Është një galeri fytyrash, tiparesh të fiksuara, vështrimesh ngulmuese e gjendjesh të tjera. Portrete e profile që simbolizojnë një art mijëvjeçar historie: prej busteve ilire e deri tek ato nga brezi rilindës.

Më të arrirat vepra të artistëve shqiptarë, prej vitit 1898 deri më 1999, kanë zënë vend në ekspozitën e hapur në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Me fondin e konsideruar si pasuri e jashtëzakonshme e artit kombëtar, ekspozita, e hapur qysh më 18 shtator, ky institucion ka shpalosur piktura, skulptura, skica e karikatura të bëra ndër vite.

Ekspozita e GKA-së është menduar të jetë e hapur përgjithmonë për publikun.

Drejtori i këtij institucioni, Erzen Shkololli – i cili është edhe kurator i kësaj paraqitjeje – ka thënë se ekspozita do të pasurohet edhe më të tjera piktura, skulptura e karikatura.

“Kjo gjë do të bëhet çdo ditë duke nxjerrë nga fondi i arkivit të tjera krijime, përveç pjesës kryesore që do të jenë gjithmonë aty për t’u parë nga artdashësi”, ka thënë Shkololli për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Në ekspozitë janë vargëzuar vepra të artistëve të vlerësuar shqiptarë si: Fadil Taga, Petrit Konçi, Çlirim Ceka, Sali Shijaku, Anastas Kostandini, Zef Shoshi e plot të tjerë.

hapur për vizitorët për çdo ditë të javës nga e hëna deri të shtunën, çmimi i biletës për ekspozitë është 200 lekë (1,6 euro).