Festivali Evropian i Filmit, i mbajtur në Prishtinë në janar, është rikthyer prej së enjtes edhe në format online. Nga tridhjetë filma sa ka në repertor, pesë janë të qasshëm edhe për publikun në Kosovë. “King of Belgians” (në foto) e ka hapur ngjarjen që zgjat deri më 30 nëntor

Mbreti belg, i dashur për të gjithë, gjendet papritur në Stamboll. Atij i duhet të marrë një rrugë të gjatë për t’u kthyer në vendin e tij. Kalimi nga një shtet në tjetrin, tregon laramaninë e kulturave në Evropë, por edhe është një thyerje kufijsh midis shteteve. I gjithë udhëtimi i tij vjen si një dokumentar komedie e që shpaloset në filmin “King of Belgians” shoqëruar me anekdota. Ky dokumentar tashmë është bërë i qasshëm online për kosovarët bashkë me pesë filma të tjerë: “And then we danced” (2019), nën regji të Levan Akin, “The Line” (2017), nën regji të Peter Bebjak, “Let the girls Play” (2018), nën regji Julien Hallard dhe filmi i animuar “Jacob, Mimi and the talking dogs” (2019), nën regji të Edmunds Jansons. “King…” të enjten ka hapur edicionin e sivjetmë që vjen si ofertë lehtësuese gjatë pandemisë, në version online, e që zgjat deri më 30 nëntor. Festivali Evropian e Filmit në Prishtinë qe mbajtur edhe në format të zakonshëm, prej 13 deri më 17 janar në “Kino Armata”. Edhe asokohe, “King…” kishte qenë në repertorin e kësaj ngjarjeje, e cila në vende të ndryshme ka traditë deri në çerekshekulli.

Është nismë e financuar nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga projekti “Evropa Kreative” dhe mbështetur nga “Goethe Institut”, “Institut Français” dhe “Cineuropa”.

Shfaqjes së filmit “King…” i parapriu diskutimi online midis Emma Vigand nga “Cineuropa”, portali i parë evropian që i dedikohet kinemasë, dhe bashkëregjisores së filmit “King of Belgians”, Jessica Woodworth.

“Është mënyra e duhur për të qëndruar në shtëpi, të sigurt, e për të parë filma”, ka thënë Arbër Selmani nga “Shtëpia e Evropës”, i cili e ka moderuar diskutimin.

Emmma Vingand nga “Cineuropa” ka shtuar se festivali është duke u mbajtur në 30 shtete të ndryshme dhe ka rreth 30 filma, prej të cilëve pesë janë të qasshëm edhe për Kosovën.

“Është një seri tejet diverse, në kuptimin që ka diçka për secilin, kemi filma të animuar, kemi filma lidhur me çështjet e komunitetit LGBT, kemi film triller, komedi franceze, dokumentarë belgë, pra këta janë pesë filma në përgjithësi”, ka thënë ajo.

Jessica Woodworth, që bashkë me Peter Brosens realizuan regjinë e “King of Belgians”, ka thënë se krejt ekipi qe pajtuar se përafrimi i të gjithë njerëzve në botë bëhet nëpërmjet komedisë.

“Filmin e kemi realizuar para disa vjetëve në masë të madhe në një frymë evropiane, si potencialin evropian, në kuptimin e kapërcimit të kufijve me integritet, apo më mirë të themi si t’i heqim kufijtë, si të respektojmë njëri-tjetrin dhe liritë e tjetrit, por edhe të festojmë mënyrën sesi Evropa shfaqet në këtë film të rrëmujshëm që parodizon filmat e ‘rrugëtimit’”, ka thënë ajo për produksionin e vitit 2016.

Në një prononcim për KOHËN, Fjolla Çeku-Sylejmani nga “Shtëpia e Evropës” në Prishtinë ka thënë se edicioni online i festivalit synon të jetë një dritare magjike përmes së cilës mund të tejkalohen kohët sfiduese të ditëve të sotme.

“Festivali paraqet diversitetin dhe kompleksitetin e kulturës së Bashkimit Evropian përmes një programi inovativ të filmit. Synimi i festivalit është të kontribuojë në bërjen e sektorit të filmit shtytës të dialogut në situatën aktuale, ku kultura dhe kreativiteti janë bërë më të rëndësishme se asnjëherë më parë”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se për ta është i rëndësishëm fakti që qytetarët që jetojnë në Kosovë do të kenë mundësi të shikojnë histori të ndryshme, të cilat kërkojnë reflektim dhe vëmendje.

Ka shtuar se të gjithë janë me shpresë që viteve në vazhdim festivali prapë të mbahet në Kosovë me ngjarje të ndryshme fizike, biseda me filmbërësit dhe me aktorët e filmave, dhe me diskutime që i ndihmojnë skenës kulturore në vend. Të gjithë shikuesit nga Kosova mund ta vizitojnë faqen e festivalit, https://www.festivalscope.com/page/euff-online-film-festival/ , dhe të shikojnë falas, nga shtëpitë e tyre, filmat që sivjet janë pjesë e këtij festivali./koha.net/