Pas premierës botërore në “Sundance”, filmi “Exil”, nga Visar Morina, do ta ketë premierën evropiane në njërin ndër festivalet më të rëndësishme, “Berlinale”. Premiera do të shfaqet më 24 shkurt, nga ora 15:30, në kinemanë “Zoo Palast 1”, në kuadër të programit “Panorama”, shkruan zeri.

Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndihet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit.

“Exil”-i është bashkëprodhim në mes të “Komplizen Film”-it Gjermani, “Ikonë Studio”-s Kosovë dhe “Frakas”-it nga Belgjika, i financuar nga ministri për Kulturë dhe Medie, “Film- und Medienstiftung NRW”, “German Federal Film Fund”, “Belgium Film Tax Shelter”, “Medienboard Berlin Brandenburg”, Qendra Kinematografike e Kosovës, “Eurimages” dhe “German Federal Film Board”.

“Exil”-i po ashtu sjell një kastë brilante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj dhe Ameli Kabashi.