Jon Landau, producenti fitues i çmimit “Oscar” i disa prej filmave me fitimet më të larta në botë të të gjitha kohërave, duke përfshirë Titanic dhe Avatar, ka vdekur në moshën 63-vjeçare.

Landau, i cili ishte partneri për një kohë të gjatë producent i regjisorit James Cameron, thuhet se vdiq të premten pasi ishte diagnostikuar me kancer për më shumë se një vit.

Motra e tij Tina konfirmoi vdekjen e tij në rrjetet sociale, duke e quajtur atë vëllain më të mirë që një vajzë mund të ëndërronte ndonjëherë.

“Zemra ime është thyer, por gjithashtu shpërthen nga krenaria dhe mirënjohja për jetën e tij më të jashtëzakonshme dhe dashurinë dhe dhuratat që ai më dha mua dhe të gjithë ata që e njihnin atë apo filmat e tij”, shkroi ajo.

Landau ishte djali i producentëve të “Hollywood”, Ely dhe Edie Landau dhe për një kohë ishte ekzekutiv në kompaninë e prodhimit të filmit “20th Century Fox”, duke mbikëqyrur filmat tw njohur si The Last Of The Mohicans dhe Die Hard 2.

Krahas Cameron-it, ai ndihmoi në krijimin e hitit të vitit 1997, Titanic, i cili ishte filmi i parë që e kaloi shifrën prej 1 miliard dollarësh në arkat botërore.

Filmat e mëvonshëm Avatar dhe vazhdimi i tij Avatar: The Way of Water, të cilët u publikuan në vitin 2009 dhe 2022 respektivisht, vazhduan të thyenin rekordin e Titanic.

Pas lajmit për vdekjen e Landau, Cameron tha për “The Hollywood Reporter” se një producent i madh dhe një qenie e madhe njerëzore na ka lënë.

“Jon Landau besonte në ëndrrën e kinemasë. Ai besonte se filmi është forma më e mirë e artit njerëzor dhe për të bërë filma duhet së pari të jesh vetë njeriu. Ai do të mbahet mend po aq për bujarinë e tij të madhe të shpirtit, ashtu edhe për vetë filmat”, tha ai.

Burimi: Top Channel