Tre herë fitues i Festivalit të Sundance, filimi “Zgjoi” propozohet nga Kosova si kandidati zyrtarë për garën e Oscars.

“Zgjoi” është një film dramë kosovar i vitit 2021 i drejtuar nga Blerta Basholli në debutimin e saj regjisorial.

“‘Zgjoi” është sa intim, aq edhe universal, që prekë thellë me tregimin, e dhimbjes, qëndrueshmërisë dhe përfundimisht triumfit. Filmi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtur dhe me gravitet të thellë. Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quose dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë”, ka deklaruar komitetit selektues pas përzgjedhjes së filmit.

Premiera u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance, më 31 Janar të vitit 2021 dhe u bë filmi i parë në historinë e Sundance që fitoi të tre çmimet kryesore.

Në Konkursin Dramatik të Kinemasë Botërore, fitoi çmimin e madh të Jurisë, çmimin e Publikut dhe çmimin e Regjisorit.

Ky film ka për qëllim që të shfaq shoqërinë patriarkale, ku gjithmonë gjenden në paragjykime.

Në rolin kryesor luan aktorja Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK.

Ndërsa, filmi ka producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën, po ashtu drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri. /Albanianpost.com/