KHALIL GIBRAN
Përktheu: Elmaz Fida
Në këtë odë të vetmuar dhe të qetë, një ditë më parë qëndronte gruaja të cilën e dashuroi zemra ime.
Në këto jastëkë rozë dhe të butë, mbështeti kokën e saj të bukur. Nga kjo gotë kristali rrëkëlleu një gllënjkë verë, të përzier me një pikë parfum.
Të gjitha këto ndodhën dje dhe e djeshmja është një ëndërr që nuk kthehet. Sakaq, sot, gruaja e dashuruar nga zemra ime u largua drejt një toke të largët, të shkretë, të zbrazët dhe të ftohtë, e cila mban emrin “Vendet e zbrazëta dhe të harruara”.
Shenjat e gishtërinjve të gruas që e dashuroi zemra ime janë damkosur mbi qelqin e pasqyrës time. Parfumi i dihatjeve të saj nuk është hequr nga rrobat e mia të palosura. Jehona e zërit të saj vazhdon të gjëmojë në qoshet e shtëpisë time. Ama, vetë ajo grua, ajo grua që dashuroi zemra ime, u largua drejt një vendi të largët, i cili quhet “Lugina e braktisjes dhe ngushëllimit”. Por shenjat e gishtave të saj, parfumi i gulçimit dhe fantazmat e shpirtit të saj, do të mbeten në këtë dhomë gjer në agun e ditës së nesërme, atëherë kur të hap dritaret e shtëpisë, që të depërtojnë valët e ajrit, rrymat e të cilit do të fshijnë gjithçka që la pas ajo zanë e bukur.
Imazhi i gruas që dashuroi zemra ime vazhdon të qëndrojë varur përbri meje. Letrat e dashurisë që më dërgoi, janë paketuar kujdesshëm në kutinë e argjendtë të stolisur me gurë të çmuar. Majat e flokëve të saj të artë, të cilët i kujtoj si suvenirë, vinin aromë parfumesh Indie. Të gjitha këto do të mbeten në vendin e tyre deri në ag; me t’ia behur agimi, do të hap dritaret e shtëpisë, prej ku do të hyjë ajri i freskët, i cili do t’i mbartë drejt territ të hiçit, atje ku jeton paqja e heshtur.
Gruaja që dashuroi zemra ime është e ngjashme me gratë, të cilat kanë dashuruar zemrat tuaja, o djelmosha! Ajo është një krijesë e çuditshme, e krijuar nga zotat, nga butësia e pëllumbeshës, pabesitë e nepërkës, fryrja e palloit, egërsia e ujkut, bukuria e trëndafilit të bardhë, paniku i një nate terr, përzier me një grusht hi në një dhomë plot shkumë deti.
Gruan që dashuroi zemra ime e kam njohur që në ditët e fëmijërisë, vrapoja pas saj fushave dhe i kapja gërshetat rrugëve.
E kam njohur edhe ditët e adoleshencës, e dalloja hijen e fytyrës së saj në faqet e librave dhe udhëtimeve, i kundroja linjat e shtatit të saj mes reve të muzgut, i vija veshin zërit të saj melodioz teksa përshkallëzohej si gurgullima e ujit të kroit.
E kam njohur ditëve të burrërisë, sepse bisedoja me të dhe i shtroja pyetje, ulesha pranë saj, duke i treguar lëngatat e shpirtit dhe duke i rrëfyer lirshëm sekretet e zemrës.
Të gjitha këto i përkasin të djeshmes dhe e djeshmja është një ëndërr e pakthyeshme. Sakaq, sot, ajo grua u largua drejt atyre viseve të largëta, të vetmuara, të zbrazëta, të shkreta dhe të ftohta, që quhen “Viset e zbrazëtisë dhe harresës”.
Lidhur me emrin e asaj gruaje, të cilën e dashuroi zemra ime, mund t’u them se quhej: jetë.
Jeta është një grua që lahet me lotët e ashikëve të saj dhe parfumoset me gjakun e viktimave të veta. Jeta është një grua që vesh ditët e zeza të kamufluara si ditë të bardha. Jeta është një grua që kënaqet me zemrën njerëzore si mik, por e refuzon atë si bashkëshort. Jeta është një grua joshëse, por e bukur; kush fokusohet te joshja e saj, urren bukurinë e saj.