Që nga 23 dhjetori i vitit 2021, në platformën më të madhe të filmave në botë, Netflix ka filluar transmetimi i filmit të parë në gjuhën shqipe, “Arbëria”.

“Arbëria” është një film, i cili flet për historinë e një vajze të quajtur Aida, e cila pas vdekjes së babait të saj, rikthehet në vendin e origjinës në Kalabri, nga ku zbulon kulturën dhe traditat arbëreshe.

Regjisorja e këtij filmi, Francesca Olivieri, e cila është me origjinë kalabreze, ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për Telegrafin historinë që fshihet pas filmit “Arbëria”, sukseset e shënuara në festivalet e filmit si dhe lidhjen e saj me shqiptarët.

Fakti që ky film është aktualisht i pari në gjuhën shqipe në Netflix, i ka dhënë edhe më tepër jehonë këtij filmi, përmes së cilit tashmë bota po njeh kulturën dhe historinë e arbëreshëve të Italisë.

T: Ju jeni regjisore e filmit “Arbëria” që tani është shfaqur në Netflix dhe iu dedikohet shqiptarëve arbëreshë të Italisë. Na trego pak më shumë në tërësi rreth këtij filmi?

Francesca Olivieri: “Arbëria” është një histori nostalgjie, por edhe një histori konflikti mes të shkuarës dhe të tashmes, origjinës dhe aspiratave. Aida është një grua e guximshme dhe moderne, por edhe melankolike dhe me një personalitet luftarak që jeton ndërmjet nevojës për t’u përshtatur dhe kërkimit të identitetit. Ajo është një stiliste, pasi është shpërngulur shumë herë është vendosur në një qytet ku ka hapur një rrobaqepësi veshjesh elegante. Por me vdekjen e babait të saj, Aida detyrohet të kthehet në fshatin e saj të lindjes, që ndodhet në malet, në jug të Italisë. Gjatë këtij udhëtimi, Aida do të rizbulojë gjuhën e saj amtare: arbëreshët, një gjuhë e lashtë shqipe e folur në komunitetin pakicë: pasardhësit e refugjatëve kryesisht toskë shqiptarë, të cilët ikën nga Shqipëria mes shekujve të katërmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë si pasojë e pushtimit osman në Ballkan. Kjo “tokë e shpirtit” – e quajtur Arbëria – i jep Aidës një energji të re, përmes së cilës ajo do të rimarrë kontrollin e jetës së saj dhe ajo do të pajtohet me të kaluarën e saj.

T: Si erdhi ideja për realizimin e një filmi me tematikë shqiptarët e Italisë. Ku e morët frymëzimin?

Francesca Olivieri: Historia e Aidës është frymëzuar pjesërisht nga përvojat personale të tezes sime dhe gjyshes sime, të lindura në Santa Caterina Albanese, në Kalabri, në jug të Italisë. Doja të zhytesha në këto elemente biografike dhe të orientohesha drejt fuqisë dhe hirit të shpikjes së reales. Tema është padyshim personale, unë jam vetë një grua e re që kam emigruar dhe shpresoj që kjo histori e bujarisë njerëzore të jetë me interes për një publik të shpërndarë kulturalisht. Më kujtohet hera e parë që pashë një valle, vallen tradicionale të arbëreshëve, u trondita sepse ndjeva se si ky moment ishte magjik dhe ka një potencial kinematografik në vetvete. Më pas fakti i dëgjimit të gjyshes sime duke folur shumë herë në këtë gjuhë ishte padyshim burimi im kryesor i frymëzimit. Ajo ka qenë muza ime e veçantë gjatë gjithë filmit dhe më mësoi traditat dhe atë që vlen në kulturën arbëreshe.