Tingujt e përmortshëm të këmborës ende bredhin,

dashnori hutueshëm zgjohet në dhomën e zezë,

e mbështet faqen e vet në yje e krahnezë.

Lumit i sheh velat, litarët që i hedhin.

Hiqen fustanet, kitarat ia japin me vringëllimë.

Murgu, gruaja shtatzënë, moria e njerëzve të bjerrë.

Nën shkëlqimin e artë thahet gështenja e mjerë;

kishat e vjetra ngrenë krye me zi e pikëllim.

Nëpër maskat e zbehta shikon tash fryma e ligësisë.

Muzgu bie në shesh me pamjen e tmerrit e zisë;

para mbrëmjes ishujt e lumit dridhen nga pëshpërima.

Shenja të turbullta të fluturimit të shpezve lexojnë

gërbulshat që kalben. Nëpër park lodrojnë

motra me vëlla, shikojnë, fërgëllima.

Nga Georg TRAKËL
Përktheu: Xhabir AHMETI