-Është paradoksale, por okupimi italian për ato tri vjet solli lulëzim kulturo-arsimor të pashembullt: për herë të parë në Kosovë dhe Maqedoni, atje ku ishte kufiri i Shqipërisë së Madhe(vetë ky term i joshi shqiptarët dhe i zbrapi për të luftuar kundër okupatorit), u hapën shkolla në gjuhën shqipe, u krijuan shumë shoqata kulturore, u panë mësuesit e parë shqiptarë, një investim largpamës me vulën e Ernest Koliqit

Daut Dauti

Demokracia bëri një punë të madhe, solli lirinë e mendimit, jo vetëm në politikë dhe media, ku në monizëm ishin kanalizuar gjërat në mënyrë strikte, por dhe në fushën e shkencës, letërsisë, artit..! Pikërisht, edhe në këto fusha, sepse, nëse një emër ishte i anatemuar në Shqipëri(Ernest Koliqi, Gjergj Fishta…), atë nuk e kishe as në faqet e librave në Kosovë ose Maqedoni, ndonëse rrymat ideologjike të pushteteve ishin në kundërshtim me njëra tjetrën. Por, rezultonte një lloj solidarizimi i çuditshëm shqiptar përtej ideologjive!

Por, demokratizimi i shoqërive ku jetonin shqiptarët bëri të veten, u hoqën prangat ideologjike në gjithçka, pra u hoq edhe anatema nga figurat dhe ngjarjet historike. Rezultoi me një shans për t’iu qasur historisë dhe fushave të tjera, me më shumë mundësi objektiviteti. Hapin e parë në heqjen e anatemave ndaj figurave u bë në Kosovë, në shtypin rinor(“Zëri i Rinisë”, “Bota e re” dhe gazeta e revista të tjera, madje edhe në kushte presioni çfarë ishte regjimi i Millosheviqit që rëndonte mbi gjithçka në Kosovë. Kështu për herë të parë më zëshëm u fol për shumë ngjarje të ndaluara ose të diskutueshme(Lidhja e Dytë e Prizrenit, Konferenca e Bunjajt, Masakra e Tivarit, Marrëveshja e Mukjes …) dhe personalitete të ndaluara(Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Ahmet Zogu…), subjekte a lëvizje(Balli Kombëtar, Legaliteti, NDSH-ja…), kurse në Shqipëri dolën nga burgu ose u rehabilituan shumë intelektualë të cilët regjimi komunist i kishte dënuar për shkak të ideve të tyre. E vërteta tash merrte nuanca.. Ishte koha për të dalë në pah shumë të vërteta tronditëse për fate njerëzish, por dhe të vërteta shokuese(të pabesueshme) që nuk kishim mundur t’i dijmë!

Ishte, pra, shansi për të vërteta të plota.

Por, siç mund të ndodhë, nëse në regjimin komunist dilte një e vërtetë, shpesh e ideologjizuar(sepse fituesit e shkruajnë historinë), në demokraci u shfaq dukuria tjetër, që të kontestohet, madje dhe të fshihet si me gomë, gjithçka që ishte shkruar më parë. Pozitat ideologjike të marksizëm- leninizmit, në letrat shqipe u zëvendësuan me të vërtetën e nacionalizmit, si një antipod në kushte të reja të përplasjeve të vjetra. Tash fituesit e rinj duhej ta shkruanin të vërtetën e tyre. Një numër jo i vogël i autorëve do të mohojnë gjithçka që kanë bërë komunistët(internacionalistët)dhe do të lartësojnë gjithçka që kanë bërë nacionalistët. Nëse autorët nën regjimin komunist kishin heshtur disa bëma të komunistëve, nacionalistët shkuan rrugës së relativizimit të disa konteksteve të luftës së dytë botërore(por dhe nga krijimi i shtetit shqiptar e këndej) që nuk u shkonin në favor nacionalistëve.

Dallimet përveç aspektit ideologjik, morën edhe karakterin krahinor, ose dhe shtetëror. Kjo para së gjithash me këndvështrimet specifike, të cilat nuk janë përherë të motivuara nga metodologjia shkencore, por nga qasja emotive ndaj LNÇ-së dhe ngjarjeve e figurave historike. Në kontekst të Luftës së Dytë Botërore, do të mbeten qëndrimet diametralisht të kundërta ndaj dy forcave kryesore, Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Ballit Kombëtar. Nuk do mend pse në Shqipëri dominoi qëndrimi pozitiv për LNÇ-në e udhëhequr nga komunistët e Enver Hoxhës, kundrejt  Ballit Kombëtar si “forcë reaksionare” dhe “kolaboracioniste”. Vetë LNÇ-ja në trojet shqiptare të ish- Jugosllavisë, që ishte e ndikuar nga politika e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe një mobilizim forcash antifashiste(me në krye idealistin komunist Fadil Hoxha) dhe sidomos tradhtia e idealeve të shqiptarëve për bashkim që e kishin mbajtur gjithë kohën shpresën, do të bëjë që të ketë një qëndrim negativ jo vetëm ndaj LNÇ-së në Jugosllavi, por dhe dalëngadalë, me braktisjen e simpative të “komunizmit burimor” të Enver Hoxhës, të rritej gjithnjë e më shumë qëndrimi negativ edhe ndaj LNÇ-së në Shqipëri. Por, për më tepër, për ta ngritur në qiell atë forcë që ishte përballë komunistëve gjatë atij okupacioni, pra, Ballin Kombëtar, që “luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare”.

Ngritja në qiell e rolit të Ballit Kombëtar për shkak të qëllimit politik për bashkimin e trojeve, shkoi paralelelisht me relativizimin e faktit që kjo forcë ishte bashkë me okupatorin fashist. Disa historianë e vënë në dukje me ngulm këtë FAKT që “nuk duhet të harrohet”, me qëllim që të ndërtohet qëndrimi objektiv se midis qëllimeve të deklaruara dhe veprimit praktik kur trojet shqiptare kanë qenë drejtpërdrejt të rrezikuara(të okupuara), Balli ka ndenjur pasiv. Sikundër edhe forca të tjera, si Legaliteti. Përplasja midis argumenteve se kush më shumë ishte forcë kombëtare, cila luftoi për çlirim e cila për pushtet, a ishte luftë civile, a luftuan komunistët gjithaq kundër okupatorit, apo kjo është stërmadhim i propagandës, a ishin përnjëmend ballistët aq kolaboracionistë sa i paraqesin ose jo…

Shkrimin në këtë temë që e kisha botuar në gazetën “Koha” në disa vazhdime, e mbititullova “paradokse historike”, sepse ndër ato paradokse janë zhvilluar ngjarjet dhe konteksti i luftës nuk ka mundur të jetë bash i njejtë në Shqipëri me atë jashtë kufirit të saj. Ka një rrethanë shumë objektive përse ka një simpati ndaj Ballit Kombëtar në këtë anë të kufirit(Kosovë, Maqedoni…) dhe përse nuk është përjetuar gjithaq si okupim pushteti i fashistëve italianë. Së pari, duhet pasur parasysh pozitën e nënshtruar të shqiptarëve në Mbretërinë e Jugosllavisë dhe politikat e sistematike për zhbërjen e elementit shqiptar, para asaj edhe shpërnguljet masive nga Serbia e Jugut(pas Konferencës së Berlinit dhe luftërave ballkanike). Në memorien kolektive ende të freskët pas gjitha masakrave të ushtrive serbe dhe elaborateve që ishin përgatitur për shpërngulje ose kolonizimi i trojeve shqiptare me elemente etnike serbe e malazeze, mungesa e të drejtave të shkollimit…krejt këto ishin akumuluar në vetëdijen e shqiptarëve, ndaj okupimi i tyre nga fashistët italianë u kuptua si një lloj çlirimi, aq më tepër kur fituan një njësi administrative në kuadër të zonave të okupuara të quajtur si Shqipëri e Madhe. Është paradoksale, por okupimi për ato tri vjet okupimi solli lulëzim kulturo-arsimor të pashembullt: për herë të parë në Kosovë dhe Maqedoni, atje ku ishte kufiri i Shqipërisë së Madhe(vetë ky term i joshi shqiptarët dhe i zbrapi për të luftuar kundër okupatorit), u hapën shkolla në gjuhën shqipe, u krijuan shumë shoqata kulturore, u panë mësuesit e parë shqiptarë. Ky ishte padyshim një hap i madh kundrejt asaj që e kishin në mbretërinë e Jugosllavisë. Me gjasë edhe vetë qeveria kuislinge, e vetëdijshme për rolin e arsimit dhe kulturës, nëpërmjet ministrit të arsimit, Ernest Koliqit, u ishte dërguar shkollave një letër qarkore me rekomandime, ku vehet re një pikë interesante: që në shkolla të mos ketë veprimtari politike. Mund të kuptohet kjo si lojalitet ndaj okupatorit(që të mos i prishet rehatia), por më tepër më duket se është në pyetje qëllimi i misionit arsimor, që duke përjashtuar politikën, të arrinin shkollat efektin që duhej ta arrinin, të arsimonin masat analfabete shqiptare. Gjithkush që e shkruan historinë e Luftës së Dytë Botërore, këtë efekt pozitiv assesi nuk mund dhe nuk duhet ta anashkalojë dhe kjo i shkon si meritë qeverisë kuislinge. Kolaboracionizmi i figurave që defiluan si kryeministra në qeverinë kuislinge ishte i motivuar edhe nga antizogizmi, që është një paradoks tjetër, sepse edhe forca që e udhëhoqi përnjëmend luftën nacionalçlirimtare, Partia Komuniste, kishte të njëjtinmotiv.

A mjafton ky element, ai i emancipimit kulturo-arsimor për t’i vënë forcat kolaboracioniste përpara çlirimtarëve të vërtetë(partizanëve shqiptarë)? Apo do të duhej që kjo të vehej në kontekst të paradokseve të historisë. Nëse do t’u jepnim përparësi atyre, si do t’i trajtojmë të tjerët, që u joshën nga ideologjia dhe nga besimi dhe motivet patriotike, u rreshtuan si komunistë, çfarë pati jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë e Maqedoni e trojet tjera shqiptare, shumë prej të cilëve mbanë oreolin e heronjve?

Në kontekst të paradokseve, ka edhe diçka tjetër që Shqipëria e okupuar, duket si një ishull i vetmuar në kuadër të boshti nazifashist: vetëm qeveria kolaboracioniste shqiptare nuk kishte pranuar deportimin e hebrenjve, gjë që nuk kishte ndodhur me qeveri të ngjashme në shumë vende tjera, të cilat e kishin çuar në vend “amanetin” e Hitlerit, gjë që ka mbetur nga shembujt më pozitivë të solidaritetit dhe humanizmit me një popull që gjithandej nëpër Evropë kishte përjetuar dramën më të madhe të ekzistencës.

(Fragment nga libri TEMAT “E RËNDA”, që doli këto ditë nga shtypi)