“Burrnija asht nji shkrimje e trimnis me urti, d. m. th, syntheza e nji hovi guximtar plot vetmohim bashkue me nji perftim a koncepsion të jetës qi ka si shtyllë themelore nderin dhe shprehet me nji matuni fjalësh e sjelljesh e cila mbështetet në ndiesi të së drejtës e të njerzis së ndërgjegjshme”

“Burrnija, ajkë e vërtyteve ma t’epra njerzore . . . Burrnija cakton me mbajtë besën e fjalën, me mprojtë të ligështin, me flijue veten për mik, me vu dobin e fisit sipër asaj t’individit, me çmue nderin mbi çdo të mirë tjetër të jetës.”

“Shqiptarizëm do të thotë kult e ushtrim i dokeve bujare që mbështeten në besë, nder e burrni. Besa do të sherojë ndasit e shkaktueme nga natyra tepër individuale e jona.”

“Shqiptarizmi i ka themelet mbi shkamb të vetive të nalta autoktone. Kush mohon këtë të vërtetë, mbulon dobsin e vet nën maskën e një idealizmi kallp.”

“Ndija e komtaris s’asht tjetër veçse ndija e individualitetit historik në gjak të nji gjindes  me të njajtën prejardhje e zanafille dhe me të njajtën fizionomi morale fitue në përshkim të njajtave ngjarje nëpër rrjedhim të moteve.”

“Individi përbahet nga nji brumë ku lëvizin e veprojnë tharme, shkase, prirje, trashigue nga vargu i paprem i etënve dhe i stërgjyshave. Edhe ato trajtat e dhana qytetnije, qi kërkon nga përvoja e kombeve të hueja, i zgjedh e i pranon kur i shef se përkojnë me përmbajtje vetish ethnike qi trashigoi nga të parët. Vetë gjuha, a ligjrimi amtar, melmehet me undyrën e brumit ethnik në daç në zyrën (funksionin) e saj si mjet komunikimi, në daç në zyrën si mjet krijimtarije artistike.”

“Shqiptari, me mendësinë e vet plot kontraste, tash krenar e tash i shtruet, herë i rrëmbyem në shkase bujarije dhe herë i ngujuem në paragjykime të damshme, këtu gati me dhanë jetën për t’i ndejun besnik nji tradite stërgjyshore aty gati me prishë vetin e fisin për nji trill idhnak, hov hov i ngutshëm e i kadalshëm pa mendue mirë ku lypet ngutsija e ku kadalija, guximtar e i matun, kryekcyem e i urtë.”

“Shqipnija asht nji për sa i përket brumit fisnuer (racial) dhe e shumllojëshme dh’e larmë në trajta qi ai brumë merr. Kjo ndryshmëni e sipërfaqeshme, themelue mbi nji nënshtresë të njinjishme, e pasunon atdhen shpirtnisht. Katër besime, s’dij sa krahina, shumfishsija e zakoneve e zgjanojnë botën e vogël shqiptare dh’e shtrijnë kah Lindja e kah Prendimi. Atdheu i ynë s’asht nji vis monoton, por përkundrazi shum tërhjekës për polikromin e pamjeve, për ndryshmënin e shprehjeve njerzore. Ngushtësija e tokës stoliset me bukuri alpesh dhe kalthëri bregdetnash edhe vogëlsija numerike e popullsis përmbledh në vetvete rrymba fetare të hapuna kah tri steré.”

“Me të gjitha të mbetat t’ona, me të gjitha stuhitë historike qi u shkrepen vrullshëm dhe egërsisht mbi ne në mënyrë qi nuk njofti jeta e asnji populli tjetër europian, na Shqiptarët duelme nga motet ma të lashta në ditën e sodit si popull me veti dalluese e me tharme fisnikije në gjak qi na japin mundësi të plota rilindjeje.  Na, nji ndër popujt ma të vjetër t’ Europës, ndiejmë në vete hove të gjalla rinije qi çudisin anmiqt t’onë ma të rrebtë”.

“Instinkti i shëndoshtë i popullit dijti me mbajtë gjallë frymën vëllaznore kombtare edhe në nji ndryshmëni besimesh qi mujte, por s’ia doli, me ia mbytë në shpirt tharmet e shqiptarizmit.”

“Nji perimtim (analyse) e psikes shqiptare menjiherë na ven përpara nji ndjeshmenije morboze, pasojë i nji çmimi të tepërt që ushqen secili prej nesh për sa i përket vleftës vetiake e ndrydhun në caqe t’arsyeshme, nji e tillë ndjesi, d.m.th. nji sedër e ndieshme por e përmbajtun në hulli t’urtís e të prujtunís, nuk njehet ma e metë, por virtyt nga i cili buron ndjenja e dejsís (dinjitetit).”

*

“Pohimi “Jam shqiptar!” mbetët pa veshtrim kur nuk mbështetet themelisht në pasuni të dokeve jetike. Po nuk lidhem krenín e emnit shqiptar me besë, nderë, burrní, mikpritje, d.m.th. me trashigim stërgjyshuer, sa për vetina tjera, cilado qofshin, na radhitemi në bisht të kombeve t’Europës. Në qe se në historín e qytetnimit europjan kemi shkrue ndonji kapitull, ndoshta të shkurtë e të zbetë, por që dishka vlen, kjo i detyrohet atyne vetive gojdhanore. Kur tham kanuni e kam fjalën te fryma e Kanunit, jo te shumica e normave arkaike të tija, disa prej të cilavet sot s’kanë veshtrim. Ku gjen nji nderim për vetjen njerzore si në doket shqiptare? Rrahja njehet ma e randë se vrasja. Ku mprohet grueja ma tepër se në Kanû? Ajo nuk bjen në gjak. Vrasja e nji grueje, koritë dorasin. “Burri nuk ka tagër mbi jetë të grues”. Po demokracija thellë e rranjosun, para Kryengritjes frenge, në shpirt të shqiptarit? Në Kanû s’ka klasa shoqnore. “Kanuni i Maleve të Shqipnís nuk e veçon nierín prej nieriut. Shpirt për shpirt se dukën e falë Zoti”. Janë parime të nalta, plot fisnikí njerzore.”

*

“Shqiptarizem, d.m.th. përmbledhja e vlerave që përbajnë pajën e trashigimit tonë shpirtnuer, at pajë që na dallon prej gjindes rodit tjetër e i ep peshë pranís sonë në bashkarí të popujve të botës. Shiko rreth  e rrotull e ke për të pa se asnji popull nuk çveshet nga vetít e specifitetit etnik.”

*

“Vëllaznimi ndërmjet popujve të Njerzimit – ideal i naltë që duhet ta ndjekim me afsh të mendes e të zemrës – nuk arrihet tue mohue zanafillen fisnore. Këte, natyrisht, na duhet ta dlirim prej gjakimeve shoviniste, prej paragjikimeve të ngushta racjale, por do të bijshin në grackë të shovinizmave të hueja po t’u shlirojshim prej lidhjeve me tokën tonë dhe me traditën e gjindes që aty lindë e des qyshë në fillim të historís njerzore.”

*

“Shqipnija qindroi dhe gjithnji qindron e patundun në themele të veta gjallnore, me disa veti që mund të ndrrojnë sikur kanë ndrrue ndër shekuj prej njanës brezní në tjetrën, por duhet të ndrrojmë trajtë jo esencë d.m.th. jo palc qenësuer. Na shqiptarët si mbarë fiset e shekullit jemi bij të kohës e lypet t’i përshtatemi zhdrivillimit psikologjik e shoqnuer të Njerzimit, duhet të marrim pjesë në djaloge me qytetnime e kultura që ternojnë ritëm e paraqitje, por pa u trandë kurr nga themelet tona ancestrale.”

*

“Çmimi i tepërt që ushqejmë për vlefte të vetvetes na ban me dyshue mbi çdo fjalë që na drejtohet. Vesvesja na grín shpirtin. Shofim qellime djallëzore shpesh edhe në sjelljet e shokëve ma të ngushtë.Jemi plot me komplekse. Përgjithësisht në t’afermin shofim shemrin, kundershtarin, anmikun. E mprohemi tue ruejtë për vete ndjenjat ma të çmueshme, tue i vndue lidhjet shoqnore në nji rrafsh njerzije së ftoftë ku thahet çdo lëvitje e vetvetishme simpatie dhe shterret çdo shkas shfrimi miqsuer me njani-tjetrin. Kjo natyrë e breshtë e shqiptarit zbutet e njethet papritmas në disa lidhje shpirtnore të cilat e kanë stolisë jetën tonë ç’prej lashtësisë me lulzime të çuditëshme ndjenjash të rralla e të njoma. Kumbarít e ndryshme, vllamja (probatinlleku), janë dukunitë të cilat dishmojnë se mbrendija e natyrës shqiptare ruen në vete visare të panjoftuna ndjesish të larta njerzore. Doket e lashta të vllamjes e të kumbarisë janë kah prendojnë por në shpirt tonë qindron shija e miqsís që asht palci i atyne dokeve. Shqiptari din të jét mik dhe gjen kënaqe të veçantë në kët lidhní shpirtnore, e cila nuk merr parasysh as zanafille feje e krahine, as shkallë kulture e shtresë rrjedhëse. Miqsija shqiptare asht nji vëllaznim ku ndjesít shkrihen dhe ku mugullon ndija e flijimit të ndërmjevetëshem në rasë nevoje.”

*

“Ka ndër ne asijsh të cilët kujtojnë se patriotizmi qindron në disa paraqitje emblemash të jashtme, si kravata kuq e zi ase dalluesja me shqiponjë dykrenare ngjitë në kthesë të setrës. Nuk denojmë ata që këto shenje i përdorin si dishmi t’atdhedashunís së tyne, por nuk na mbahet pa i pyetë: ‘Mirë kravata me ngjyrat e flamurit tonë, shum mirë shqipja n’ilik të setrës, po ndoj libër shqip a e ke tu shtëpija?’. Punë për t’u levdue janë shfaqja e simbolave të kombit, vallet e enduna në kostumet e madhnishme tona, kangët e brohorinat patriotike. Veçse të tilla shfaqje jesin sipërfaqësore, po nuk u ushqyen në ndiesina të njimendta ndaj atdheut,  të cilat e kanë rrajën në njoftje të traditave të historís së fisit (rracës), të pasunís shpirtnore të tij që pasqyrohet ndër shkrime dalë nga mendet e zemrat shqiptare. Kush stoliset me nji kravatë kuq e zi dhe ngjet në setër nji dalluese me shqiponjë, për me na bindë që këto shenje mbështeten në nji vertetësí (autencitet) ndiesinash duhet të két edhe dy a tre libra shqip në shtëpi. A po jo? Natyrisht në qoftë se din me këndue.”

*

“Trungu i fisit ushqehet në langje misterjoze autoktone. Kalimi prej njanës brezní në tjetrën të gjallnís e të virtytit gjallnues t’atyne langjeve, përban traditen. E cila nuk asht, si pandehin mendeshkurtët, fosilizimi i jetës së kombit. Tradicjonalizmi dinamik i ep kombit nji arsye qenjeje dhe nji .arsye e nji të drejtë pjesëmarrjeje në

valle të popujve të rrokullís toksore.”

*

“Vlerat kombtare marrin kuptim të gjanë e të njimendët vetëm e vetëm kur përshkohen nga fryma universale e qenjes dhe nga vrumulisjet shpirtnore t’egzigjencave moderne.”

*

“Ata që zakonisht duen të mëshehin me retorikë kumbore vishtirsít e zhdrivillimit t’idés kombtare ndër shqiptarë, cungojnë historín tonë nga faqet ma të shkelqyeshme të saj, – nga ato faqe ku del në shesh përpjekja e nji pakice atdhetarësh të ndritun, që ia hapen udhën përftimit (koncepcjonit) të nji atdheu të përbashkët në mes çarravísh të nji trashigimi të mjerueshëm shekulluer. Gjithëshka pengonte vëllaznimin kombtar: natyra individualiste e shqiptarit, kalesa që mbjelli farën e dasís, propogandat që përdorshin çdo mjet për të sigurue interesa të huejsh në Shqipní. Frashërlíjt, Vaso Pasha, Jani Vretua i njifshin fare mirë pengimet, por nuk e humben shpresën. Me hov titanik nisen predikimin e verbit shpërblimtar. E si gur themeli të krijimit të nji Shqipnije së pamvarun vûn ndiesín e vëllaznimit sipër fenavet e krahinavet të Shqipnís. Kujtojnë njerzija se këta s’kanë luftue përmbrenda për me formue këto ide të reja?”

*

“Shqiptarvet, përgjithësisht, u pelqen politika. Jo aq ajo që me anë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo që shfren në bisedime tue ndejë në kafehane ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze. Mbush e derdh… Vizato e shlyej situata… Naltëso e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente… Fundi? Sejcili shkon në shtëpi të vet pa ndërrue mendim, i bindun se ai vetëm ka në xhep të vërtetën. Deri sa këto bisedime, rëndom të thata e të shtërpëta, janë nji mjet me kalue kohën dhe me hjekë merzín, hajdeh; porse mjerisht ndodhë shpesh që aty me pohime të kota e shum lehtësisht cenohen vlera të çmueshme dhe mbillet fara e dyshimit që pengon nisma të dobishme.”

*

“Palci qenësuer i shqiptarizmit nuk qindron vetëm në folklor. Ky, po nuk pat në vetvte nji shkëndi ndiesije e nji rreze sado të zbetë vetedije, nuk mund të njehet tjetër gja veç nji varg sjelljesh mekanike, ngashnjyese (charmantes) ndoshta në dukje, por pa asnji mbrendi shpirtnore. Ndër arbreshë vepron instinkti i fisit arbnuer, shkasi i msheftë i kujtimit të dheut të të parvet. De Rada, Skiroj, Santori, Gavril Dara, tue gjurmue e rrmue në grumbullí të dokeve stërgjyshore e tue thellue hulumtimet në msheftsít e instinktit fisnuer, ringjallen shpirtin e fjetun t’Arbërit. Nga errësít e instinktit doli ndër arbreshë në dritën e vetedijes zanafilla e tyne. Në kujtim u përtrí lavdija e të XV shekull. Letërsija, kultura ua zbuloi atyne lidhjet vëllaznore me Shqipní të mavonëshme. Me këte due të tham se nuk mjaftojnë shfaqjet folkloristike, veshja e lashtë, sado e stërvalët (fastuese), kangë e valle për të dishmue qenjen e nji trashigimi arbnuer që mund të derdhet në fluer (coffrefort) të xhevahireve shpirtnore të kombit, n’at fluer ku mblidhet fara e mistershme e stinve të përtardhuna. Folklori mbetet gëlvozhë pa thalb kur në te nuk rreh nji frymë e gjallë edhe gjallnuese.”

*

“Duhet të mësohemi, kur flasim për Shqipní, mos me marrë aspak para sysh kufijt shtetnorë, që e zvoglojnë kuptimin e vertetë e konkret t’atdheut. Shqipnija ideale kapërcen ngushticën e tokës shqiptare. Ajo zgjahet ndër të gjitha viset ku rreh gjaku shqiptar. Rrethanat politike që e ndajnë sot për sot farën arbnore në gjymtyrë të ndryshme nuk do të na ndalojnë m’e ndie veten të shkrimun me të gjithë ata vllazën, ngjitë me shtet shqiptar ase të shpërndam nëpër botë, që flasim shqip dhe ruejnë zakonet stërgjyshore. Mendja jonë, kur përmendim emnin e Shqipnís, duhet të shtrihet përtej kufijve të sotshëm politikë dhe të përfshijë edhe gjakun e shprishun d.m.th. edhe shqiptarët jashta Shqipnije.”

1). Citatet janë të zgjedhura nga shkrimet e Koliqit në revistën “Shejzat”.