Nga: Rubens Shima

Vasil Ristani lindi më 1908 në Lliar të Zagorisë, asokohe pjesë e kazasë së Tepelenës. Lliari ishte fshat i njohur për tregtinë e bagëtive, e cila ishte edhe ekonomia kryesore e tij. Fshatarët e kësaj treve kishin rrahur që herët kurbetin, kryesisht drejt Stambollit, me të cilin ishte krijuar thuajse një traditë emigracioni, e cila mbajti gjallë jetën e banorëve dhe përmirësoi ndjeshëm ekonominë e tyre.


Shprehja “gjysma e hënës, gjysma e botës” ishte lajtmotivi i një jete më të mirë për shqiptarët e këtyre anëve, të cilët nuk reshtnin së emigruari në kërkim të pasurisë dhe mirëqenies brenda territoreve të gjera dhe ende të pasura të perandorisë së plakur. Por, kur “gjysma e hënës” perëndoi, kurbetçinjtë e regjur ndryshuan itinerar, këtë herë drejt gjysmës tjetër të hënës, Argjentinës dhe ShBA-së.

Vasili ishte fëmija i fundit pas tri motrave të mëdha. Si i vetmi djalë i familjes, që në moshë të njomë ai u përball me vështirësitë ekonomike dhe hallet e saj. Shkollën fillore e kryen në Lliar dhe menjëherë pas përfundimit, i detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike e familjes, mërgon si shumë bashkëfshatarë të tjerë për në Stamboll (1919). Destinacioni drejt Stambollit lidhet me të ungjin e tij, i cili kish mërguar më herët atje dhe kishte hapur një dyqan të vogël bakalli.

Në Stamboll, Vasili, atëkohë vetëm 11 vjeç, fillon punë si shitës ambulant ëmbëlsirash rrugëve të qytetit. Por, veç ëmbëlsirave, qyteti zgjoi te Vasili edhe pasionin e madh për fotografinë. Përballë dyqanit të ungjit të tij, në anën tjetër të rrugës ndodhej një studio e vogël fotografie, e cila tregtonte dhe aparate të ndryshme.

Kureshtar për fotografinë, ai shpenzonte tërë kohën e lirë në mjediset e kësaj studioje, ku mësoi plot zell përdorimin e aparatit dhe proceset e fotografisë. Pas disa kohësh, me kursimet e mbledhura bleu një aparat të tipit Voigtlander compur me të cilin nisi të ushtrohej, ndërsa fotot e shkrepura në Stamboll i dërgonte te familja e tij në Lliar. Kështu kanë mundur të shpëtojnë disa nga shkrepjet më të hershme të tij. Vasili qëndron në Stamboll duke bërë punë të ndryshme, por kryesisht atë të shitësit ambulant, deri në pranverën e 1927-s.

Po në të njëjtin vit kthehet në fshatin e tij të lindjes në Lliar, për t’iu gjendur familjes (tri motrave dhe dy prindërve tashmë të moshuar), të cilët po kalonin momente të vështira ekonomike. Me kursimet e mbledhura në kurbet meremeton shtëpinë e familjes, e cila ishte në gjendje të mjerueshme dhe kujdeset për punët e bujqësisë. Por, në këtë kohë, jeta e tij do të merrte një kthesë krejt të papritur dhe fati këtë herë do ta degdiste mijëra kilometra larg shtëpisë, në Argjentinën e largët.

Arsyeja ishte një fletëthirrje e mbretërisë shqiptare për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Ishte plot 18 vjeç kur njoftimi i erdhi në derë. Me qëllim shmangien e shërbimit, vendos të mërgojë përsëri. Këtë herë drejt Argjentinës, e cila në këto vite konsiderohej si El Dorado për shqiptarët e këtyre anëve. Disa kushërinj të tij kishin emigruar më herët atje, duke i siguruar kështu një bazë fillestare për të ndenjur.

Në Argjentinë i rikthehet përsëri punës së vjetër të tregtuesit shëtitës, por këtë herë si shitës produktesh kozmetike dhe bizhuterish të lira. Zakonisht sendet i shiste në hyrjet e kinemave të Buenos Airesit, të cilat frekuentoheshin nga familjet e pasura të qytetit. Me kalimin e kohës, kinemaja ishte kthyer në mjedisin e tij të punës dhe ai në një ndjekës të zellshëm të saj. I magjepsur nga gjuha vizuale e kinematografisë, filmi shërbeu si një nxitje e fortë për t’iu rikthyer pasionit të hershëm, fotografisë.

Me paratë e kursyera blen një aparat të ri dhe fotot e shkrepura i nis si përherë te familja në fshat. Pak shkrepje janë ruajtur nga kjo kohë. Mjaft interesante për nga përmbajtja, ato dokumentojnë koloninë shqiptare të Buenos Airesit, si dhe aspekte të jetës së mundimshme të emigracionit. Me përkeqësimin e ekonomisë argjentinase, në fillimin e viteve 1930, pasi kishte bërë një lloj prokopie nga puna si shitës ambulant, vendos të kthehet në Shqipëri.

Vasili lë pas Argjentinën më 1931 dhe kthehet përfundimisht në fshatin e tij në Lliar, ku kujdeset për familjen dhe veçanërisht nënën. Lidhja e tyre kishte qenë gjithnjë shumë e ngushtë dhe kurbetet e vazhdueshme e kishin forcuar edhe më këtë lidhje. Një tjetër shtysë e vendimit për t’u kthyer në Shqipëri ishte edhe konsolidimi i shtetit gjatë mbretërisë shqiptare, krijimi i një identiteti të fortë kombëtar, si dhe ideali patriotik për të kontribuuar për vendin.

Më 1932 Vasili martohet me vajzën e re dhe të ndrojtur, po nga Lliari, Afrovitin e cila do të ishte një subjekt i pashtershëm fotografimi për të. Shërbimin e evituar ushtarak për shkak të të cilit ishte “arratisur” gjer në Argjentinë e kreu në kompaninë e shëndetësisë në ushtrinë shqiptare, në vitin 1933. Pas përfundimit të ushtrisë, lidhet me djalin e ungjit të tij, Jani, i cili kishte hapur më herët një dyqan fotografik në Tiranë. Jani, duke njohur pasionin dhe përvojën e Vasilit në lëmin e fotografisë, i propozon një ofertë ortakërie për të hapur së bashku një studio të re, të cilën Vasili e pranon. Kështu zë udhë studioja fotografike e Jani dhe Vasil Ristanit, pagëzuar me emrin Shtëpi për artet fotografike që u hap në Tiranë më 1935. Studioja e re ishte e pajisur më së miri.

Të dy kushërinjtë kishin investuar thuajse të gjitha kursimet e tyre në këtë sipërmarrje, një aventurë e rrezikshme po të kemi parasysh se në Tiranën e këtyre viteve kishte disa studio të njohura fotografie, si ajo e Ymer Balit, fotografit në zë të Tiranës, Foto Studio Maca, studioja e italianit Otello Renzoni, Foto Dajti etj. Studioja e sapohapur ishte e bollshme, me një holl pritjeje dhe disa hapësira për fotografim. Ajo ishte e pajisur me të gjitha mjetet moderne të kohës; aparate zmadhimi të formateve të ndryshme, ishte ndër të parat studio që përdorte ndriçimin artificial, projektorë fiks dhe të lëvizshëm, si dhe sfonde të ndryshme.

Ndërsa, për sa u përket aparateve fotografike, në studio përdoreshin versione të ndryshme si FerraniaKodakAgfa të formateve nga 6x9mm dhe 18x24mm si dhe aparatin e dashur të Vasilit, Leica-n. Studioja e njohur me mbiemrin e kushërinjve Studio Ristani, pavarësisht konkurrencës së fortë, shpejt u kthye ndër më të njohurat në kryeqytet.

Gjatë viteve të mbretërisë, klientët e saj ishin banorët e pasur të kryeqytetit, zonja dhe zotërinj të veshur plot sqimë, nëpunës të lartë, avokatë, mjekë, tregtarë 0 gjithë ç’përfaqësonte borgjezia e një kryeqyteti të ri, e cila me kërkesat dhe shijet e saj kishte mundur në pak vite të transformonte plotësisht peizazhin urban oriental të Tiranës. Më 1937, Vasili krahas punës në studio, punësohet edhe si fotoreporter i gazetës Drita, e njohur për mbështetjen e saj ndaj mbretit Zog.

Nga viti 1937 e deri në tremuajshin e parë të vitit 1939, viti në të cilin u mbyll edhe gazeta për shkak të pushtimit italian të Shqipërisë, ai ishte një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm të kohës dhe dokumentoi thuajse të gjitha ngjarjet kryesore politike në vend: festimet shtetërore të 25-vjetorit të Indipendencës më 1937, vizitën e parë të kontit Galeazzo Ciano më 1937, martesën e mbretit Zog më 1938 etj. Në vitet e pushtimit italian e më pas atij gjerman vijon punën në studion e përbashkët me kushëririn e tij, Janin.

Ishin vite mjaft të begata për sa i përket kërkesës për fotografim. Kryeqyteti ishte tre-katërfishuar nga prania e madhe e ushtarëve të huaj, të cilët ishin vendosur ngado nëpër Shqipëri, veçanërisht në Tiranë. Bashkimi i kurorave kishte sjellë gjithashtu edhe një numër shumë të madh italianësh të profesioneve të ndryshme, të cilët punonin dhe jetonin në Tiranën e këtyre viteve. Kohë të arta për Ristanët. Duhet të ketë qenë me mijëra, numri i myshterinjve, kryesisht ushtarë, të cilët dëshironin një foto-suvenir në kujtim të shërbimit ushtarak në Shqipëri.

Në këtë kohë, Vasili punëson edhe dy kushërinjtë e tij nga Zagoria, Filip dhe Jorgo Vito si ndihmës në studio, të cilët me kalimin e viteve perfeksionojnë zanatin e fotografit e më pas hapin studiot e tyre. Më vonë, studios do t’i bashkohen edhe dy ndihmës të tjerë, kushërinjtë e Janit, Mihal Carka dhe Harilla Bita. Me përfundimin e luftës dhe vendosjen e regjimit totalitar, Vasili vijon edhe për pak vite punën e tij në studio. Klientela e studios ishte zvogëluar ndjeshëm.

Borgjezia e dikurshme, frekuentuese e rregullt e studiove fotografike përndiqej, burgosej dhe asgjësohej dhunshëm. Nuk ishte kohë për fotografi! Në dhjetor të 1944, fill pas hyrjes së komunistëve në Tiranë, me ndërmjetësinë e një mikut të tij partizan, Vasili thirret te Hotel “Dajti” për të kryer një shërbim fotografik. Ishin shkrepje të veçanta, më saktë një seri prej 9 shkrepjesh (pllaka xhami 9×12), të cilat do të kishin një ndikim të madh në karrierën e tij fotografike të mëvonshme në diktaturë. Ishin portretet e sundimtarit të ri të vendit, Enver Hoxhës, me uniformë ushtarake si gjeneral-kolonel fitimtar.

Janë shkrepje të njohura, veçanërisht njëra, e cila u përdor dendur në çdo botim dhe festim të kohës. Me gjasë, shkrepjet duhet t’i kenë pëlqyer Hoxhës, i cili pak muaj më pas e thërret përsëri Vasilin (bashkë me fotografin Mehmet Kallfa) për të fotografuar martesën e tij më 1945. Kohët kishin ndryshuar, konfiskimet dhe shtetëzimet e pronës private ishin në kulmin e tyre. Më 1947, ndërtesa ku ishte vendosur me qira Studio Ristani, shtetëzohet. Shtetëzimi shënoi edhe fundin e studios së mirënjohur në kryeqytet. Më 1947, Vasili ishte i papunë.

Miku i tij i hershëm, tanimë pjesë e pushtetit të ri, në bisedë e sipër i thotë: “Kjo punë nuk ka të ardhme, hajde me ne, punësohu në shtet”. Më 1948 Vasili punësohet si reporter në ATSh, ku punon për disa vite. Më pas, për arsye shëndetësore dhe në pamundësi për të ndjekur shërbimet fotografike në të gjithë vendin, largohet nga ky pozicion. Më 1953 hyn në kooperativën shtetërore të shërbimeve fotografike, si përgjegjës i Foto Ylli në Tiranë. Më 1956 është përgjegjës i Foto Moska, po në Tiranë.

Në vitin 1962 është përgjegjës i Foto Tirana derisa del në pension në vitin 1970. Pas daljes në pension, heq dorë nga zanati i fotografit. Vdes në Tiranë më 1989. Sipas bisedës me të birin, fotografin e njohur Petrit Ristani, arkivi i Vasilit i viteve 1935-1944 pothuajse është asgjësuar plotësisht prej vetë Vasilit. Nën një klimë ankthi dhe frike që ishte mbjellë ngado në vend, mbajtja në shtëpi i atij arkivi ishte e rrezikshme, gati një lojë me kokën, ndaj fotografi vendosi t’i zhdukë. Mijëra shkrepje të periudhës së monarkisë, ngjarjeve politike të kohës, trupave të huaja pushtuese, kundërshtarëve politikë të regjimit dhe familjeve të tyre u asgjësuan.

Kështu, fotografia, njëherë e një kohë mekanizëm që vepronte direkt me jetën, kishte ndryshuar. Ajo ishte bërë e programuar, e kontrolluar, e aprovuar dhe nuk mund të shfaqej apo publikohej pa autorizimin e institucioneve të propagandës. Pllakat e xhamit u shpëlanë nga bromuri i argjendit për të nxjerrë një grusht metali, ndërsa xhamat e mbetur u shitën te sahatçinjtë e kryeqytetit.

Imazhet e dikurshme të ushtarëve italianë dhe gjermanë u transformuan në xhama për orët e dorës së banorëve të kryeqytetit. Historia e regjisorit Georges Méliés – filmat e të cilit gjatë Luftës së Madhe u shkrinë për të rikuperuar argjendin dhe celuloidin për të prodhuar taka këpucësh për ushtrinë – pas 30 vjetësh u përsërit me arkivin e “kontaminuar” të Vasil Ristanit. Pjesa tjetër e punës së tij qenë mijëra portrete të klasës punëtore të studiove emërmëdha të komunizmit: YlliMoskaTirana – edhe këto të humbura. Pak ditë më parë u publikua pjesa e mbetur (printe dhe negative) e arkivit të Vasil Ristanit, me dhjetëra shkrepje të viteve 1930–1960, të cilat mund të vizitohen në fototeka.al.