Nga: Ben Beaumont-Thomas / The Guardian (titulli origjinal: ‘Am I a poor lover, am I ugly?’ Eric Clapton letters reveal details of George Harrison love triangle)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në ankand do të shiten letrat thellësisht të ndjeshme dhe të panjohura të Eric Claptonit, drejtuar Pattie Boydit derisa ajo ishte e martuar me George Harrisonin, duke nxjerrë në shesh një nga trekëndëshat më famëkeq të dashurisë në rok.

Boyd ishte modele dhe ikonë e Londrës gjallëruese [Swinging London], në vitet 1960, e cila me Harrisonin u martua në vitin 1966 – pasi e takoi në xhirimet e filmit të [grupit] Beatles, Nata e një dite të vështirë [A Hard Day’s Night]. Pretendoi se ai ia dedikoi baladën e Beatles-ëve, Diçka [Something], megjithëse më vonë ai e mohoi këtë. Nga fundi i dekadës, Harrisoni dhe Claptoni nisën të bëjnë muzikë së bashku, dhe Clapton u magjes nga Boydi.

Në një letër të vitit 1970 – pjesë e pronësisë së Boydit që do të shitet nga [shtëpia e ankandeve] Christie’s nga 8 deri më 21 mars – Claptoni me bukurshkrim të patëmetë e lut Boydin: Ajo që dua të të pyes është nëse ende e do burrin tënd, apo nëse ke dashnor tjetër? Të gjitha këto pyetje janë shumë të pacipa, e di, por nëse ke ende ndjenja në zemrën tënde, për mua … duhet të më njoftosh! Ai i referohet çështjeve të tij të brendshme si farsë galopante: Claptoni takohej me motrën e Boydit, Paula, ndërsa përflitej se ishte në lidhje me aristokraten Alice Ormsby-Gore.

Duke folur për Christie’s, Boyd tha se fillimisht mendoi se ishte letër nga një adhurues i çuditshëm dhe të vërtetën e kuptoi pasi Clapton menjëherë e telefonoi.

Letër dashurie e Eric Claptonit, drejtuar Pattie Boydit në vitin 1970

Clapton e shkroi një letër tjetër disa muaj më vonë, në një faqe të grisur nga kopja e [librit] Për minjtë dhe njerëzit [Of Mice and Men].

Vetëm për kënaqësitë e kaluara, do ta sakrifikoj familjen time, Zotin tim dhe ekzistencën time … Po çmendem … Kam dëgjuar erën, kam parë retë e errëta që gërryejnë dhe e kam ndier tokën poshtë meje, për një shenjë, për një gjest, por ka vetëm heshtje. Pse ngurron, a jam dashnor i keq, a jam i shëmtuar; a jam shumë i dobët, shumë i fortë, a e di ti pse? Nëse më do, më merr, jam i yti. Nëse nuk më do, të lutem thyeje magjinë që më robëron. Është mëkat ta fusësh në kafaz një kafshë të egër, ta zbusësh është gjë hyjnore. Dashuria ime është e jotja.

Secila prej letrave vlerësohet të shitet nga 10-15 mijë funte [11 700 deri në 17 500 euro].

Ai i referohet Boydit si “Layla” dhe atë vit për të e bëri këngën klasike të rokut – me të njëjtin emër. Pasi ia lëshoi incizimin e këngës në kasetë, Boyd thotë: U befasova nga bukuria e saj – por, në të njëjtën kohë u ndjeva fajtore.

Boyd i shtjellon ndjenjat e saj në atë kohë. George dhe unë po kalonim nëpër një kohë të vështirë. Beatles e kishin atë kaosin dhe ankthin rreth grupit, ndërsa George po bëhej shpërfillës. Pastaj Ericu vazhdonte të vinte në shtëpinë tonë duke më kërkuar që të ikja me të. Epo, kjo ishte joshëse, por nuk munda ta bëj. Thjesht, nuk ishte e drejtë.

Boyd dhe Harrison u ndanë në vitin 1974, për shkak të tradhtive të tij të shumta. Ajo dhe Clapton shumë pak u takuan deri në mesin e dekadës, kur ata u rilidhën dhe përfundimisht u martuan në vitin 1979. Ai shkroi këngë të tjera për të, përfshirë Mbrëmja e mrekullueshme [Wonderful Tonight], një baladë e këndshme e shkruar gjatë – dhe rreth – përgatitjeve të Boydit për ta kaluar natën jashtë.

Piktura origjinale nga Emile Théodore Frandsen de Schomberg që zbukuroi botimin e [albumit] Lejla dhe këngët e tjera të dashurisë [Layla and Other Assorted Love Songs], të [grupit] Derek and the Dominos, është në shitje me vlerësim të lartë prej 60 mijë funteve [71 000 euro]. Ka edhe kartolina dhe letra të tjera midis Claptonit dhe Boydit gjatë miqësisë dhe martesës së tyre.

Boyd tha për Telegraph se Claptoni ia dha asaj bekimin për të shitur gjëra të ndryshme: Mendova, pse të mos shes gjithçka dhe t’i lë të gjithë të tjerët t’i shijojnë? … Letrat nga Ericu – ato janë kaq të dëshpëruara dhe të zjarrta, një pasion që lulëzon një herë në jetë, them unë. Edhe tash, nëse i lexoj ato letra, tmerrësisht trishtohem. I kam pasur në një sënduk të vogël dhe herë pas here i shikoja dhe nisja t’i lexoj, dhe zemra më rrihte, kërcente, sepse ta thyejnë zemrën. Janë shumë të dhimbshme në bukurinë që kanë.

Diku tjetër në gjësendet e ankandeve është një kartolinë e vitit 1964 – gjatë një turneu botëror të Beatles-ave – nga Harrisoni për nënën e Boydit, ku pjesërisht lexohet: Gjithçka po shkon në rregull, besoj, por më mungon vajza juaj! Në vitin 1971, ai i shkruan Boydit nga Nju-Jorku, pas një udhëtimi në det për të cilin ankohet se kishte më shumë njerëz me smoking; në një tjetër shënim thotë: Pattie, mos harro që të dua. Shumë letra të tjera, tekste të shkruara me dorë dhe fotografi të Harrisonit, janë gjithashtu në shitje, plus shkarravina, karta shumëngjyrëshe të Krishtlindjeve të punuara me dorë dhe një skicë për një disk imagjinar me Harrisonin ulur poshtë një peme molle: Për mua, kjo flet shumë për Georgein. Ishte kaq i butë, kaq i ëmbël, ka thënë Boyd për këtë të fundit.

Përveç veshjeve, fotove dhe gjësendeve të tjera, duke përfshirë një letër të pakuptimtë nga John Lennoni drejtuar shokëve të tij të grupit Beatles, si dhe dridhëset unike të Claptonit nga [koncerti] Live Aid – gjithashtu është një skicë nga Ronnie Wood, një tjetër dashnor i Boydit gjatë kësaj periudhe që zgjeron trekëndëshin e dashurisë në pesëkëndësh: Gruaja e parë e Woodit, Krissy Findlay, kishte lidhje me Claptonin, u martua me Woodin, më pas kishte lidhje me Harrisonin, pastaj Boyd dhe Wood bashkohen përpara lidhjes së saj me Claptonin. Kam pasur një gjë të bukur me Pattien [në mesin e viteve 1970], shkroi Wood më vonë në kujtimet e veta. Na pëlqente të shkonim, në shumë raste, në Ishullin e Parajsës … Ericu dhe unë gjithmonë e kishim këtë lloj sparingu me vajzat që kemi njohur