Tregim

Lehonë, u përmendë nga një si pëshpërimë që jehoi arteriesh teksa gjaku i parë mëmësor pulsonte limfë prilli: “Pa shih një herë…në sqetullën e fëmijës…!”
Më herët, deri një vit më parë, vetëtinte vajzë, më pastaj – deri para disa orësh bëri gruan. I ishte gëzuar çdo ore të atyre viteve si dritës së diellit, gjer në çastin kur – hap e mbyll sytë- i humbi të gjitha.
Si mënyrë e vetme për tu bërë nënë, mbase.
Pëshpërima po i bënte të ditur se e deri-atyshme nuk ishte e tëra. Në lojën “fito duke humbur atë që kishe” merrnin pjesë tërë femrat e kësaj bote. Që po e ftonin të hidhte një sy nën krahun e bebit dukej se kishte diçka të posaçme, për të. Mezi-priti të mbetej vetëm, u ngritë, mbylli derën, u mbështet për pak në kanatin e saj, mori frymë thellë, u sigurua që edhe dritaret, grilat e perdet në to, qenë mbyllur.
“Mua më gjete, Zot?!”
Erdhi te shtrati dhe e rrotulloi me kujdes trupin e bebit. Kukull e gjallë, taksur për të prej kur qe gocë e vogël fare. Biri fërgëlloi, u shtriq i tëri dhe gugati, sikur ia ndjeu edhe merakun në prekjen e duarve. Si nënë qe gati të pretendonte se ia dëgjoi edhe guakjen “ma-ma”, por kurrë-kush s’e pyeti- se ishte fare vetëm aty, dhe i mjaftoi pandehma e vetë.
“I je Nënë,” i tha vetes. “Prej tij, u bëre Nënë! Përmes teje, zbriti këtu, në këtë botë…”
Para se t’i ngrinte krahun, sërish i mbylli sytë, për pak, të mund të shihte më mirë kur t’i hapte. Që të provohej pëshpërima që e zgjoi, dhe ta shihte të vërtetë ç’i ishte ormisur nën krah. Si në fëmijëri në “lojën me shpia”, edhe tani bëri t’i hapte sytë ngadalë, me frymën nën kontroll. Kur ta shihte shenjën që ishte, të mos trembte engjëllin…
Sytë i shërbyen merakut prej nëne: nën sqetullën e birit, një bisk i kaltër, si krah zogu sa-lindur…
Nuk e mbajti dot veç për veten. Ia tha, atë moment, atij vet, birit. Me zë të ulët, vazhdim i pëshpërimës të ishte, ta dëgjonte vetëm ai. I tha se e kishte lindur me shenjë. Ngaqë ende s’fliste, mbase as dëgjonte, s’priti reagim prej tij. Ishte shumë herët të flitej për mirënjohje a sëkëlldi prej shenjës origjinare. Për gjithë mëdyshjet a bekimet, do vinte ngeja të urohej apo mënohej, më vonë.
Si tërë fëmijët e botës, edhe po mbushej me ditë, me orë rritej. Kur ajo u bind se e kishte fëmijën me gojë e veshë, kur ndjeu se edhe vet ai po i gëzohej trupit të vet dhe po u besonte gjymtyrëve, më në fund fare, kur ndjeu se s’ishte mirë të shtyhej më, pra kur e keqja prej nishanit nën krahë mund të ndodhte në orën tjetër, gjeti rastin t’i shpjegohej. Për shenjën si fat, që mund të kthehej në brengë. Këtë të fundit nuk do t’ia thoshte.
“Je lindur me shenjë, bir!”
U përpoq t’ia bënte sa më të qartë, atë që ajo vet s’e dinte, së paku jo sa i duhej si nënë. I tha birit atë që më pastaj do duhej ta besonin dhe t’i bindeshin, të dy.
“Askush s’duhet të ta shikoj shenjën, askush veç meje…”
Gjithnjë me të dëgjuar, foshnjave lindur ezhdërha a dragua a…si thirreshin në gjuhët e botës, trupi u pështillej me një cipë të hollë. “Lindur me këmishë”, në fat të veçantë. Në asnjërin variant nuk quhej “fat” për nënat e tyre…
E meku frymëmarrjen duke e vështruar më nge, ia preku lëkurën, por nuk se pa aq shkoqur ndonjë cipë në të, siç thuhej, por dikur iu bë se pa…Mbase qenë sytë prej nëne në merak të lindur njëherazi me foshnjën, veshur me cipë, që ajo e vështroi mugull si me cipë edhe trupin e tij. Si ta kishte mezi-pritur, gjë që s’ishte e vërtetë, iu dorëzua ndjesisë se ia preku cipën si napë djathi. Madje besoi se, ta mos ia shihte ndonjë nga kureshtaret e këtyre rasteve, mund t’ia hiqte, t’ia paloste e, pasi t’ia mbështillte në një tjetër napë të bardhë, mund t’ia vendoste poshtë jastëkut, si lodër, në kryet e djepit.
Dy pika qumështi gjiri nëne të re ia njomën fustanin e hollë, kulluan dhe ranë mbi lëkurën e qashtër të bebushit duke u bërë edhe ato në çast të padukshme…
Në njerin prej rrëfimeve për këto shenja hyjnore që, prej ditës së lindjes së birit, veshi i saj i tërhiqte si magnet, thuhej se bisku nën krahë zakonisht kishte ngjyrën e syrit të nënës. Këtë variant e dëgjoi nga fqinja matanë dritares, por bëri sikur s’kishte lidhje me këto legjenda. E mbylli shpejt dritaren e andejshme por, njëlloj si në vajzërinë e hershme kur për herë të parë dikush i përmendi bukurinë, as tani nuk ia privoi vetes shtysën për tu gjendur përpara një pasqyre.
Iu afrua sa mundi syprinës së qelqtë, syri thuaj e preku syrin shembëllues, afërsia vetiu u kthye në largësi dhe befas ajo u tërhoq, sikur të kish mëkatuar.
Aq e bukur t’i ishte ngjyra…si pigmenti i cipës së birit?!
I ngriti kryet për nga qielli dhe pyeti, sërish: “Do mund ta ruaj fshehtësirën tënde?!”
Prej atij momenti, prej orës së parë të ditës së parë në jetën e atij që kishte sjellë në jetë, i duhej t’i gjendej pranë, pa asnjë bosh, pa asnjë ndërprerje fryme. E drejta për prani nëne për secilën, kërkohej vigjilencë në rastin e saj. Askush s’do të mbetej vetëm me birin. Kurrkush s’do t’ia shihte shenjën…
Në tjetrin zgjim të beftë, për jetën në të cilën e kishte sjellë me shenjë, do duhej t’i ishte…përjetshëm.
“Jo, jo, mori për keq mendja ime…”, shtoi fill më pastaj.
Pa të keq, por nxitoi ta tjetër-thoshte, në shpresë se nuk ia kishte ndjerë kurrkush. “Thashë t’i jem aq sa t’i duhem, kaq. E përhershme për të, vetëm sa për të. Aq sa duhet në roje të shenjës së tij…”
Sikur u egërua me veten ngaqë s’ish kollaj ta urtonte pulsin, edhe pse s’e kishte zënë ngoje ngjatjen e jetës. Si mund ta bënte nëna për birin?! Për gjithë nënat, megjithë vajtje-mendjen e papushimtë në rreziqet për ta, ekziston pafundja, përjetësia e fëmijëve. Në këtë kahe, nëse pikërisht kjo lloj tej-gjatësi jete mirëkuptohej, si kërkesë për fëmijën, do mund të gjendej më tej një lloj marrëveshje, pajtesë për kohën që nënës i duhej të mos-mbyllte sytë në ruajtje të fshehurës së kaltrës…
“Jo, Zot, s’kërkova shtesë jete…”
Duke i qenë pafund mirënjohëse, përpiqej ta zinte sa më rrallë ngoje. As me pretekst birin. E privilegjuar prej Tij, qysh se e zgjodhi si nënë. Ende s’kish pasur kohë t’i rrëfente mirënjohjen për zgjimin nënë, po i pëshpëritej privilegj tjetër në të kaltër…
Jam nënë, mos qofsha…s’rri dot pa pyetur ç’do bëhet me të…në ikjen time.
Tërë nënat ikin, moj qyqe, i tha vetes, në hopin tjetër.
Fëmijët e botës edhe pa nënat jetojnë, shtoi ditën më pas. Dashke të mbetesh edhe vet, ngaqë do jetë yt bir…S’je ti si gjithë nënat, që ikin para tyre?! Apo dashke ta privosh tët bir edhe nga dhimbja për nënën?! E bukur mendje! Sjellëse e një Jete je, jo përgjithnjëja. Rrëfeja jetën duke bërë gati ikjen…
Gjithnjë siç thuhej, (sa shumë qenkëshin thënë për njerëzit me shenjë), nëse dikush e shihte, dragua a ezhdërha a si ishte sjellë, ngrihej e ikte, mbetej bosh vendi në shtrat…
“Prej një gruaje vijmë, një tjetre i dorëzohemi,” kujtoi, sapo ndërmendi shtratin e të birit. E ëma e vet kështu u drejtohej djemve- se ata do të “dorëzoheshin” te gratë, por le ta dëgjonin edhe vajzat!
Në gërricje të heshtur të këtyre fjalëve, e ndjeu se dikujt tjetër duhej t’ia rrëfente. Do ta ndante sekretin e birit me dikë Tjetër; do ta përcillte merakun, pa e rrëfyer vet shenjën…
Prej momentit që e dëgjoi e tërë ditëve më pas, I biri herë bëhej pranverë e gëzuar e herë vjeshtë e mugullt, në pritje të Asaj tjetrës të cilës do t’i dorëzohej.
Ia tha së resë, pa hyrë ende te Dhoma e Nuses, mbrëmjen e Altarit.
“T’i kthesh sytë nga ana tjetër, përpara se të ngrihet krahu i tij…”
Ia tha kështu me zë të butë, duke ia qepur sytë si një krijese që në besim jete e dashurie do i duhej parathënë edhe si rrezikuese e mundshme.
“As në gjumë me ty s’duhet të të venë sytë nën krahun e tij, as kur të përqafon, përhumbur në zjarrmi të hireve të tua…as kur do të dorëzohet me të dyja duart, rob dëshire dhe epje bekuar, as atëherë mos ia shih fshehtësinë. Premtove besë për ditë të bukura e të vështira, betohu se do ta ruash edhe si bir…”
Mos qesh edhe ti, si im bir kur ia thashë, para se të vije, desh ta ashpëronte zërin. Asnjë kuptim s’do kishte kërkimi i ndjesës më vonë, se nuk e kuptoi rrezikun para se të ndodhte, apo që shenjën ia pa pa dashje…Jo! S’do t’ia falte as robi, as Zoti, donte t’i kujtonte bijës së botës që po fuste në shtëpi. Në vend të këtyre fjalëve, e shtyu lehtë për nga Dhoma e Nuses, ku si dhëndër do hynte I biri.
Po ia dorëzonte Tjetrës, birin e vet…

U ulë aty, përbri derës së Dhomës së Nuses. Aty do priste. Është gati të pres tërë ditët që i kanë mbetur nga ç’janë shkruar për të. S’ka tjetër, ç’mund të ndodh në ritual dorëzimi te gruaja tjetër. Për më tepër, tanimë ishte shumë vonë, por edhe e kotë, ende-mëdyshja se…do ishte më mirë të mos i ishte thënë Tjetrës.
Nëna aty i ishte dorëzuar gjumit, por i ndjeu në çast kur dolën të dy bashkë nga Dhoma e Nuses. Zot… të dy të qeshur. Në të vërtetë, biri s’bënte ta fshihte që ishte ca i drojtur. Tek e fundit, ajo që priste ishte nëna e tij…
Por ishte nusja e tij, që foli.
“Në gjithë rrëfimet, nënë, çdo dragua apo ezhdërha, katër këmbë ka! Dy kishte yt bir. Dy të tjerat, që u shtuan, janë të miat! Ti se di, por kam edhe unë shenjën time, bijë e një nëne që veç ajo e di shenjën time, që unë ia rrëfeva tët biri…”
Ajo dëgjonte nusen, qe kishte etje te shprehej pa fund, por sytë i mbante nga biri. Donte të sigurohej që e fshehura kishte mbetur sekrete.
“Dragoi, në të gjithë legjendat e botës, rron deri një qind vjet! S’e gjen gjë nga njeriu. Edhe kur ia shohin shenjën, thjesht ngrihet e ikën! Do ta marre tet bir dhe do ikim të dy, ndonjë natë, në pyll…!”
“Mos e prish fjalën, bijë…Rrini këtu. Bëj ç’të duash me të, veç mos ma largo…Sa të jem unë, dua t’ia dëgjoj zërin dhe ta di që është aty brenda…”60