Muzikantja Vjollca Robelli, shqiptarja nga Kosova, ka ngritur zanatin dhe emocionin e muzikës tradicionale popullore në një territor inovativ, të futur në xhaz. Së fundmi Lumbardhi ka prezantuar debutimin e muzikantes Vjollca Robelli me emrin e saj të ri skenik “Ajo”, ku do të promovojë ep-albumin e saj të ri “Besa”, të premten me 13 shtator, në orën 21:00.

“Muzikantja Vjollca Robelli bën një rikthim triumfues me një emër të ri skenik – ‘Ajo’ me një material të ri muzikor. Me një kolektiv muzikantësh të njohur nga vende të ndryshme të Evropës, ‘Ajo’ vjen me veprën e saj të parë pas 17 vjetëve ‘Besa’, e lansuar në korrik të këtij viti, këngë nga ep-albumi i ri, i cili do të promovohet te Lumbardhi së bashku me 9 këngë të tjera. Muzika emocionuese dhe evokuese e ‘Ajo’-s ndan frymëzimin e saj me trashëgiminë muzikore të kulturës së saj”, njoftohet në komunikatën për medie.

Për epin e saj të ri, “Ajo” ka bashkëpunuar me muzikantë profesionistë, duke përfshirë Aram Zarikian, Danny Rico, William Collier, Alessio Marsio dhe Xhemil Gjini.

“Ajo” është kantautore me bazë në Londër. Si shqiptare nga Kosova rrënjët e saj janë ngulitur thellë në muzikën dhe në performancat e saj. Ajo merr frymëzim nga trashëgimia e saj shqiptare, duke e ngritur zanatin dhe emocionin e muzikës tradicionale popullore në një territor inovativ, të futur në xhaz. Më 2002-n “Ajo” për herë të parë u paraqit në Kosovë dhe në Shqipëri me lansimin e këngës “Ajo”, nën emrin e saj të vërtetë Vjollca Robelli. Kënga i ishte dedikuar ndërgjegjësimit ndaj pandemisë së AIDS-it, e cila kryesoi top-listat në shumë TV dhe radiostacione, u rendit e dyta në rajonalen “BBC Top of the Pops”, fitoi “Video Best Rock” në “VideoFest” dhe Vjollca u emërua si ambasadore e Muzikës Rinore po atë vit. Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë kënga ruan popullaritetin e saj, gjë që bëri që Vjollca të adoptojë emrin skenik “Ajo”.

Vjollca u transferua në Londër më 2004-n për të studiuar vokalin, muzikën dhe menaxhimin e medieve.