Moikom Zeqo

Në fundin e vitit të kaluar, kryeredaktori i Ditës, Adrian Thano, më dërgonte një email, ku më thoshte të shkruaja diçka për vitin që kaloi, dhe si kalimthi, më sugjeronte të shkruaja diçka për Njeriun dhe Antinjeriun.

Ky sugjerim më shtyu të rilexoj një libër të edicionit në frëngjisht të Gallimard-it “La defaite de la pensèe” (“Disfata e mendimit”) të filozofit të njohur francez Alain Finkielkraut.

Libri në fjalë, i përkthyer në shumë të botës, është një libër kriticist, me një kirurgji mendore të habitshme për mendimin njerëzor në përgjithësi.

Ideja kryesore e tij lidhet se në qytetërimin aktual: Ne jetojmë Epokën Post-faktuale! Domethënë, kemi të bëjmë me një mjedis universal, ku është kapërcyer statusi i Faktit, ose i fakteve, nuk respektohet patjetërsueshmëria e tyre sepse kemi hyrë në një erë të re, në atë të Opinioneve.

Sot njerëzit operojnë me opinione, përleshen midis tyre, kacafyten, por realisht nuk u referohen më fakteve që kanë autoritet të padiskutueshëm. Pra, shoqëria moderne si disfatë të parë të mendimit ka këtë kapërcim, që gjithsesi është negativ.

Ky filozof e shikon me shqetësim të ardhmen e qytetërimit dhe të mendimit të epërm, që po zëvendësohet nga bota virtuale, kur njeriu tashmë konsiderohet si “banor i WWW-së, një qenie e manipuluar e internetit dhe rrjeteve sociale”.

Kultura e madhe e shekujve po zëvendësohet nga kultura përherë e më e përhapur e spektakleve, madje dhe politika sot strukturohet si performancë, apo dhe spektakël.

Ky konkluzion i këtij filozofi mund të shpjegojë deri diku optikën edhe të zhvillimeve politike, tejet kontradiktore, me paradokse të pashembullta të debateve në Kuvend, apo dhe në media, që ngjajnë me performanca të sipërfaqshme dhe dëgjimore të një arti vulgar, populesk, të rrugës.

Paradigma e Njeriut dhe Antinjeriut që më sugjeroi Thano,.ka të bëjë me forcat pozitive në luftë të përjetshme me forcat negative.

Nuk është një çështje rrethanore e klasifikimit. Kemi të bëjmë më tepër me nocionet dialektike të konceptualitetit. Mendimi përparimtar i njerëzimit nuk mund të shkëputet nga humanizmi. Kiçi parlamentar nuk mund të zëvendësojë kërkimin për të vërtetën. Utilitarizmi global nuk mund ta fashitë qenien njerëzore, ta mpijë atë dhe t’i mohojë të drejtën për të bërë pyetjen “Pse?”.

Sipas Finkelkraut njeriu i kulturës e lufton tiraninë e banalitetit, por “kolonizimi” i institucioneve kryesore nga mediokriteti është akoma më i frikshëm.

Në debatet politike shqiptare përgjithësisht populli e di se ç’do të thotë të jesh klon i Antinjeriut.

Ndërsa në anën e Njeriut është tërë fuqia e brendshme shpirtërore e substancës së kombit shqiptar, e intelektualëve që nuk u bënë kurrë klientelistë, që sakrifikuan, madje dhe u marxhinalizuan, por e thanë haptazi mendimin e tyre të lirë

Pra, për mua kjo që po na ndodh dëshmon më tepër botën post-faktuale, atë të kaosit të opinionit. /Botuar për herë të parë më 20 qershor 2018, në gazetën “Dita”/