Një varg prej gjashtë pikturash nga mjeshtri venedikas Titian, të mbikëqyrura nga mbreti Filip II i Spanjës dhe frymëzuar prej poetit romak Ovid, janë ribashkuar për të parën herë në katër shekuj në një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Londrës.

Pikturat e mëdha, të krijuara mes viteve 1551 dhe 1562, pasqyrojnë skena nga mitologjia klasike të marra kryesisht nga “Metamorfoza” e Ovidit, dhe zhbirojnë temat e pasionit, tundimit e ndëshkimit. “Ato janë piktura themeltare në zhvillimin e pikturës evropiane”, ka thënë Matthias Wivel, kurator i ekspozitës gjatë para shfaqjes të enjten, shkruan sot Koha Ditore.

“Ato ishin pabesueshëm të famshme në kohën e tyre dhe në të vërtetë frymëzuan artistët për breza të tërë”. Spektakli “Titian: Love Desire Death” është caktuar të hapet për publikun më 16 mars dhe do të zgjasë deri më 14 qershor. Ndryshe nga vendet e tjera të prekura nga pandemia botërore e koronavirusit, Britania nuk ka marrë ende masa për mbylljen e muzeve dhe galerive.

Wivel ka thënë se nuk do të dinte se çfarë do të ndodhte me spektaklin e Titianit në rast se do të merreshin masa të tilla.

“Ma merr mendja se këtë do ta shohim. Është kaq e paparashikueshme, është zor të prononcohesh mbi të”, ka thënë ai. “Ashiqare është një hije mbi gjithçka”. Gjashtë pikturat, të cilat Titiani i quante “poezitë” e tij apo poema, konsiderohen si shenja të artit evropian për përthyerjen e lartë ekspresive të emocioneve.

Galeria Kombëtare i ka përshkruar veprat si pikë kthese në karrierën e Titianit. Krejt pazakonshëm për një padron të atyre viteve, Filipi i kishte dhënë liri atij për të përzgjedhur subjektet e veta, duke lejuar të zhvillonte narrativa komplekse e të qëmtonte ndjesi të shumëkuptimta/koha.net/