drejtësisë, ishin tërhequr në Elbasan.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Falë përforcimeve të marra, trupat qeveritare kishin rrethuar Elez Jusufin, kur ky i fundit njoftoi se po dorëzohej, duke dorëzuar armët dhe duke u betuar se nuk do të merrte më kurrë pjesë në lëvizje të tilla. Elezi tha se u mashtrua nga një propagandë e së cilës nuk i njihte sekretet ose qëllimet antipatriotike. Në Tiranë, do t’ju thonë se këshillat e Z. Eyves, Ministrit (Ambasadorit) të Britanisë së Madhe, ishin thelbësore në zgjidhjen e këtij konflikti të përgjakshëm. Në të vërtetë, Elez Jusufi pati shumë respekt për z. Eyves.

Më 10 Mars, Tirana rimori pamjen e saj të zakonshme, kur Durrësi dhe qyteti i vogël i Shijakut u kthyen në skenë të një lëvizjeje të shkaktuar nga dy reaksionarë, Hamit Toptani dhe Omer Shijaku. Këto dy zotërinj të trishtuar ishin përfshirë në lëvizjen Esadiste të korrikut 1920, të arrestuar dhe të burgosur. Ata shfrytëzuan vështirësitë me të cilat përballej Qeveria për t’u hakmarrë.

Por trupat qeveritare mbërritën pa vonesë dhe nuk hasën rezistencë serioze as në Shijak dhe as në Durrës.

Kështu përfundoi uragani. Ka më shumë se pesëdhjetë të vdekur në të dyja anët. Tetë individë u dënuan nga gjykata ushtarake dhe u ekzekutuan. Hamit Toptani dhe Omer Shijaku udhëtuan (u larguan) për në Itali në bordin e një anijeje italiane.

Gazetat italiane tregojnë një gjendje të keqe shpirtërore tepër komprometuese. Thuhet gjithashtu në vend që agjentë të caktuar italianë u përpoqën ende të luanin në këtë rrethanë një rol identik me atë që agjentët e tjerë italianë kishin luajtur në vend në 1914, ndërsa i famshmi Esat Pasha gëzonte të gjithë besimin e Qeverisë së Romës.

Me qëndrimin e saj energjik, Qeveria Shqiptare konfirmon vendosmërinë e saj për të siguruar respektimin e pavarësisë politike dhe për të mos pësuar asnjë intrigë të huaj. Për më tepër, kjo është politika më e mirë për Shqipërinë për veten dhe për fqinjët e saj.

SULO KENDOM