Nëse mendoni që qeni juaj është më inteligjent se macja juaj, gaboni

Një hulumtim i ri i ka ofruar përgjigjen përfundimtare pyetjes rreth së cilës adhuruesit e kafshëve debatojnë tashmë një kohë të gjatë.

Macet mund të jenë njësoj inteligjente si edhe qentë, ka treguar një hulumtim më i ri, i cili ka të bëjë me kujtesën e maces, të cilin e kanë bërë shkencëtarët japonezë në Universitetin Kyoto, transmeton Telegrafi.

Në hulumtimin e publikuar në revistën ‘Behavioural Processes’ kanë marrë pjesë 49 mace shtëpiake dhe ato duhej të kujtoheshin se nga cili tas kanë ngrënë tashmë, dhe cilët nuk i kanë përdorur pas një periudhe prej 15 minutash.

Autorët e studimit kanë konstatuar se macet mund të mbajnë në mend ngjarjet specifike, gjë që psikologët e quajnë kujtesë episodike.

Kështu, macet e dinin saktësisht se ku ndodheshin tasat dhe e dinin se çfarë ushqime kishin ngrënë. Ato u kujtuan edhe se ekziston një tas prej të cilit nuk kanë ngrënë akoma.

Kujtesa episodike është aftësia e kujtimit të detajeve autobiografike dhe kontekstuale nga e kaluara. Kur është fjala për kafshët, është e vështirë të zbulohet nëse ato e kanë një kujtesë të tillë. Megjithatë, kohët e fundit është treguar se qentë e kanë këtë aftësi për të kujtuar dhe tani atyre u janë bashkuar edhe macet.

Saho Takagi nga Universiteti i Kyotos beson se macet dhe qentë mund ta kujtojnë një ngjarje të kaluar, që do të thotë se ato kanë kujtesë episodike. Ajo madje thotë se maceve u pëlqen t’i kujtojnë në mënyrë aktive përvojat e kaluara.

“Macet e kanë të njëjtën inteligjencë si qentë, gjë që është në kundërshtim me besimin e përbashkët se qentë janë më të mençur se ato”, tha Takagi. Ajo beson se ky hulumtim mund të ndihmojë në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira midis pronarëve dhe kafshëve të tyre.

Shkencëtarët në të ardhmen do të përpiqen të zbulojnë nëse macet mund t’i kujtojnë ngjarjet nga e kaluara e largët. Studimet kanë treguar se qentë kanë kujtime të ngjashme lidhur me ndonjë kohë dhe vend të caktuar.

Ky hulumtim është publikuar në revistën Behavioral Processes.